Intervenimi në Kosovë dallon nga Libia

Rasti i Kosovës, kur NATO-ja më 1999 ndërhyri për t’i dhënë fund spastrimit etnik nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe fushata ajrore, që po zhvillohet aktualisht ndaj forcave të diktatorit Gadaffi në Libi, nuk kanë pothuajse asnjë ngjashmëri. Kështu thotë Janusz Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.
“E vetmja ngjashmëri është se NATO-ja po hedh bomba. Mendoj se situata në terren dallon shumë. Megjithëse kemi një diktator në kontroll në Libi, siç ishte në Serbi, sipas njohurive të mia, brenda në Libi nuk ka lëvizje specifike për pavarësi”, ka thënë Bugajski, në një intervistë për radion Evropa e Lirë..
”Me fjalë të tjera, nuk ka popullatë specifike, që është e shtypur dhe e sulmuar. Kjo ndodh me gjithë popullin. Prandaj, derisa Libia të fillojë të ndahet në entitete fisnore ose entitete secesioniste, atëherë kjo do të ishte diçka tjetër”.
Dallimi i dytë i madh nga rasti i Kosovës, sipas Bugajskit, është se nuk do të ketë fushatë tokësore. Sipas tij, nuk ekziston përkushtimi i NATO-s për të vendosur ndonjë forcë në terren, për të imponuar ndonjë lloj të zgjidhjes politike.
“Pra, në këto dy fusha ekziston situatë tejet e ndryshme krahasuar me Kosovën para 12 vjetësh”.
Duke bërë një vlerësim për zhvillimet në Kosovë, 12 vjet pas fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, Bugajski ka thënë se është një rrugë e gjatë. “Para 12 vjetësh, Kosova ishte nën okupim. Ne kishim dëbime masive etnike, vrasje të popullatës shqiptare të Kosovës. Millosheviqi ishte ende në pushtet dhe dukej se nuk shihej asnjë dritë në fund të tunelit. Por, pas intervenimit të NATO-s, e veçanërisht pas fushatës ajrore dhe ultimatumit dhënë Millosheviqit, erdhi te tërheqja e forcave të tij. Nën mandatin e KFOR-it, Kosova lëvizi kah pavarësia. Tash është në procesin e ndërtimit të demokracisë funksionale dhe shpresojmë se zgjedhjet e fundit do ta shtyjnë këtë proces përpara”.
Ndërsa lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, të cilat tashmë kanë filluar, Bugajski mendon se se nuk duhet pritur rezultate të menjëhershme. “Mendoj se, nëse disa çështje praktike do të zgjidheshin, siç janë të drejtat pronësore, autotargat, doganat ose tregtia, pastaj eksporti e të tjera, atëherë e gjithë kjo do të ishte gjë e mirë, sepse e ndihmon popullatën në Kosovë dhe atë në Serbi”.
Ai nuk pret asnjë rezultat të shpejtë në kuptim të njohjes së Serbisë ndaj Kosovës si shtet i pavarur. “Ky është fillimi i një procesi të gjatë, që përfundimisht është anëtarësimi për të dyja vendet në Bashkimin Evropian’, shprehet analisti amerikan, njohës i mirë i rrethanave në Ballkan.