E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nuk rrezikohet nga radioaktiviteti

Nga Express më 26 mars 2011 në ora 18:00

Pas dëmtimit të centralit bërthamor në Japoni dhe shpërndarjes së radioaktivitetit në disa vende evropiane, drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj porosit qytetarët se nuk ka nevojë për shqetësim pasi gjasat që radioaktiviteti të arrijë në vendin tonë janë shumë të vogla.

Tahirsylaj ka thënë për Kosovapress se rrjedhja e radioaktivitetit në centralin bërthamor në Fukushima në Japoni ka krijuar një re radioaktive, e cila fatmirësisht nuk do të prekë Kosovën.

“Nëse vjen në drejtimin e vendit tonë në pjesën e stratosferës nuk do të paraqet ndonjë problem, mirëpo në shtresën e proposferës paraqet problem të veçantë. Në bazë të imazheve që marrim nga satelitet dhe në bazë të studimeve që janë bërë deri më tash, informacionet janë se reja do të arrijë deri në Francë dhe ka efektet e vogla, prandaj gjasat janë të vogla që të depërtojë mbi vendin tonë”, ka thënë Tahirsylaj.

Ai megjithatë thotë se janë duke përcjellë situatën me vëmendje dhe se posedojnë aparaturën moderne për ndotjen e mjedisit dhe se qytetaret për çdo gjë do të informohen me kohë.

“Në qoftë se ato vijnë do të ketë pasoja në sasinë e radioaktivitetit që do të pranojë toka, kulturat bujqësore, sipas rastit të Çernobilit dhe burimet tjera radioaktive kulturat bujqësore janë shumë të bujshme kur ka sasi të madhe të radioaktivitetit, mirëpo monitorimi është i plotë dhe në bazë të monitorimit qytetarët do të informohen edhe për shkallën e ndotjes”, ka thënë ai.

Derisa Tahirsylaj thotë se Kosova nuk është jashtë rrezikut, Serbia tashmë është prekur nga radioaktiviteti. Grimcat e detektuara radioaktive në Serbi sipas të informacioneve të Agjencisë për mbrojtje nga rrezatimi jonizues dhe siguri nukleare i Serbisë janë nën nivelin e rrezikut për jetën e njerëzve.

Në mostrat e ujit të detit të marrë te centrali atomik Fukushima, sasia e radioaktivitetit të jodit është 1.250 herë më e lartë se sa masa e lejuar.

Në centralin Fukushima, pas tërmetit të 11 marsit, në prishje është sistemi për ftohje në katër prej gjithsej gjashtë reaktorëve, gjë e cila ka sjellë deri te lirimi i substancave radioaktive në mjedis.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›