Deklarata përfundimtare e konferencës islamo-kristiane të Brukselit

“Të krishterët e myslimanët janë të thirrur të punojnë krah për krah, duke bashkëpunuar me shtetin ku bëjnë pjesë, pa iu nënshtruar gjithsesi qeverive. Besojmë se bashkësitë fetare dhe shteti duhet të punojnë sëbashku për të mirën e përbashkët”. Në deklaratën përfundimtare të Konferencës islamo-kristiane, organizuar nga Këshilli i Konferencave ipeshkvnore evropiane dhe Konferenca e Kishave evropiane, 45 përfaqësuesit myslimanë e të krishterë nga 16 vende të Evropës theksuan gatishmërinë e tyre për dialog e bashkëpunim me shtetin, pa hequr dorë nga identiteti i tyre fetar. Vazhdojmë pra, të dashur dëgjues, me paraqitjen e rezultateve të konferencës me temë “Të jesh qytetar në Evropë dhe njeri i fesë. Të krishterë e myslimanë si partnerë aktivë në shoqëritë evropiane”, e cila përfundoi në Bruksel më 23 tetor. Sot, fillojmë me pjesën e parë të deklaratës përfundimtare. Disa vende evropiane kanë Kisha të shtetit, të tjera jo. Gjithsesi, nga këndvështrimi ideologjik, të gjitha vendet mbajnë një qëndrim neutral ndaj fesë. Një sjellje e tillë ka bërë që të gjitha Kishat e fetë të trajtohen barabar, t’u njihen të njëjtat të drejta e detyra morale e të njëjtat përgjegjësi. Por, në disa raste, vihet re një proces, që priret ta mbyllë fenë në sferën private personale. Nganjëherë, kjo sjell mënjanimin e fesë nga sfera publike e si pasojë, edhe eliminimin e çdo lloj manifestimi publik të saj. Konferenca islamo-kristiane e Brukselit vuri në dukje se si shteti, ashtu edhe bashkësitë e krishtera, kanë për detyrë dhe të drejtë të udhëheqin ndjekësit e tyre. Në një shoqëri demokratike, shteti nuk mund t’i detyrojë qytetarët e vet të zgjedhin ndërmjet besnikërisë ndaj vetë shtetit dhe bindjeve personale fetare. Shteti ka të drejtë t’u kërkojë të gjithë qytetarëve të vet një impenjim publik të qartë ndaj demokracisë dhe përgjegjësinë për integrimin e traditave fetare, së cilës u përkasin, në jetën, kulturën dhe traditën e vendit. Prandaj, shteti e bashkësitë fetare duhet të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët. Kjo sjellje - nënvizojnë myslimanët e të krishterët evropianë - është fryt i përkatësisë sonë jo vetëm në bashkësitë tona fetare, por edhe në atë projekt të përbashkët që quhet qytetarësi. Deklarata përfundimtare e konferencës së Brukselit përvijon më pas një sërë impenjimesh: “Si të krishterë e myslimanë, besojmë se e ardhmja e shoqërive evropiane do të varet gjerësisht nga gatishmëria jonë, si qytetarë e si njerëz të fesë, për të ruajtur e vlerësuar themelet kulturore e fetare në Evropë e nga aftësia jonë për të kontribuar në arritjen e këtij qëllimi. Si myslimanë e të krishterë, besojmë në parimin e integrimit, i cili nuk sjell e nuk duhet të sjellë kurrë kërkesën për të hequr dorë nga identiteti ynë fetar. Për shembull, kjo mund të ndodhë nëse ndalohet të veshim ose të mbajmë simbole fetare në vende publike, ose nëse hiqen festat fetare me pretekstin se kremtimi i tyre mund të prekë ndjeshmërinë e besimtarëve të feve të tjera, apo të shkojë kundër parimeve të një shteti laik. Si të krishterë e myslimanë, njohim të drejtën e lirisë së ndërgjegjes, lirisë për të ndërruar fe apo për të jetuar pa besuar në ndonjë fe, të drejtën për të manifestuar ose shprehur publikisht bindjet personale fetare pa u përqeshur, pa u detyruar të heshtim nga paragjykime, stereotipe, apo nga injoranca. Si myslimanë e të krishterë, besojmë se dialog do të thotë si të dëgjosh, ashtu edhe të flasësh, duke thelluar kështu mirëkuptimin e anasjelltë. Prandaj, ripohojmë kërkesën për t’i dëgjuar burrat e gratë në çdo fushë të jetës civile. Dialogu duhet bërë ndërmjet nesh, si myslimanë e të krishterë, por edhe me fetë e tjera të rëndësishme, me traditat humaniste e me mënyrat e tjera të jetesës. Aty ky dialogu kthehet në aksion, gjejmë organizatat jo qeveritare, këshillat konfesionale e organizata të tjera komunitare. Të mësojmë si t’i shërojmë plagët e ndarjes, të hapura në konfliktet e kaluara, me qëllim që të bëhemi ambasadorë të pajtimit.
