Spahiu: PD e PS të plotësojnë katër kushtet për zgjedhjet

Kreshnik Spahiu
Aleanca Kuq e Zi, akuzë dy partive të mëdha për reformën zgjedhore.
Aleanca Kuq e Zi ka nisur punën në qytetin e Durrësit për të përzgjedhur delegatët, që do të marrin pjesë në Kuvendin kombëtar. Pas zgjedhjes se koordinatorëve në çdo lagje, tashmë kjo lëvizje në qytetin bregdetar i ka hapur rrugë procesit për zgjedhjen e delegatëve. Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, në turin e tij të dytë të zhvilluar në Durrës me simpatizantët e kësaj lëvizjeje ka akuzuar dy partitë kryesore në vend se po bëjnë pakte të fshehta për të vjedhur votat e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke folur në emër të të gjithë shqiptarëve, Spahiu propozoi katër pika udhëzuese për dy liderët kryesorë të PD dhe PS: 1-Ndryshimi i ligjit zgjedhor, numërimi i votës, proporcional kombëtar 2- të njihet vota e shqiptarëve 3- numërim elektronik, nuk mund të lejojmë që votat të numërohen nga burimet njerëzore. 4- hapësirë mediatike. Më tej, kreu i AK ka pohuar se nëse Partia Demokratike dhe ajo Socialiste i plotësojnë këto kushte dhe AK nuk del fitimtare pas realizimit të këtyre kushteve, atëherë Spahiu është zotuar se do të tërhiqet nga politika. Nëse partitë e mëdha vazhdojnë me të njëjtën metodë politike, atëherë Aleanca Kuq e Zi do të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve në 2013-n, madje mund ti bojkotojmë ato, u shpreh Kreshnik Spahiu. Gjatë këtij takimi janë caktuar dhe 500 delegatët e kësaj partie, që do të marrin pjesë në Kuvendin kombëtar, që pritet të mbahet në muajin maj të këtij viti. Takimi i Durrësit është përshëndetur edhe nga kolonel Myslim Pashaj, i cili e ka quajtur Aleancën Kuq e Zi një erë të re në politikën shqiptare, ndërsa ka shtuar se është një turp komunikimi i dy liderëve kryesorë të politikës me ciu-ciu e ham-ham. Ky është tubimi i dytë brenda pak kohësh që Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar takim me simpatizantët e saj në Durrës.
Erjon Braçe
Kreshnik Spahiu ende nuk ka kërkuar ndjesë për zgjedhjet kriminale të majit 1996! PS nuk ka asnjë marrëveshje deri tani me Berishën për Kodin Zgjedhor! Sali Berisha ka bllokuar çdo gjë! PS ka kërkuar me forcë: regjistër elektronik zgjedhësish, verifikim të identitetit të çdo zgjedhësi, numërim elektronik të votave, KQZ tjetër, sistem të ri zgjedhor! Sali Berisha refuzon! Ne nuk tërhiqemi!, i përgjigjet Braçe Spahiut në Facebook.