E Diel, 1 Nëntor 2026

Venezuelë, Chavez habit botën: SHBA shkaktoi tërmetin në Haiti

Hugo Chavez në një deklaratë të tij të fundit ka hedhur një hipotezë e cila ka habitur mbarë opinionin publik vendas dhe atë botëror.
Presidenti i Venezuelës, gjatë një interviste për televizionin venezuelian ViVa, akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për posedim të armës që shkakton tërmete, me të cilin ishte iniciuar tërmeti në Haiti.
Duke cituar njëfarë raporti të Flotës veriore ruse, televizioni ViVa transmetoi deklaratën në të cilën thuhet se tërmeti, në të cilin humbën jetën 200 mijë njerëz, është shkaktuar nga testimi eksperimental amerikan i sistemit të valëve.
Për të njëjtin sistem pohohet se mund të shkaktojë anomali klimatike, si vërshime, thatësira dhe uragane. Televizioni ViVa më tej shton se qëllimi final i këtyre sulmeve eksperimentale është Irani, ku me një varg tërmetesh të iniciuara, do të duhej të përmbyset regjimi islamik. Sulmet e Hugo Chavez njihen për emocionalitetin e tepruar. Por pritet që deklarata e tij e fundit të mos kalojë pa u vënë re. Chavez mund të hetohet për shpifje si edhe për prishjen e imazhit të një kombi, në këtë rast kombit amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›