Në takimin me Jewish Committee, Papa thekson marrëdhëniet e mira dhe respektimin e ndërsjelltë/Ati i Shenjtë Benedikti XVI priti dje në audiencë në Vatikan një delegacion të International Jewish Committee – Komiteti Ndërkombtar Hebraik. Gjatë takimit Benedikti XVI vlerësoi “tridhjetë e më shumë vitet” e “kontakteve të frytshme e të rregullta” ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Gjithashtu Ati i Shenjtë ripohoi perspektivën e deklaratës së Koncilit II Vatikanas “Nostra Aetate” në të cilën dënohen antisemitizmi dhe antijudaizmi si edhe pohoi rrënjët hebraike të krishterimit. Dialogu, nënvizoi Papa Ranciger, kërkon “respektimin e dallimeve” si edhe njohjen e anasjelltë të “identiteve” dhe të “dhantive” të secilit. “Të krishterët janë sot gjithnjë e më tepër të ndërgjegjshëm për trashëgiminë shpirtërore që bashkëndajnë me popullin e Torahit, me popullin e zgjedhur nga Hyji nga mëshira e Tij e pashprehshme, një pronë që kërkon një vlerësim të ndërsjellët, respekt dhe dashuri” tha Ati Shenjtë. “Nga ana tjetër - vuri në dukje Benedikti XVI - “edhe hebrenjtë janë të thirrur për të zbuluar atë çka kanë të përbashkët me ata që besojnë në Tenzonë, në “Hyjin e Izraelit” që na u zbulua nëpërmjet fjalës, që siç thotë psalmisti, është dritë për rrugëtimin tonë dhe na dhuron një jetë të re. “Kjo fjalë - shtoi Papa - na shtyn të japin një dëshmi të përbashkët për mëshirën, të vërtetën dhe dashurinë e Zotit”. Bëhet fjalë për “një shërbim me rëndësi jetësore, i kërcënuar në kohën tonë, - tha Ati i Shenjtë, - nga humbja e vlerave morale dhe shpirtnore që garantojnë dinjitetin njerëzor, solidaritetin, drejtësinë dhe paqen”. “Por një dialog i sinqertë - vijoi Ati i Shenjtë, - kërkon qoftë një hapje qoftë një sens më të saktë të identitetit të secilit, në mënyrë që të pasurohemi reciprokisht nga njëri-tjetri”. Ndërsa rabini David Rozen, kryetar i këtij komitetit në përshëndetjen e vet falënderoi Selinë Shenjtë për impenjimin e saj kundër çdo forme të antisemitizmit. Më pas shprehu gëzimin për sqarimet që i janë dhënë në lidhje me ndryshimin e lutjes për hebrenjtë në Liturgjinë e së Premtes së Madhe. Gjithashtu rabini Rozen përsëriti kërkesën për lejimin e studiuesve që të hyjnë në arkivat e Vatikanit për të shqyrtuar dokumentet e periudhës nazifashiste. Në fund ai shprehu edhe solidaritetin e tij kundër dhunës antikristiane në Indi, Irak dhe në Azinë juglindore. Por në lidhje me kërkesën e përsëritur për hapjen e arkivave vatikanase le të dëgjojmë një shënim të drejtorit të radios sonë Atë Federiko Lombardi: “Përsa i përket kërkesave të përsëritura për hapjen e arkivave vatikanase duhen mbajtur parasysh këto gjëra. Kërkesa është në vetvete e kuptueshme dhe e justifikuar nga pikëpamja e metodologjisë të studimeve historike. Sidoqoftë duhet kuptuar mirë se çfarë nënkupton kjo. Hapja e Arkivit Sekret të Vatikanit për studiuesit ka filluar me Leonin XIII në 1881 dhe ka vazhduar nga pasardhësit e tij. Parimi i ndjekur zakonisht është ai që studiuesve iu hapen dokumentet papni mbas papnie dhe jo në bazë të një periudhe të caktuar kohore (psh 50, 70 apo 90 vjet) siç ndodh me arkivat e tjera, mbasi vetë Arkivi nuk është i strukturuar sipas një skeme thjeshtë kronologjike, por pikërisht simbas “papnive”. Deri tani hapja ka arritur deri tek papnia e Piut XI, pra deri më 1939, hapja e arkivave për studiuesit kërkon një punë të veçantë për përgatitjen dhe dokumentimin që do të thotë: përshkrim i vendndodhjeve të ndryshme (protokolle, fashikuj, dosje), numërim të fletëve, vulosje e çdo flete, lidhje e fashikujve me letrat më të dëmtuara etj. Puna e katalogimit dhe e renditjes është e gjatë e kërkon durim, e personeli i specializuar është i kufizuar. Prandaj kjo gjë kërkon kohë. Fondet e arkivave të papnisë së Piut XII në të cilat po punohet aktualisht u përkasin tre grupeve: 1. arkivat e përfaqësive papnore; 2. arkivat e Sekretarisë së Shtetit; 3. arkivat e Kongregacioneve romake dhe Zyra të tjera. Numri i përgjithshëm i fletëve arrin në 16 milion në mos më tepër. Dosjet që duhen përgatitur janë 15.430 ndërsa fashikujt janë 2500. Prefekti i Arkivit Sekret Imzot Serxho Pagano ka thënë kohët e fundit se me forcat që janë aktualisht bëhet fjalë për një kohë që shkon nga gjashtë deri në shtatë vjet. Pastaj, pasi të jetë kryer puna e renditjes, meqë Arkivi Sekret është Arkivi i Atit të Shenjtë, vendimi përfundimtar për hapjen e arkvit i përket vetë Atit të Shenjtë.
