E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpol, katër të arrestuar për trafik droge


Foto ilustruese

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, ata ishin të shpallur në kërkim për trafik droge nga një Gjykatë në Romë.

Lajmi bëhet i ditur nga policia e Vlorës, ku me anë të operacionit të koduar Batica i ndërmarrë nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u krye ekzekutimi i 4 urdhër-arresteve ndërkombëtare.

Sipas policisë janë arrestuar  shtetasit Skënder Azem Gockaj, 42 vjeç, Julian Shabani, 31 vjeç, Adnand Xhelili, 42 vjeç dhe Erjon Sadikaj, 29 vjeç të cilët ishin shpallur në kërkim nga Interpol Roma si pjesëtarë të një organizate kriminale me tendence trafikimin e lëndëve narkotike.
Arrestimi i këtyre shtetasve që mbikëqyreshin prej më se 1-muaji nga shërbimet e policisë, u krye nga njësitë e specializuara të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë, në të njëjtën kohë mbrëmjen e djeshme, pasi në ngarkim të tyre Gjykata e Penale Lecce, Itali ka lëshuar urdhër-arrestet ndërkombëtare për veprat penale “Trafikim lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grupe kriminale”.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali një sasi të konsiderueshme droge (Cannabis sativa dhe heroinë) ç` ka rezultuar nga hetimet intensive të kryera gjatë periudhës 1 Janar 2009 deri më 5 Shkurt 2010 nga autoritet ligj zbatuese. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›