Intervista e parë e Bale si madrilen

Kushtoi 100 milionë euro (91 + bonuset) dhe është blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit. Garet Bejl është prezantuar dje si futbollisti më i ri i Realit të Madridit, ku ka firmosur për 6 vitet e ardhshme. “Vij për Champions-in e dhjetë”, – ka qenë premtimi i parë i uellsianit.
Keni pasur dyshime për ardhjen te Reali?
Jo, është një ëndërr. Reali ka bërë një sforco të madhe që unë të jem këtu. Kurrë nuk kam menduar të shkoj te Mançester Junajtid, apo ndonjë klub tjetër.
Ndiheni nën presion, duke qenë se u transferuat për një shifër kaq të madhe?
Unë kam ardhur për të dhënë maksimumin tim dhe ta ndihmoj sa të mundem skuadrën, ndaj nuk kam pse të ndihem nën presion.
Është e vërtetë që keni qenë tifoz madrilen që fëmijë?
Gjithmonë e kam ndjekur kampionatin spanjoll dhe më ka pëlqyer shumë Reali. Kam një foto me fanellën madrilene që në moshën 9-vjeçare dhe kam dashur ta realizoj ëndrrën time.
Ishte një largim i dhimbshëm nga Totenhemi?
Ishte diçka mjaft e logjikshme dhe mirëkuptuese nga të dyja palët. Unë doja një aventurë të re dhe në një nivel akoma më të lartë. Dua t’i falënderoj tifozët e Totenhemit për mbështetjen që më kanë dhënë. Kam kaluar gjashtë vite plot emocione të bukura, por edhe vështirësi. Vijas Boas më ka motivuar dhe ndihmuar me të vërtetë shumë.
Si ka qenë raporti juaj me presidentin e klubit anglez, Daniel Levy?
Në radhë të parë më vjen mirë që ai arriti një akord me Realin, pasi kisha biseduar me të dhe i kisha kërkuar që të transferohesha në Madrid. Ai u mundua të bëjë biznes dhe të përfitojë sa më shumë nga shitja ime. Nuk kam pasur kontakte me të.
Keni biseduar me Karlo Ançelotin?
Po, dhe i garantoj se do të jap 100% të forcës sime për të ndihmuar ekipin që të fitojë trofe.
Cila është forma juaj?Jam stërvitur normalisht. Pak kohë më parë kisha disa shqetësime, por sapo të nisë stërvitjen me ekipin tim të ri, do vërehet edhe forma që kam për momentin. Unë dëshiroj të luaj sa më shpejt.
Do luani me Kristiano Ronaldon…
Ai është më i miri në botë. Jam krenar që do luaj përkrah Kristianos. Ekipi është me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe unë jam i bindur që do të jetë sezon shumë i suksesshëm.
Keni biseduar me Florentino Perezin?
Po, më dha zemër, besim dhe mirëseardhjen në skuadër.
Ai pagoi 100 milionë euro për ju…
Ju lutem, kjo nuk është çështja ime. Ka qenë një negociatë mes dy klubesh dhe nuk ishte në dorën time.
Cili do i gjuajë goditjet e dënimit?
Ronaldo është shefi, futbollisti kryesor, dhe unë thjesht dua ta ndihmoj. Do shohim se çfarë do thotë apo do vendosë ai.
Në cilin pozicion pëlqeni të luani?
Ku të dëshirojë trajneri, pasi nuk e kam problem. Sezonin e kaluar kam luajtur pa problem në dy krahët e mesfushës.
Mendoni se do e fitoni Champions-in në Madrid?
Ky ekip mund të fitojë gjithçka. Dua të jem pjesë e skuadrës së Realit që do fitojë për herë të dhjetë Ligën e Kampioneve. Ndaj kam ardhur këtu.
Keni marrë këshilla nga Luka Modriç?
Jemi miq dhe kemi folur disa herë, por nuk ka nevojë për të pyetur për Realin, pasi të gjithë e dinë që është një klub i madh./indeksonline