Interneti, Pekini: Në rrezik raportet SHBA-Kinë
Ministri i jashtëm kinez e ka përkufizuar si "të dëmshëm" për raportet me Shtetet e Bashkaura të Amerikës , diskutimin dhe apelimin e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, për censurën në internet. Diskutimi i saj, duket se ka shkaktuar një reagim të madh politik nga ana e Kinës lidhur me politikën informatike, e cila u shpërfaq pasi motori i kërkimit "Google" kërcënoi se do të tërhiqej nga Kina , pas ankesave lidhur me sulmet e hakersave në internet dhe episodeve të censurimit. Clinton i kërkoi Pekinit që të niste hetimin e hollësishëm për denoncimin e bërë nga ky website gjigand. Por akuza e censurës është hedhur poshtë nga qeveria dhe mediat kineze, edhe pse faktet tregojnë se problemi ekziston. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Klinton në fjalimin e saj, kritikoi Kinën, Iranin, dhe vende të tjera për kufizimin e lirive të njeriut për shprehjen e ideve të tyre në Internet. Sekretarja Clinton tha sot në Uashington se liria nuk përkufizohet më vetëm nëse qytetarët mund të protestojnë kundër qeverisë nëpër sheshe pa frikën e dënimit. Ajo tha se mesazhet elektronike dhe blogjet në internet kanë hapur mundësi të reja për krijimin e forumeve për shkëmbim idesh dhe kanë krijuar objektiva të reja për censurë.