De Biazi: Dua vendin e dytë pas dy ndeshjeve

Sllovenia dhe më pas Islanda. Dy ndeshje jashtë fushës, dy sfida të vështira, dy kundërshtarë që kërkojnë pikë përballë kuqezinjve, por gjithashtu edhe dy mundësi të cilat duhet të shfrytëzohen. Në rast të një rezultati pozitiv, ëndrra e një kualifikimi në Botërorin e Brazil 2014, do të jetë sigurisht edhe më reale. Kombëtarja shqiptare hyn në këtë mënyrë në javën më të rëndësishme të historisë së saj, pasi përpara janë dy ndeshje të cilat mund të vendosin fatin e këtyre eliminatore për djemtë e De Biazit.
Për trajnerin italian, Xhani De Biazi skuadra i ka që të gjitha mundësitë që të dalë me sukses nga këto dy sfida. Sipas tij edhe në raste të tjera ajo ka qenë nën presion e ia ka dalë që të marrë rezultatet e kërkuara. " E rëndësishme është të arrijmë dy rezultate pozitive, nëse arrijmë dy fitore apo barazime pak rëndësi ka. E rëndësishme është që të lëmë pas kundërshtarët. Unë e kam bërë të qartë se pres që në këto dy ndeshje të jemi në maksimumin tonë. Nuk do të kënaqesha në rast se do të merrnim minimumin e mundshëm nga këto dy përballje. Duhet të dimë se qëllimi për këto dy sfida është që të ruajmë pozicionin që kemi aktualisht në grupin tonë. E kemi kualitetin për të bërë mirë dhe gabimi do të jetë nëse nuk përgatitemi ashtu siç duhet. Megjithatë, skuadra deri tani nuk ma ka dhënë këtë përshtypje. Kemi pasur vazhdimësi në lojë dhe rezultate, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kjo skuadër është rritur në kualitet dhe në vetëbesimin tek forcat e veta".