Intervista/ Nuk do të ketë zhvillim ekonomik në Kosovë pa pasur sundim të ligjit
Për tërheqjen e investimeve të jashtme duhet garantuar sundimin e ligjit, qartësinë politike dhe sigurimin e investimeve, pasi që ka ende paqartësi se çfarë do të ndodhë nëse destabilizohet veriu i Kosovës, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, drejtoresha e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Mimoza Kusari-Lila.
Zonja Kusari-Lila, si e shihni zhvillimin ekonomik të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe a ka përparime?
Nuk kam vërejtur përparim në aspektin e përgjithshëm substancial. Ka lëvizje pozitive pasi që ka interesim për investime nga kompani të ndryshme, por ende nuk kemi vërejtur vendime për investime të mëdha. Duhet ditur si të nxisim interesimin që do të kurorëzohej me sukses për ekonominë e Kosovës. Sfidë ekzistuese për institucionet vendore mbetet funksionalizimi i pavarësisë dhe operimi më efikas për kërkesat e ekonomisë së hapur të tregut. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i janë hapur shumë mundësi të reja, ndonëse ballafaqohet me sfida të reja.
Me cilat sfida do të ballafaqohet Kosova në të ardhmen për të pasur një zhvillim më të mirë ekonomik?
Nuk do të ketë zhvillim ekonomik pa pasur sundim të ligjit dhe ambient të sigurt. Sundimi i ligjit dhe implementimi i legjislacionit të aprovuar më herët, mbetet akoma problem shumë i madh. Stabilizimi i gjendjes së sigurisë dhe funksionaliteti i institucioneve kosovare në veri do të ndikojë shumë jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik. Gjithashtu, reformimi i administratës civile dhe rritja e efikasitetit të kësaj administrate janë të domosdoshme. Të gjitha këto duhet të zbatohen nga njerëzit, andaj investimi në edukim duhet paralelisht të përcjellë të gjitha reformat tjera, qofshin ato në administratë apo infrastrukturë.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka bërë disa ndryshime në politikat e saja për pasur një zhvillim ekonomik më të mirë. A mendoni që ende duhet të bëhen ndryshime të tilla dhe çka duhet ndryshuar ende?
Domosdo duhet ndryshuar qasjen nga ajo administrativo/burokratike, në qasje në funksion të ekonomisë së hapur të tregut.
Keni kritikuar procesin e privatizimit, duke thënë se ky proces po shndërrohet në një konflikt ekonomik dhe politik mes bashkësisë ndërkombëtare dhe vendore. Në çka bazoheni ju?
Atë që e kemi deklaruar është bazuar në mos transferimin e duhur të kompetencave nga AKM-ja në AKP, dhe vonesat e panevojshme që janë bërë në procesin e privatizimit. AKM-ja është mbështetur dhe ka qenë nën ombrellën e Shtyllës IV të UNMIK-ut, ndërsa UNMIK-u si strukturë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Transformimi i AKM-së në AKP ka ardhur si rezultat i rekomandimit nga plani i Ahtisarit, andaj edhe ne kur e kemi vlerësuar si konflikt politik, kemi marrë për bazë mos njohjen e pavarësisë së Kosovës nga administrata e Kombeve te Bashkuara, çfarë ka bërë që mos të ketë transferim të duhur të kompetencave dhe që ka krijuar probleme për vazhdimësinë e procesit.
Si e vlerësoni faktin që mjetet e mbledhura nga procesi i privatizimit nuk gjenden në Kosovë?
Mjetet materiale të mbledhura janë mbi 360 milionë, ndërsa 70 milionë janë nga 20 përqindëshi i punëtorëve që nuk janë shpërndarë ende. Kemi deklaruar shumë herë, se bllokimi i mjeteve nga kapitali qarkullues paraqet vështirësi për ekonominë e Kosovës.
Është përfolur shumë që pas shpalljes së pavarësisë do të ketë investime të shumta, ndërsa kjo është duke u vërejtur shumë pak. Pse po ndodh kjo?
Për tërheqjen e investimeve të jashtme duhet garantuar sundimin e ligjit, qartësinë politike dhe sigurimin e investimeve, pasi që ka ende paqartësi se çfarë do të ndodhë nëse destabilizohet veriu i Kosovës, por do të na rëndojë akoma edhe situata e raporteve të pa stabilizuara me Serbinë. Në shkëmbimet tregtare ky është problem, të cilin do të mundohen ta evitojnë kompanitë e huaja, duke mos ardhur në Kosovë, apo duke e mbuluar Kosovën nga vendet e tjera të rajonit.
Kosova ka aplikuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pritet të jepet vlerësimi se a do të pranohet apo jo. A mendoni ju që do të anëtarësohet Kosova dhe çka i sjell ky anëtarësim Kosovës?
Unë besoj se Kosova do të anëtarësohet dhe ajo do të ketë përparësitë e veta nga ky anëtarësim. Nga më të rëndësishmet janë monitorimi fiskal dhe stabiliteti ekonomik, qasja në kredi me interes relativisht të ulët dhe afatgjatë, shfrytëzimi i resurseve dhe kontaktet me vendet tjera anëtare të FMN-së do të rrisin përparësitë e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.
Mendoni që do të ketë investime në Kosovë kur dihet që nuk janë plotësuar kushtet për të investuar, ndonëse MEF ka paraparë disa lehtësime për investitorët?
Shpresoj se situata do të përmirësohet dhe investitorët do të vijnë. Neve na mbetet edhe shumë punë për të bërë në përmbushjen e detyrave për një shtet funksional. E gjithë kjo duhet të bëhet më mirë se sa në vendet e rajonit, pasi që në tërheqjen e investimeve ne jemi gjithmonë në konkurrencë me ato vende.
A i nevojitet Kosovës ndërtimi i një termocentrali të ri?
Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike, por edhe forcimi i kapaciteteve ekzistuese, rrjetit aktual dhe distribucionit. Paralel me krijimin e kapaciteteve të reja duhet menduar për mbajtjen e kapaciteteve ekzistuese.
Do të ishte më mirë hulumtimi i disa burimeve të tjera për prodhimin e energjisë dhe jo vetëm ndërtimi i termocentraleve?
Me normat evropiane, bashkë me kapacitetet termo-energjetike duhet të krijohen edhe ato të ripërtërishme. Domethënë, njëra nuk e përjashton tjetrën, por ato janë komplementare.
...