Ristani: Në rast nevoje, fletët do të asgjësohen
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani lë të hapur mundësinë e djegies së fletëve të votimit
TIRANË - Në kohën kur Partia Socialiste po organizon protestën me qëllim hapjen e kutive të votimit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani lë të hapur mundësinë e prekjes se kutive të votimit, në rast se do të nevojiten për zgjedhjet e 15 Nëntorit. "Ne do të vlerësojmë nevojat.
Në rast se do të na duhen kuti votimi për zgjedhjet e pjesshme të 15 Nëntorit, sigurisht që do të zbatojmë ligjin. Mund t'ju them që ky ligj është miratuar me konsensus të plotë të të gjitha palëve dhe ligji nuk mund të zbatohet çapraz, njëherë majtas e njëherë djathtas. Kur të vijë momenti që do të na shtrohet për zgjidhje ky problem, do ta zgjidhim siç parashikohet në ligj,"- tha Ristani.
Sipas tij, Kodi Zgjedhor parashikon se pas përfundimit të zgjedhjeve, KQZ-ja hap kutitë e votimit dhe materialet brenda dërgohen në Arkivin e Shtetit, ndërsa të tjerat asgjësohen.
"Nuk është problem që ne nuk presim sepse ne nuk kemi asnjë nxitim në këtë histori, por ne zbatojmë ligjin dhe shikojmë nevojat për të përmbyllur procesin, të cilin ligji na e ka vendosur si detyrë për ta përmbyllur. Në rast se do të na duhen kutitë, sigurisht që do të veprojmë sipas ligjit," - tha më tej Ristani.
Një ditë pas deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, sipas të cilit, djegia e kutive të votimit është shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor tha se KQZ-ja, ashtu si të gjitha institucionet e tjera, vepron mbi bazën e ligjit dhe jo mbi bazën e deklaratave politike.
Ristani tha se, me gjithë kërkesat e PS-së për hapjen e kutive të votimit, ky është një proces i mbyllur, i cili ka kaluar të gjithë filtrat e mundshëm ligjorë, që vetë forcat politike i kanë përcaktuar.
"Unë di t'ju them çfarë parashikohet në Kodin Zgjedhor. Për mua është proces i mbyllur. Ajo që bën politika është problem i politikës, në rast se do të ndryshohet ligji apo nëse do të vendosin sipas kompetencave të tyre. KQZ-ja do të zbatojë ato që i ngarkon ligji për të zbatuar,"- tha Ristani.