OKB: Ekonomia botërore po përmirësohet
Kombet e Bashkuara thonë se ekonomia botërore po përmirësohet. Në raportin e saj të përvitshëm, ky organizëm parashikon një rritje globale prej 2.4 përqindësh në vitin 2010 me Azinë Lindore dhe Jugore në krye të kësaj rritjeje. Por organizata paralajmëron se kushtet për një rritje të qëndrueshme në mbarë botën mbeten të brishta. Raporti i OKB-së thotë se ekonomia botërore ka filluar të tregojë shenja të një mëkëmbje modeste. Tregjet e aksioneve po mëkëmben, tregëtia ndërkombëtare dhe prodhimi industrial po shtohen dhe bankat po fillojnë biznesin e tyre përsëri. Kjo është një mëkëmbje e nxitur në pjesën më të madhe nga paketa stimuluese madhore në mbarë botën. Drejtori ekzekutiv Donald Tsang në Hong Kong tregon se në Hong Kong ata kanë shpenzuar gati 11 presje 2 miliardë dollarë në masa stimuluese për ekonominë, një shumë kjo ekuivalente me rreth 5.2 përqind të GDP-së. Komentet e Tsang u bënë në fillim të Forumin Financiar Aziatik në Hong Kong ku delegatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të FMN-së takohen për të diskutuar të ardhmen ekonomike të rajonit. Drejtori i FMN-së Dominique Strauss-Kahn theksoi rolin kritik që po luan Azia në këtë periudhë të pas recesionit në botë. Ekonomia botërore ka treguar përmirësime të qëndrueshme që nga tremujori i dytë i 2009-ës por Strauss Kahn thotë se mëkëmbja nuk ka qënë e njëjtë. Kina u rrit 10 presje 7 përqind në tremujorin e fundit të 2009ës, por qeveria qysh atëherë ka ulur dhënien e kredive për të ulur inflacionin dhe për të ngadalësuar një ekonomi të mbinxehtë. Në kontrast, Japonia ka shqetësim deflacionin dhe kërkesa e ulët mund ta çojë ekonominë përsëri në recesion. Analistët parashikojnë që ekonomia në Azinë Lindore të rritet 6 presje 7 përqind këtë vit, pasuar nga Azia Jugore me 5.5 përqind . FMN-ja pret që që rritja të shtohet në rajonet më të varfëra të Afrikës ndërsa recesioni global po dobësohet. Shtetet e Bashkuara dhe 16 vende të Eurozonës mund të presin rritje modeste, por të vazhdueshme edhe pse papunësia mbetet kritike gjatë këtij viti.