Konferencës së Ambasadorëve, në ditën katërt vijoi punimet dje në Shkodër

Pushteti vendor dhe binjakëzimet, rol nxitës në lidhjet e Shqipërisë me vendet e Evropës
Krijimi dhe forcimi i lidhjeve me jashtë, në nivelin edhe të pushtetit vendor, ka qenë objekti që paneli i djeshëm i kushtoi diskutimeve të tij në ditën e katërt të Konferencës së Ambasadorëve, që i vijoi punimet në Shkodër.
Pjesë e prezantimeve të djeshme, ishte ai i zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Poni, i titulluar “Roli dhe veprimtaria e pushtetit vendor në marrëdhëniet me jashtë”, si edhe prezantimi i zëvendësministrit të Jashtëm Anton Gurakuqi i titulluar “Për një strategji më të bashkërenduar për binjakëzimet”, gjatë të cilit theksoi se “Shqipëria, si një demokraci e re në erën e globalizmit, e gjen sot veten përballë sfidave të reja, të cilat kërkojnë si kusht, një njohje më të mirë të botës që na rrethon, jo vetëm nëpërmjet strukturave të qeverisë qendrore”.
“Pushteti vendor luan një rol kryesor për sa i përket nxitjes së krijimit të lidhjeve midis kolektivave vendorë në Shqipëri dhe atyre në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë, duke hedhur në këtë mënyrë themelet e një bashkëjetese të gjatë e të suksesshme”, theksoi më tej zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Gurakuqi, dje në Shkodër.
Sipas tij, ideja e binjakëzimeve lindi si pasojë e zhvillimeve historike, gjeografike dhe institucionale të Evropës dhe shteteve që ndodhen në këtë kontinent.
“Binjakëzimi nuk është gjë tjetër veçse një kontratë morale ndërmjet dy komuniteteve pa kufizime kohore, me fusha të gjithanshme veprimi, e hapur për të gjitha kategoritë e popullsisë dhe me një qëllim të përcaktuar politik”, shpjegoi Gurakuqi.
Ai shtoi se binjakëzimi duhet konsideruar si një kuadër për bashkëpunimin në të gjithat fushat e mundshme, duke sjellë në këtë mënyrë më pranë popullsitë e vendeve të ndryshme që dëshirojnë të ndajnë një të ardhme të përbashkët.
Në panelin e ditës së djeshme pati shkëmbim mendimesh si dhe u bisedua për lidhje konkrete me vendet e tjera, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta të ambasadorëve dhe titullarëve të përfaqësive me kryetarët e bashkive të qyteteve të Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Korçës dhe Sarandës.
Sot, në ditën e saj të fundit, Konferenca e Ambasadorëve do t’i zhvillojë punimet në Tiranë, në Hotel “Tirana” si dhe në mjediset e MPJ. Në panelin e paradites, në orën 11. 00, do të mbajë një fjalë në Konferencë edhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë Karel Schwarzenberg.
...