Hoxhaj priti ambasadorin jorezident të Afganistanit
.jpg)
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Afganistanit në Sofje, Siaullah Mahmud, i cili dorëzoi kopjet e letrave kredenciale si ambasador jorezident në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka njoftuar ambasadorin për progresin e vazhdueshëm në Republikën e Kosovës, duke veçuar fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj po ashtu foli për vullnetin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Hoxhaj vlerësoi faktin se Afganistani është ndër shtetet e para që ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke e konsideruar si faktor të rëndësishëm për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në anën tjetër, ambasadori i Afganistanit në Sofje, jorezident në Republikën e Kosovës, Siaullah Mahmud, ka vlerësuar lartë progresin në Kosovë, duke konfirmuar vullnetin e shtetit të tij për fuqizimin e raporteve me Republikën e Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme gjatë dy viteve të fundit, përveç rritjes së numrit të njohjeve ka punuar intensivisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe fuqizimin e bashkëpunimit me të gjitha shtetet që deri më tani e kanë njohur shtetin e Kosovës./Indeksonline/