E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e shtrenjta, vetëm në farmacinë e QSUT-së

ISKSH përfundon kontratat e reja me barnatoret për listën e rimbursimit
Disa nga ilaçet e shtrenjta do të merren me rimbursim pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Ky do të jetë një rregull i ri, pas kontratave trepalëshe të lidhura nga tri palë. Edhe pse lista e re e barnave me rimbursim ende nuk është miratuar, kujdesi shëndetësor ka vazhduar punët e përvitshme, duke mbyllur edhe nënshkrimin e kontratave me barnatoret në vend.Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përmbyllur procesin e kontraktimit të farmacive për vitin 2010 në të gjithë vendin. Kështu, sigurimet shëndetësore kanë njoftuar dje se kanë përfunduar lidhjet e kontratave me 590 farmaci dhe 160 agjenci farmaceutike në zona rurale. Po kështu janë lidhur kontrata me 43 depo importuese, si edhe 46 depo distributore në shkallë vendi.ISKSH-ja ka lidhur edhe 6 kontrata trepalëshe ISKSH–QSUT-depo importuese, me qëllim realizimin e dhënies së disa barnave me kosto të lartë mjekimi pranë farmacisë së qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Rimbursimi
Sipas kontratës së ISKSH-së me farmacitë, pacienti në çdo kohë ka të drejtë t’i vihet në dispozicion lista e barnave të rimbursuara, si edhe të sqarohet për çdo problem që mund të ketë. Bazuar në kontratë, pacientit i rimbursohet bari i alternativës së parë në listë sipas kategorisë që i përket me rimbursim të plotë apo me bashkëpagesë. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, në këto kontrata janë bërë disa përmirësime, ku ndër më kryesorët është detyrimi i farmacisë me të cilën ISKSH-ja lidh kontratë, për të dhënë barnat e listës së rimbursimit vetëm me recetën e mjekut, edhe në rastet kur personi nuk i përfiton ato nga rimbursimi. Kjo pikë është shtuar në kontratë në mënyrë që të evitohet në maksimum fenomeni i shitjes së barnave pa recetë. Një pikë tjetër e rëndësishme është se nuk do të ketë më limit financiar për shumën që rimbursohet nga farmacitë.
Ndëshkimi
Për të gjitha rastet e shkeljeve të kontratës merren masa me gjobë deri në prishje të kontratës. Sipas ISKSH-së, në disa raste masat shkojnë deri në propozim për heqje licence profesionale.Ky penalitet do të aplikohet në rast se në farmaci gjendet faturë fiktive, recetë fiktive, kur farmacia nuk pranon kontrollin e ISKSH-së. Masa ndëshkimore do të merren edhe në rastet kur nga kontrolli në farmaci nuk gjendet drejtuesi teknik apo farmacisti i lartë i punësuar apo kur nga kontrolli me inventarizim i ushtruar në farmaci gjatë periudhës që kjo kontratë është në fuqi rezultojnë diferenca në plus mbi 200 mijë lekë.
Nga kontrolli me inventarizim i ushtruar në farmaci gjatë periudhës që kjo kontratë është në fuqi rezultojnë diferenca në mbi 600.000 lekë. Në rastet kur vërtetohet se farmacia ka ekzekutuar recetën duke bërë ndryshimin e formë dozës apo principit aktiv të barit të përshkruar në recetë nga mjeku do të ketë penalitete. Po ashtu, masa ndëshkimore do të jepen edhe në rastet kur nga kontrolli rezulton se farmacia tregton barna të listës së barnave që rimbursohen të papajisura me pullën e sigurisë. Në kontratë është parashikuar si detyrim i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore, që kontrollet me inventarizim të farmacive e agjencive të bëhen që nga momenti i kontrollit të fundit të ushtruar prej tyre, duke zbatuar sanksionet për periudhat kohore sipas kontratave që kanë qenë në fuqi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›