Intervista, Deputeti i PD-së: Rrotacion në Qeveri, duhen fytyra të reja

Deputeti i PD, Sherefedin Shehu
Intervista/ Sherefedin Shehu flet dhe për zgjedhjen e Kreut të Shtetit: Jo produkt i pazareve e emrave të dalë deri tani.
Shehu: Duhen fytyra të reja për mandatin e tretë.
Presidenti i ri, jo produkt i pazareve. Do zgjidhet një nga emrat që sështë përfolur
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, flet për përfshirjen në kabinet të fytyrave të reja, të cilat do të kërkojnë pas një viti në elektorat mandatin e tretë. Në një intervistë për gazetën Panorama, ai thotë se bërja e ndryshimeve është në dorë të Kryeministrit Berisha, por shton se sistemi demokratik bazohet në principin e rotacionit.
I pyetur për debatin politik të ditës mbi zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Shehu thotë se Presidenti i ri do të jetë një nga emrat që nuk janë përfolur deri tani. Unë mendoj që kandidatura do të jetë nga ata emra që nuk janë përfolur deri tani, shprehet ish zv.ministri i Financave, tani deputet i qarkut të Dibrës.
Zoti Shehu, pak ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar se në qeverisje vihen re shenja lodhjeje dhe ka njëfarë kënaqësie. Ndani dhe ju të njëjtin mendim me të?
Unë nuk do ta lidhja vetëm me deklaratat, por ndoshta kjo përshtypje krijohet natyrshëm nga jetëgjatësia. Performanca e ministrave duhet parë edhe me performancën ekonomike dhe fiskale, pasi punët e tyre realizohen me para dhe ndoshta kjo krijon përshtypjen e varësisë apo ngadalësisë. Ministrat vlerësohet edhe për reformat që bëjnë, dhe ndoshta ky është momenti i reflektimit për qeverinë, sepse reformat janë vetëm në duart e ministrave dhe të administratës së tyre. Unë besoj që ministrat gjykohen në tërësinë e tyre, në gjithë periudhën që kanë shërbyer dhe lëvizjet e tyre duhen parë të lidhura me momente të caktuara.
Ka një mendim të ngjashëm me atë të qeverisjes së PS-së deri në vitin 2005, sa i përket sindromës së mandatit të dytë. A është i prekur edhe ky kabinet qeveritar nga kjo sëmundje? A duket si e lehtë fitorja në 2013-n?
Unë nuk shikoj marrje lehtë të gjërave, sepse Kryeministri nuk i lë që ti marrin lehtë, dhe kemi një Kryeministër krejt tjetër. Mund të jetë më tepër ambientimi ose familjarizimi me institucionin, me njerëzit që krijojnë këtë përshtypje. Dhe po ta shikojmë me një këndvështrim tjetër, ne kemi probleme në ligjin e shërbimit civil, i cili nuk parashikon dy standarde që janë shumë të zbatueshme në vendet e zhvilluara: standardi i lëvizshmërisë së nëpunësve brenda administratës dhe parimi tjetër shumë i rëndësishëm, i rotacionit. Duhet të ketë rotacion edhe në nivel të nëpunësve. Njerëzit nuk mund të rrinë për një kohë të pacaktuar në një karrige. Ose duhet të bëjnë karrierë duke u ngjitur lart, ose duhet të lëvizin të paktën në pozicione paralele. Këto parime ne nuk i kemi as në ligj, as në praktikë. Në institucionet tona ka nëpunës prej 20 vjetësh. Ky është moment për tu konsideruar, por për ta konstatuar është gjëja më e kollajtë, për ta realizuar është gjëja më e vështirë. Janë edhe disa standarde të shkruara në ligje që nuk respektohen. Nuk duhet parë vetëm ministri si individ, por duhet parë institucioni në tërësi. Sado i përkushtuar të jetë ministri, mekanizmi nuk lëviz me aq shpejtësi sa do të dëshironim.
Kreu i LSI, Ilir Meta, ka folur për një ritëm tjetër të punëve të qeverisë në këtë fundmandati. Jeni dhe ju i të njëjtit mendim?
