E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpelanca për Hoxhajn shtyhet për javën e ardhshme

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që interpelanca e ministrit Enver Hoxhaj lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës të shtyhet për javën e ardhshme me kërkesën e ministrit, për shkak të agjendës së tij.

Kjo interpelancë është thirrur nga Grupi Parlamentar i LDK-së, ndërsa kërkesën e tillë e kanë quajtur absurde.

Gjithashtu, ky subjekt politik ka dhënë vërejtjet edhe për disa projektligje që janë sjellë nga Qeveria, e që sipas këtij subjekti politik janë skandaloze.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri pas mbledhjes së kryesisë të hënën ka thënë se këta ministra janë mësuar që Kuvendi t’i përshtatet agjendës së tyre.

“Ishte një kërkesë zakonisht absurde që të shtyhet debati, në këtë rast interpelanca e kërkuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së për ministrin Enver Hoxhaj për të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të vendit tonë për të gjithë atë që po ndodh. Por sigurisht do të themi në seancë kur të vjen radha për këtë interpelancë, sepse ishte një kërkesë që të shtyhet kjo si zakonisht janë mësuar këta, sepse dëshira e tyre është që ne t’ia përshtatim agjendën kur i kanë fluturimet kur i kanë vizitat edhe qoftë një komunë tjetër në Kosovë kanë me i prolonguar gjërat”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, ai gjithashtu ka kritikuar edhe projektligjin për pagat e funksionarëve publik, që sipas Beqirit është e papranueshme që ministrat dhe disa zyrtarë të agjencive të marrin paga më të mëdha se deputetët.

“Është me interes, sepse jeni media dhe është me rëndësi t’u thuhet qytetarëve se nuk janë deputetët ata të cilët kërkojnë të ngritën pagat, por janë të tjerët që po i rrisin pagat dhe zakonisht dalin deputetët në një situatë të palakmueshme gjoja se tentojnë me i rrit pagat. Po ju them është kategoria e 17 e paraparë në rangim deputetët, ndërkaq ministrat dhe këta tjerët pa keqkuptim që mund t’i marrin edhe në rrugë të i bëjnë ministra pa votë të qytetarëve janë të ranguar shumë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, ai ka kritikuar edhe projektligjin për kompetencat e zgjeruara të pasurisë së fituar me vepër penale, që sipas tij ky projektligj legjitimon të gjithë njerëzit që janë pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme.

Vërejtje Beqiri ka dhënë edhe për projektligjin për provimin e jurisprudencës dhe projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›