Përshpirtje për Pashko Gjeçin
“Përshpirtje vargjesh me parajsë, pauzë spiritizmi nga kumbi shqip i ferrit dhe parajsës së Pashko Gjeçit" kështu është quajtur aktiviteti që u zhvillua dje në mbrëmje në galerinë “Zenit” në Tiranë, në kujtim të përkthyesit të madh që ndërroi jetë pak ditë më parë
Pashko Gjeçi, prej të cilit kumbojnë e luajnë shqip dilema Hamleti, Fausti, por dhe Andromaka Racine, Atalia Chatobriand e vargje të Leopardit në pritje botimi, përkthyesi kimerik që e kemi gjallë dhe s’po ia dimë pahanë, një ditë na rrëfeu sesi ishte ndjerë, kur posa përfundoi Komedinë Hyjnore. Të parat vargje, nga Kënga e Tetë në mos gaboj, i kishte nisur si lojë, një mbrëmje... kur qe veç dymbëdhjetë vjeç. ...Nuk i ka prekur më! Ashtu si i kemi edhe sot. Ndërsa, në fund të të fundmit varg, iu bë sikur at’çast, dikur ndaj të gdhirë, poeti doli nga deriçka e strehës së përkthyesit, me tërë vitet që i rrinte mjeshtrit model, teksa ky e kthente dhe përkthente. Tha: M’u duk se Dante doli fill prej porte... dhe më la fillikat! Kur u lypsej ferri i këtij e kthyen përkthyesin në kryeqytet dhe autoritetet i dhanë një autorizim strehimi, drejt së cilës ia grahu me të shpejtë, përgjëruar për një tavolinë pune dhe dritë. Mandej, një portë që kësaj radhe po hapej, por për çudi shtëpia brenda kishte njeri! Përballë iu shfaq idhulli, mësuesi i gjimnazit në Shkodër. Ai që i pat mëtuar letërsi, atij dhe përkthyesve të ardhshëm, tek u linte heshtas nga një libër poshtë bankës. Mësuesi plak, gjendur gabimisht në shtëpinë e re, që në një copë letre me adresë i përkiste Pashko Gjeçit, quhej Pashko Geci... Dhe, ja, ngatërrimi prej një shkronje që i shtohej gjithë ngatërresës lesh e li, aneqark. Plaku i urtë bënte të merrte plaçkat, për t’u shkulur e shkuar aty ku i qe caktuar, ndërsa nxënësi e kish qafuar dhe s’e linte të bënte çap. Pastaj ndërruan fletushkat e paqarta e të ndotura të autorizimeve. Si trille xhojsiane keqkuptimi, të cilin ky na e quajti motor historie, apo si një lojë e thjeshtë fjalësh, të llojit Uncle Lear me unclear, si luante një lexues në letrën qëndisur Xhojsit dikur, duke e qesëndisur edhe me emrin Germ’s Choice. Përkthyesi i Dantes, shkuar të nëntëdhjetat, vijon qysh asokohe jetën e qindit, mes mureve të dy dhomave të vogla fare, mu këtu pas dritares përballë, penxheres ndë ‘Shallvare’. Komedinë Hyjnore e kujton dhe reciton vetëm në origjinal. Së këndejmi, zgjedhim mbrëmjeve ndonjë varg shqip. Falë tij dhe për të, prej vargjeve me Parajsë.
Krenar Zejno(Fragment nga parathënia e botuesit në veprën Uliksi, Joyce)
#