Intervista/ Flet kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia
Arritjet historike dhe reformat e qeverisë, pikat e forta për një mandat ët dytë qeverisë”
Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, në një intervistë për Gazetën “55” shprehet i sigurt në fitoren e koalicionit të djathtë “Aleanca për ndryshim” në zgjedhjet e 28 qershorit. Këtë qëndrim Spahia e argumenton me ndryshimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka pësuar 4 vitet e fundit.
Kreu legalist sjellë në vëmendje momentet historike që shqiptarët kanë përjetuar, siç ishte anëtarësimi i vendit në NATO, dhe pavarësia e Kosovës, për të cilën, sipas tij, lobimi i qeverisë shqiptare ka qenë mjaft i rëndësishëm.
Duke u ndalur në reformat e brendshme të qeverisë, Spahia kujton detyrimet e përmbushura nga qeveria, si ngritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në shumë sektorë parësorë, si dhe veprën e shekullit, rrugën Durrës-Kukës-Morinë, një investim gjigant i qeverisë shqiptare. Duke u ndalur në një çështje mjaft të përfolur nga politika shqiptare, atë të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, si dhe rolin që opozita po luan në këtë proces, Spahia gjykon se opozita po bëhet qesharake me letrat e saj të njëpasnjëshme, drejtuar Ministrisë së brendshme, pasi sipas tij procesi po ecën me ritme të larta. I pyetur mbi strategjinë që e djathta do të ndjekë për të dalë fituese më 28 qershor, Spahia shprehet se besimi që elektorati ka tek PD dhe aleatët e saj është siguria më e madhe që e djathta ka për fitore në zgjedhjet e qershorit.
Cilat janë pikat më të forta të koalicionit “Aleanca për ndryshim” në zgjedhjet e 28 qershorit?
Pikat më të forta të koalicionit “Aleanca e ndryshimit” janë pikërisht rezultatet dhe bilanci i 4 viteve të qeverisjes së kësaj mazhorance nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, dhe ky bilanc është pozitiv në të gjithë treguesit. Gjatë këtij mandate 4-vjeçar janë përmbushur të gjitha premtimet që zoti Berisha ka pohuar gjatë zgjedhjeve të 2005-ës. Realisht fushata elektorale për ne ka qenë 4 vjet, dhe tani pas 4 vjetëve ne dalim krejtësisht kryelartë përballë elektoratit sepse janë mbajtur të gjitha premtimet. Arma më e fortë e koalicionit të djathtë në këto zgjedhje janë proceset integruese që kanë ecur më mirë se asnjë herë tjetër, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për kombin shqiptar. Si rezultat i plotësimit të standardeve dhe reformave, duke zbatuar në këtë mënyrë dhe rekomandimit e Bashkimit Evropian sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, është vend kandidat për në BE. Një ndër arritjet e jashtëzakonshme ku qeveria shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm është dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2007. Në vazhdën e sukseseve të qeverisë nuk mund të lë pa përmendur dhe rritjen e pagave për të gjithë buxhetorët, duke ditur që janë përgjysmuar taksat. Si bilanc pozitiv të qeverisjes së djathtë janë dhe investimet në të gjithë sektorët e jetës së shqiptarëve, që arrijnë kulmin e tyre me investimin më të madh në historinë e Shqipërisë, siç është rruga Durrës-Kukës-Morinë, ku së fundmi u inauguruar nga Kryeministri Berisha dhe hapja e tunelit, çka shënon dhe bashkimin e kombit shqiptar nëpërmjet kësaj rruge gjigante.
Cilat janë objektivat e Partisë Lëvizja e Legalitetit në këto zgjedhje?
PLL përveçse historisë dhe vlerave kombëtare që ajo mbart, paraqitet përpara zgjedhësve me platformën dhe programin e saj elektoral që do të shërbejë për pasurimin e së djathtës me vlerat tona konservatore dhe tradicionale që janë përshtatur me kushtet aktuale të vendit. Ndër prioritet tona mbetet çështja kombëtare, zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronave, dëmshpërblimi dhe integrimi i të përndjekurve politik, duke mos lënë mënjëanë dhe problemet e tjera që shqetësojnë shoqërinë dhe shtetin shqiptar.
A ka ndonjë strategji të veçantë PD dhe koalicioni i udhëhequr prej saj, për të dalë fitues në zgjedhjet e 28 qershorit?
Mendoj se strategjia që do të bëjë të mundur fitoren e së djathtës më 28 qershor do të jetë vetë bindja që elektorati ka për punën e madhe që është bërë duke nisur nga viti 2005 kur PD mori qeverisjen e deri sot më 2009-ën, ku vihet re një ndryshim i madh që Shqipëria ka pësuar. Ky ndryshim nuk ka ardhur në mënyrë spontane, por është vullneti politik i kësaj mazhorance dhe kreut të qeverisë Berisha për të bërë gjithçka që është e mundur në raport me mundësitë që ka vendi ynë. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, që është dhe ëndrra e të gjithë shqiptarëve, do të bëjë të mundur gjithashtu fitoren e së djathtës, pasi vetë qytetarët do t`ia besojnë qeverisë Berisha këtë aspiratë të madhe, duke qenë se kanë marrë prova të mjaftueshme, duke kujtuar këtu anëtarësimin e vendit në NATO. Ne kemi besim të plotë se elektorati shqiptar do të bëjë vlerësimin e kësaj qeverie dhe nuk ka alternativë tjetër më të mirë, pasi e majta identifikohet me vitet 1945-1990, periudhë në të cilën vendi ka qenë i izoluar, si dhe ushtroi gjatë kësaj kohe një diktaturë që nuk mund të krahasohet as me atë të vendeve të tjera ish komuniste. Duke kujtuar qeverisjen e tyre në vitet 1997-2005, e majta e damkosi Shqipërinë si vendin më të korruptuar në botë, ku ushtroheshin trafiqe të të gjitha llojeve. Mendoj se në këtë pikë shqiptarët janë në gjendje të vlerësojnë qeverisjen me të mirë që kanë pasur ndër këto 18 vite demokraci.
Një pjesë e opozitës është gati të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve, duke nxjerrë si pretekst pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Cili është komenti juaj mbi këtë?
Pas sukseseve të njëpasnjëshme në politikën e jashtme, sidomos në proceset integruese të vendit, dhe reformat ekonomike të vendit, ne më datë 28 qershor presim edhe një sukses tjetër të madh, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Thënë këtë kam parasysh procesin normal të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, proces i cili sikurse dhe të gjithë shqiptarët janë informuar, po ecën me ritme të shpejta dhe është drejt përfundimit. Letrat që opozita ka dërguar në mënyrë të njëpasnjëshme në drejtim të Ministrisë së Brendshme, lidhur me ecurinë e këtij procesi kanë marrë përgjigje nga funksionarët më të lartë të kësaj ministrie. Listat zgjedhore të zgjedhësve tashmë janë publikuar në data-base-n e Ministrisë së Brendshme. Me letrat e dërguara së fundmi opozita po bëhet qesharake, duke humbur në këtë mënyrë dhe seriozitetin e saj. Veç kësaj opozita ka bashkëpunuar vetë në hartimin e Kodit Zgjedhor, ku në të është parashikuar qartë që qytetarët do të hynë në zgjedhje me letërnjoftimet e reja elektronike, çka nuk i lë vend asaj për tu ankuar. Spekulimet e opozitës, janë një lloj përgatitje që ata po bëjnë përballë opinionit për të justifikuar humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit.
Krahas koalicionit të PD-së, e djathta përfaqësohet në këto zgjedhje dhe nga Poli i Lirisë. Cilat janë marrëdhëniet mes dy koalicioneve dhe a do të ketë një bashkëpunim paszgjedhor?
Demokracia i krijon mundësi dhe shanse çdo individi, apo grupimi të caktuar që të marri pjesë në zgjedhje, por unë mendoj se koalicioni “Aleanca e ndryshimit” është në vetvete një koalicion i kompletuar me partitë që janë shquar për vlera dhe kontribute demokratike, por edhe për qeverisje të suksesshme. Mendoj që ky koalicion është i kompletuar dhe është një koalicion vlerash që do të çojë në fitore të djathtën, dhe nuk ka subjekt tjetër që të mund të marrë vota nga qendra në të djathtë. Thënë këtë, askujt nuk i hiqet e drejta që të konkurrojë sipas mënyrës dhe strategjisë së vet në zgjedhje, por është elektorati ai që përcakton partinë që do të qeverisë vendin dhe për një tjetër 4 vjeçar. Ka shumë parti që do të garojnë në zgjedhje, rreth 80 të tilla janë regjistruar në Gjykatë, por fakti është se nuk kanë të njëjtën mbështetje nga elektorati , pasi nuk kanë alternative të besueshme në programet e tyre elektorale.
Cilat do jenë objektivat parësore të koalicionit të djathtë gjatë mandatit të dytë qeverisës?
Dua të sqaroj këtu diçka, që ne në këto zgjedhje nuk po kërkojmë votat për ato që kemi bërë gjatë viteve 2005-2009, por kërkojmë votat për ato që do bëjmë ende për shqiptarët në mandatin e dytë qeverisës. Premtimi ynë është se mirëqenia e shqiptarëve do të rritet edhe më shumë, duke e çuar standardin e jetesës në nivelin e popujve të tjerë të Evropës. Ekonomia do të rritet edhe më tej, si dhe do të vijojmë me reformat të cilat kanë marrë udhë, por që për t`i çuar deri në fund është i nevojshëm dhe një 4 vjeçar tjetër. Kur ne premtojmë se vitin e parë të mandatit tonë qeverisës shqiptarët do të lëvizin pa viza drejt hapësirës “Shengen”, kemi parasysh përmbushjen e të gjitha kritereve që i duhen një vendi për të qenë i barabartë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian
...