Jo vetëm në fund të mandatit, por mbajtja e ritmit tregon freskinë e qeverisë dhe njëkohësisht tregon edhe aftësinë e saj. Rënia e ritmit mund të na çojë te sëmundja që ju përmendët sindroma e mandatit të dytë, por në rastin e kësaj qeverie unë kam një opinion që shkon në linjë me këtë ide që përmendët ju, që ka të bëjë me mbajtjen e ritmit. Mosmbajtja e ritmit do të ishte zhgënjim për qytetarët, sepse për hir të së vërtetës qytetarët kanë parë një qeveri që ka realizuar projekte të cilat nga një pjesë e mirë e shqiptarëve shikoheshin si ëndrra. Këtu dua të përmend rrugët rurale, modernizmin e infrastrukturës, performancën shumë të mirë fiskale me barrë të ulur tatimore, të cilat duket si retorikë, por janë rezultatet më të prekshme dhe që duhet të përdoren si matës për të bërë vlerësimin e punës së qeverisë. Rënia e ritmit është fenomeni më negativ, sepse jo vetëm do zhgënjejë qytetarët, por do të jetë mosmirënjohje e votës së tyre. Kjo do të ishte shenja tipike e vetëkënaqësisë dhe e harresës së asaj që ke lënë mbrapa.
A është ky kabineti i duhur për të kërkuar një mandat të tretë qeverisës, apo në këtë vit të fundit ka ende kohë për të bërë disa ndryshime për performancën dhe për të dërguar në zona njerëz të papërfolur dhe të pakonsumuar?
Unë nuk gjykoj nga përfolja, sepse në Shqipëri përfolja është një fenomen i zakonshëm dhe është fatkeqësi që kjo përfolje nuk është në kafene, por është publike, në media dhe institucione. Në këtë kuptim, do të thosha që ky kabinet duhet vlerësuar për atë që ka bërë. Kur vijmë në gjykimin e kabinetit, ky gjykim në radhë të parë i takon dhe bëhet nga Kryeministri, sepse edhe qytetarët gjykojnë Kryeministrin. Sa u takon ministrave, siç thamë për administratën, ashtu si dhe sistemi demokratik, bazohet në principin e rotacionit. Nisur edhe nga fakti që PD-ja e koalicioni i saj kanë potenciale, do të ishte krejt e natyrshme të kishte edhe fytyra të reja.
Pak javë më parë, nga Grupi Parlamentar i PD-së u shkëput Gazmend Oketa, ku bëri edhe një akuzë shumë të rëndë teksa tha se mbledhjet e Grupit janë njësoj si mbledhjet e Byrosë. A është e vërtetë që në mbledhje flet vetëm Kryeministri dhe ajo mbyllet?
Drejtpërdrejtë nuk janë si mbledhjet e Byrosë, por në mënyrë të natyrshme aty flet Kryeministri, sepse ai na mbledh ne. Krahasimi me mbledhjet e Byrosë nuk është me vend, pasi deri tani edhe qytetarët kanë parë që nuk ka pasur ndonjë të dënuar për fjalën e lirë, ose pse ka folur në mbledhjet e Grupit. Në këto mbledhje gjithmonë ka pasur hapësirë për të diskutuar probleme që kanë të bëjnë qoftë me qeverisjen, qoftë edhe çështje të deputetëve në zonat e tyre elektorale dhe herë pas here, sipas interesave të secilit deputet, janë bërë diskutime dhe debate. Për deputetët nuk mund të thuhet se këto forume i përkasin Byrosë politike, sepse ato janë të hapura. Vizioni i tyre, nëse ndjehet se është ndrydhur dhe nuk është shprehur në forumet politike, mund të shprehet në media. Së dyti, deputetët kanë një foltore në Kuvend, ku qytetarët vazhdimisht mund të shohin nëse këta flasin apo jo, dhe kur flasin, nëse flasin mirë apo jo. Besoj se ky është një pretekst. Edhe po të jetë i vërtetë ky fenomen, nuk përbën shkak të arsyeshëm për largimin nga forca politike.
Si e cilësoni ju largimin e Oketës?
Në forcat politike debatohet ekzistenca e rrymave. Në disa raste ka pasur edhe diskutim për formalizimin e rrymave brenda një force politike, që do të thotë se nuk mund të jenë të gjithë në një mendje. Natyrisht që ka lobime dhe kur nuk e gjen veten të mbështetur, kjo nuk përbën arsye për të lënë partinë, sepse ti nuk ke ndryshuar filozofinë tënde politike, por ke ndryshuar objektivat e tua politike. Objektivi është krejt i natyrshëm kur je në politikë, është marrja e një posti, siç është deputeti dhe më lart pastaj është bërja pjesë në qeveri. Besoj që janë këto të fundit që e kanë tërhequr më shumë zotin Oketa, pra ambiciet e veta personale, sesa shkaqet brenda PD-së.
I trembeni faktit se partia e re e Bamir Topit mund të tërheqë deputetë të tjerë