E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS letër KQZ-së: Mos asgjësoni fletët e votimit

PS-ja i është drejtuar KQZ-së nëpërmjet një letre që mban firmën e sekretarit për çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj


TIRANË - Partia Socialiste i kërkon edhe zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos bëhet pjesë e lojës politike, duke eliminuar provën që sipas saj ekziston në kutitë e votimit të përdorura gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.


Pas thirrjes publike që i bëri kryetari socialist kreut të këtij institucioni për të mos asgjësuar fletët e votimit, PS-ja i është drejtuar dje KQZ-së edhe në mënyrë institucionale nëpërmjet një letre që mban firmën e sekretarit për çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj.


Me anë të kësaj letre, për të cilën është vënë në dijeni dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, si prezenca e OSBE-së, ajo e KE-së dhe Ambasada Amerikane, selia rozë i bën thirrje anëtarëve të KQZ-së që të mos ndërmarrin hapin e hapjes së kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore të përdorura më 28 Qershor, pasi këqyrja e tyre nëpërmjet një hetimi parlamentar është objekt i kërkesave të socialistëve, si mundësia e vetme për të nxjerrë në pah të vërtetën e këtij procesi zgjedhor.


"Në interes të publikut, në interes të një gjykimi dhe vlerësimi më të plotë mbi disa aspekte të procesit zgjedhor të datës 28 qershor 2009, në interes të përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të fundit për Kuvendin e Shqipërisë, PSSH-ja i kërkon KQZ-së, që për sa kohë nuk ka asnjë rrethanë apo shkak objektiv që do ta detyronte atë të procedonte sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor, të mos fillonte me procesin e hapjes së kutive të votimit dhe atyre të materialeve të votimit të përdorura në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009", - thotë Xhafaj në letrën drejtuar KQZ-së.


Në të kundërt, thekson sekretari socialist në këtë letër, një hap drejt asgjësimit të këtyre materialeve dhe fletëve të votimit, do t'i jepte shkas opozitës që ta vlerësonte atë si një hap të nxitur nga politika, ç'ka do të sillte sipas PS-së dhe një përkeqësim të situatës politike në vend.


"Veçanërisht, përmes kësaj kërkese, i kërkojmë KQZ-së të mos veprojë për asgjësimin e fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit të përdorua në këto zgjedhje, pasi çdo përpjekje e nxituar në këtë drejtim, do të përbënte një veprim të motivuar politikisht dhe me pasoja serioze për vendin", - thekson Xhafaj në këtë letër, duke i bërë të ditur anëtarëve të këtij komisioni se një praktikë dhe një kërkesë e tillë është marrë në konsideratë nga ky komision edhe pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2003.


Gjithashtu PS-ja i kërkon KQZ-së që t'i mundësojë akses përfaqësuesve të Partisë Socialiste për të vëzhguar nga afër dhe në mënyrë periodike ambientet, ku ruhen kutitë e votimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë në lidhje me paprekshmërinë e tyre.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›