"Dituria e kryqit" dhe "dituria e kësaj bote" në reflektimin e Papës Benedikti XVI/Shën Pali dhe “dituria e Kryqit” në qendër të përshëndetjes, që Papa Benedikti XVI u drejtoi sot studentëve të Universiteteve Papnore të Romës, të cilët kremtuan në Bazilikën e Vatikanit, fillimin e vitit akademik. Pasdite, në orën 17.30, studentët dhe pedagogët morën pjesë në Meshën Shenjte të kryesuar nga kardinali Zenon Groçolevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik. Në përfundim të Meshës, Ati i Shenjtë zbriti në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’u takuar me pjesëmarrësit, për t’u drejtuar atyre përshëndetjen e vet dhe për t’u dhënë Bekimin Apostolik. Duke marrë shkas nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve, Papa Racinger u propozoi studentëve dhe profesorëve të Universiteteve Papnore, një reflektim mbi dy llojet e diturisë në këtë botë: “dituria e Kryqit” dhe “dituria e botës”, që në të vërtetë, për apostullin e popujve, është “marrëzi”: “Kjo kundërvënie ndërmjet dy diturive – tha Papa – nuk duhet kuptuar me ndryshimin ndërmjet teologjisë, nga njëra anë, dhe filozofisë e shkencave, nga ana tjetër. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me dy qëndrime themelore. “Dituria e kësaj bote” është një mënyrë të jetuari e së shikuari të gjërave, pavarësisht nga Zoti e duke ndjekur opinionet mbizotëruese, sipas kritereve të suksesit e të pushtetit. “Dituria hyjnore” do të thotë ta ndjekësh me mend Krishtin - është Krishti që na hap sytë e zemrës për të shkuar në rrugën e së vërtetës e të dashurisë”. Ati i Shenjtë theksoi se për të kuptuar gjërat shpirtërore, që na imponon “dituria e Kryqit”, duhet të jemi të përshpirtshëm, pasi nëse jo, pavarësisht sa “të ditur” bëhemi përmes studimit e arësyetimit të kësaj bote, pa shpirtin kjo dituri mbetet “marrëzi”. Papa Racinger kujtoi më pas, se gjithnjë në Letrën e parë drejtuar Korintasve, Shën Pali kërkon që të krishterët të bëhen “të marrë” për të qenë vërtet të ditur para Zotit. Nuk është një arësyetim kundër diturisë së kësaj bote, shpjegoi Papa: “Pali - duke ndjekur Jezusin - është kundër asaj mendjemadhësie intelektuale, në të cilën njeriu, pavarësisht se di shumë, humb ndjeshmërinë për të vërtetën e gatishmërinë për t’ia hapur zemrën ndikimit hyjnor... Apostulli pra, denoncon helmin e diturisë së rreme, që është krenaria njerëzore. Në fakt, nuk është dituria në vetvete që bën keq, por mendjemadhësia, “mburrja” për atë që kemi arritur - ose që na duket se kemi arritur - të njohim”. Ai që na shpëton nga dituria e rreme e kësaj bote është pa dyshim “mendimi i Krishtit”, tha Benedikti XVI, të cilin e njohim përmes Kishës e në Kishë, duke e lëshuar veten në lumin e traditës së saj të gjallë. Duke i qëndruar besnikë atij Jezusi, që na ofron Shën Maria, Seli e Dijes se Atit, mund të impenjohemi intensivisht në punën intelektuale, të lirë nga tundimi i krenarisë e duke u lavdëruar gjithnjë e vetëm në Zotin. Në përfundim, Papa kërkoi për studentët e pedagogët e universiteteve papnore të Romës mbrojtjen e Shën Marisë, Sede Sapientiae (Seli e Dijes), ikona e së cilës është simbol i botës universitare, dhe atë të Shën Palit Apostull, duke u dhënë të gjithëve Bekimin e tij Apostolik....