E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nuk leshon imunitetin

Një muaj nga miratimi i planit të veprimit për plotësimin e 12 prioriteteve për statusin e kandidatit, Ministrja e Integrimit deklaron se ky dokument është një dëshmi e qartë e progresit në realizimin e detyrimeve. Por lidhur me kriterin antikorrupsion si zonja Bregu ashtu dhe nënkryetarja demokrate e komisionit Mesila Doda i bënë thirrje opozitës që të propozojë ajo variantin që preferon për lënien  e imunitetit të zyratarëve. 
Kryetari i komisionit, Ditmir Bushati la të kuptohet se PS nuk do të ketë një angazhim të tillë në këtë drejtim, ndërsa fraza e zakonshme e përfaqësuesve të saj në komision mbetet që në Shqipëri nuk po dorëzohen zyrtarët e lartë.
Pasi raportoi për nivelin e plotësimit të të gjitha prioriteteve gjatë, Bregu sqaroi për të disatën herë që askush nuk duhet të presë përmbushje 100% të 12 kritereve deri në fund të vitit, pasi shumë straregji kanë afat zbatimi deri në vite të mëvonshme, detyra e klasës politike, siç pohoi më tej dhe Bushati, është vullneti për t’i adresuar ato në një masë të konsiderueshme 
Një thirrje fundit e zonjës Bregu, që klasa politike të dëshmojë se e ka seriozisht bashkëpunimin në ligjet me tre të pestat, ishte që pas përmbylljes së paketës së mbartur prej rreth tre vitesh me Gjykatën Administrattive të miratohet brenda sesionit edhe ligji për Shërbimin Civil.
 “Unë nuk pres që ky plan veprimi të konsiderohet i kryer dhe me të gjitha detyrimet e përmbushura  në fund të vitit 2012. Asnjë vend në botë, sot, mund të thotë që e ka mbyllur çështjen e të drejtave të njeriut, dhe nuk duhet të marrë masa për të përmirësuar të drejtat e njeriut. Ky është një prioritet në të cilin ne do të zbatojmë detyrimet brenda këtij viti, ka masa të cilat në bazë të strategjive përkatëse sektoriale shkojnë deri në 2017. Asnjë shtet dhe vend në botë nuk do të thotë që ka kryer dhe se nuk duhet të luftojë korrupsionin. Në këtë logjikë, them që viti 2012 nuk është viti ezaurues në luftën kundër korrupsionit, asnjë qeveri në botë nuk thotë që unë nuk marr masa për të luftuar krimin e organizuar, e njëjta logjikë vlen edhe për prioritetin nr. 9 në plan veprim. Prandaj, jam e bindur që përtej teknikaliteteve, pavarësisht sa masa miratohen dhe ne i parashikojmë,  ky vit ka nevojë për të treguar vullnetin politik për përmbushjen e masave kritike të detyrimeve deri  në shtator të këtij viti. Nuk e  them për të ndarë punën në segmente, as për të caktuar prioritete brenda prioriteteve, por e them që të ndahemi mirë dhe buzagaz me raportin e tetorit, e thënë ndryshe: atë shans të munguar për të çuar parpara procesin e integrimit me statusin e vendit kandidat, më shumë se askush tjetër, e kemi në dorë ne dhe të gjithë kolegët tanë që janë në sallën e parlamentit”, përfundoi ministrja fjalën e saj në Komisionin e Integrimit.    

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›