Kontroll barnave të importit, shiten më shtrenjtë se vendet e rajonit
Ministria e Shëndetësisë pranon se një pjesë e barnave në vend shiten me çmime të kripura krahasuar me rajonin. Pas vendimit të qeverisë për të vendosur çmime reference për medikamentet të cilat të jenë në të njëjtat nivele si vendet përreth, është ngritur një komision i posaçëm. Ai do të vlerësojë të gjitha barnat që hyjnë në treg, duke bërë krahasimet e çmimeve të tyre. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në MSH, Pëllumb Pipero, kjo masë do ti japë zgjidhje situatës së krijuar. Grosistët ende e shohin Shqipërinë si një treg të vogël, ndaj dhe mund të ofrojnë çmime më të kripura. Kjo mendësi duhet të ndryshojë. Detyrimi i komisionit që ne kemi ngritur, është të verifikojë çmimet e të mos lejojë abuzimin me to. Duke qenë një treg i vogël, kompanitë farmaceutike, kryesisht tek ne, operojnë me çmime më të larta se në rajon. Dhe, meqenëse Shqipëria është pjesë e një komiteti më të gjerë dhe hyn tek ai që quhet treg global, nuk ka arsye që të konsiderohemi treg i vogël po brenda rajonit, pasi jemi pjesë e rajonit. Kjo do të mundësojë çmime të përafërta, pse jo më të ulëta se të rajonit, thotë Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave në MSH. Sipas vendimit të pak kohëve me parë të qeverisë, çmimet e barnave të importit do të përcaktohen mbi bazën e çmimeve të shteteve referente dhe ato janë çmimet e Italisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Kur mungon informacioni për to nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit.