Uashingtoni dhe Strasburgu: Shtyrja e zgjedhjeve, në dëm të Shqipërisë

Kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të KE-së Corien Jonker i ka kërkuar dje opozitës së Edvinit që të inkurajojë qytetarët për pajisjen me karta identiteti, pasi sjellja e deritanishme ishte thjesht për interesa politike, por alternativa e shtyrjes së zgjedhjeve do dëmtonte imazhin e vendit dhe nuk ishte në interes të askujt.
Ambasadori Uithers: Shtyrja e zgjedhjeve, krejt hipotetike. Njerëzit duhen inkurajuar të marrin kartat e identitetit
Kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ngarkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Corien Jonker deklaroi të premten për mediat se "opozita të mos bëjë lojë politike për kartat e identitetit, por të inkurajojë njerëzit të pajisen me to".
Pas një takimi pasditen e sotme me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, delegacioni i Këshillit të Evropës, gjatë një deklarimi për mediat bëri disa vlerësime për situatën parazgjedhore në Shqipëri, ku u ndal veçanërisht tek çështja e debatuar e kartave të identitetit, që do të përdoren në zgjedhjet e qershorit.
Parlamentarja evropiane tha se "qeveria ka përgjegjësinë kryesore në pajisjen e qytetarëve me karta, por ne shpresojmë që dhe partitë politike, sidomos ato të opozitës të mos bëjnë thjesht një lojë politike, por të jenë edhe ato pozitive në gjithë këtë proces, duke inkurajuar njerëzit të marrin kartat, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë demokratik".
Në këtë drejtim vërejti Jonker qeveria duhet të jetë shumë transparente për të gjitha informacionet që kërkohen.
"Qeveria ka përgjegjësinë që çdo person që do të votojë të ketë mundësinë të aplikojë dhe të marrë kartën e identitetit. E vërteta është se jo të gjithë personat që nuk kanë pasaportë kanë pasur mundësinë të aplikojnë dhe po ashtu, edhe ata që kanë pasur mundësinë të aplikojnë, nuk do të thotë që e kanë tashmë kartën e identitetit", tha parlamentarja evropiane.
Sipas Jonker, tashmë që kanë mbetur vetëm tre javë deri në ditën e zgjedhjeve përgjegjësia e qeverisë është shumë e madhe që gjithë personat që duan të votojnë, të kenë kartë.
E pyetur për idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, kryesuesja e delegacionit të KE-së tha se "kjo mundësi është hedhur nga disa aktorë, por ajo nuk është absolutisht në interes të Shqipërisë dhe nuk do të ndihmonte në funksionimin e sistemit, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për funksionimin e mirë të tij".
Vizita e sotme e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, do të pasohet me një mision tjetër monitorimi në Shqipëri, në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor.
...