E Diel, 1 Nëntor 2026

Sharlatanizmi politik dhe shterpësia opozitare

Këto ditë atmosfera e zgjedhjeve në SHBA duket sikur e ka zbehur disi luftën politike e vëmendjen mediatike ndaj ngjarjeve më të rëndësishme politike në vend, por gjithsesi, ato na shfaqen e transmetohen me temp e ngjyra të ndryshme, falë edhe orientimit politik të mediave të varura e të “pavarura” në vend.
Po ç’na bëjnë të mendojmë lëvizjet më të fundit në politikën shqiptare? - Sharlatanizmi politik duket se po i zë vendin logjikës së ftohtë e racionalizmit e kjo vihet re tek reagimet e lëvizjet pa fre të opozitës, e cila në fund të fundit po dëshmon se vuan në një dimension të ri tashmë shterpësinë e mendimit dhe të ideve.
Kështu ndërsa zgjedhjet në Amerikë i kanë hedhur sado pak ujë “ndezjes” që i bënë kohët e fundit situatës në vend pseudoskandalet e sajuara në kuzhinat edramiste, gafat politike në kampin e majtë janë evidente. Humbja e orientimit, e durimit dhe e vëmendjes ndaj ngjarjeve madhore kryesore për vendin dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve në raporte e takime të shumta në vend e jashtë tij, duket se përbën atë që qartazi po shfaqet prej kohësh - në rastin më të mirë - si një rizgjim i “politikës së vjetër” në kampin e majtë.
Kështu mosreagimi e akoma më keq urdhërimi i një demonstrate qesharake dhe ofenduese ndaj vizitës së Ministrit të Jashtëm italian, Frattini, zbuloi fare hapur sharlatanizmin që fshihet në taktikat nihiliste e dashakeqe të “politikës së re”. Ofenduese jo vetëm për përfaqësuesin e vendit mik nga përtej detit, por sigurisht edhe për vetë shqiptarët, të cilët në kësi rastesh dinë se si të të nderojnë e të të respektojnë. Por kjo nuk përbën objektin e këtij shkrimi.
Duke marrë shkas nga pretendimet që dëgjova në emisionin “Opinion” të disa ditëve më parë, se Partia Socialiste u ndëshkua me votë për paudhësitë që kishte bërë gjatë qeverisjes së vet 8-vjeçare, e se entourge-i i Ramës tashmë s’kishte asnjë lidhje me atë që kishte ndodhur me paraardhësit e tyre, kjo të bën jo vetëm të qeshësh, por nëse do i nënshtroheshim një arsyetimi më të ftohtë, është edhe shqeëtsuese. Kjo pasi në politikë vazhdimësia njihet e në këtë sens edhe përgjegjësia për ato që paraardhësit e tu kanë bërë. Kjo sigurisht se mbart me vete jo vetëm humbje, madje në një aspekt tjetër nxjerr në pah vlera të mirëfillta jo vetëm politike nga të cilat mund të nxirren përfitime.
Nëse këta përfaqësues të “politikës së re” do të kishin vendosur të ndërmerrnin “lëvizje politike reformuese”, atëherë të mos zgjidhnin të rreshtoheshin e madje të kryesonin me dhunë një parti që për nga tradita e lidhja është trashëgimtarja direkte e ish-partisë së punës, asaj që varrosi ëndrrat e miliona shqiptarëve e ndërtoi shtetin më totalitar në kontinent, duke ngritur në sistem dhunën e frikën, duke mbjellë ngado skamje e varfëri. Por votat e shumë socialistëve të ndershëm e të thjeshtë, sigurisht se mund të vilen më mirë kështu në funksion të njerëzve që për nga sjelljet e qëllimet s’ kanë aspak të bëjnë me socialdemokracinë e apo të majtën moderne europiane.
Ndër të tjera këta përfaqësues kanë dëshmuar madje se e kanë “reformuar” në një drejtim tjetër këtë parti, duke ia shtuar hipokrizinë e sharlatanzimin që është i destinuar të prodhojë antivlera dhe dështime.
Reformimi si proces njihet tashmë në të dyja krahët e politikës moderne e madje sigurisht se tenton të fusë frymën e ndikimin e tij edhe në sistemet moniste, me rezultate relative.
Por mosnjohja e përgjegjësive të paraardhësve e uzurpimi politik i drejtimit partiak dëshmon jo vetëm revanshizëm donkishotesk, por edhe mungesë alternativash, mosnjohje të realitetit e nihilizëm të theksuar. E ky elementi i fundit haset jo vetëm në mohimin e arritjeve e sukseseve që reflektohen në përpjekjet e dukshme të qeverisë shqiptare në rimëkëmbjen e ekonomisë, në përmirësimin e skajshëm të infrastrukturës, në integrimin euro-atlantik, në standardet e sigurisë, në vizionet largpamëse e tentativën për zgjidhje afatgjata për problemet më shqetësuese në vend, të cilat kanë sjellë pashmangshmërisht përmirësimin e imazhit të vendit e rritjen e dinamikës së zhvillimit.
Nihilizmi identifikohet shpesh në ato sjellje që barazohen me arrogancën, dhe paralelisht me antivlera të tjera që si pasojë sjellin sharlatanizëm ose më shqip: amatorizëm të skajshëm e aventurier.
Mosreagimi ndaj disa evenimenteve të rëndësishme politike që janë konsumuar këto kohët e fundit, duke mos dalë jo vetëm fizikisht por edhe me zëdhënës e zëvendës për të përshëndetur arritjen e disa objektivave madhorë për Shqipërinë e shqiptarët në tërësi, kudo që ndodhen, dëshmon për miopinë politike e kalimin në një stad më fatkeq të sjelljeve hipokrite e shterpësisë opozitare.
Nga ana tjetër, ata që po tentojnë të hyjnë në politikë nga dera e pasme e që prej kohësh janë dëshmuar si një zgjatim krejt i anshëm politik, futen në siklet kur në përballjen më të parë ligjore apo publike me një palë në konflikt, preferojnë të të kujtojnë se s’janë parti politike, por janë të regjistruar në gjykatë me statusin e një shoqate joqeveritare. Por kjo më shumë se sharlatanizëm sjell pasoja shumë më të rënda, duke pasur parasysh se shembulli që ato sjellin e mbjellin në shoqëri, është i dalë mode, aspak i frytshëm e demotivues për shumë të rinj.
E këto janë padyshim kontigjenti që pritet të mbushë radhët e PS-së duke pretenduar se po e pasuron atë, ndërsa i shkel në kallo “të vjetërve”, të cilët edhe në këtë etiketim, duhet të identifikohen sipas preferencave selektive të Ramës e njerëzve të tij. Sharlatanizmi politik sjell pasoja e ato nuk është e vështirë t’i gjesh të konkretizuara. Kërcënimet verbale me sms apo telefonata që përmbajnë në thelb vdekjen, janë paralajmërimi për atë që shqiptarët i pret nesër - pavarësisht nga përkatësia politike - kur të dalin në votime.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›