Intervista/Durim Hushi: Ja projektet e mia për zhvillimin e Elbasanit
Nga resurset që përfitohen nga autostrada e re që e lidh me Tiranën e deri tek ndërtimi i Qytezës së re të studentëve, apo Qytezës së të Rinjve, kandidati i Aleancës për Qytetarin për Elbasanin detajon në një intervistë të posaçme për “55” projektin fitues me të cilin do qeveriset qytetari pas 8 majit
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e Elbasanit. z. Durim Hushi është një njeri që të befason me qetësi, dituri dhe pragmaticitet. Ai na fton të bisedojmë në zyrën e tij elektorale. Përballë pyetjeve të gazetës “55” ai duket shumë i prirur të përgjigjet me saktësi. Ai ka shumë projekte mbi tavolinën e tij të punës. Me entuziazmin galvanizues, ai na tregon ca sondazhe qytetare të ditëve të fundit që miratojnë projektet e tij për Elbasanin. Mbi të gjitha, ndërtimin e kampusit universitar, që z. Hushi preferon ta quajë “Qyteza e të rinjve”. Elbasani zë vend primar. Ai premton 4 mijë vende pune, fundin e masakrës urbane, ndërtimin e një landfilldi modern si dhe zgjidhje ndryshe për fushën e plehrave dhe mbetjeve
Lavdrim Lita
Z.Hushi, cilat janë arsyet që ju shtynë të kandidoni për postin e kryebashkiakut
të Elbasanit?
Kandidatura ime erdhi si propozim i koalicionit qeveritar. Unë e pranova këtë propozim për dy arsye: së pari, sepse Elbasani, ndryshe nga qytete të tjera të Shqipërisë, ndodhet në një moment historik. Mjafton të përmend investimin madhor të Qeverisë për të ndërtuar rrugën e re Elbasan – Tiranë, që do të sjellë efekte të shumta dhe të shumëllojshme për elbasanasit dhe zhvillimin e qytetit. Nuk është hera e parë që bëhem protagonist në momente të tilla të rëndësishme. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e vendimit parimor që mora për zgjedhjen e Presidentit, veprim për të cilin koha më dha të drejtë. Së dyti, që Elbasani të përfitojë maksimalisht nga programi i qeverisë, nevojitet një program bashkiak i orientuar nga vizioni dhe përgjegjshmëria ndaj qytetarit. Unë kam vizionin, përvojën dhe aftësitë menaxhuese, dhe ekipin e duhur për ta realizuar këtë program.
Pse duhet të votojnë elbasanasit emrin tuaj me 8 maj?
Qytetarët e Elbasanit e dinë që unë i mbaj premtimet. E dinë që unë nuk i sakrifikoj interesat madhore të kombit dhe të qytetit për hir të interesave të ngushta partiake, apo më keq, personale, siç bën psh Z. Sejdini. Sigurisht, nuk mjafton vetëm integriteti, duhen edhe aftësi menaxhuese dhe vizion. Elbasanasit më njohin mjaft mirë dhe e dinë përvojën time në fusha të ndryshme të administrimit të punëve publike. Ashtu siç dinë dhe shohin qartë sot dështimet e Z. Sejdini. Unë flas për ndërtim dhe jetë. Kryebashkiaku i sotëm flet për shkatërrim dhe vdekje.
Çfarë u premtoni atyre konkretisht?
Rruga e re Elbasan-Tiranë do e shkurtojë distancën midis Elbasanit dhe Tiranës në vetëm 15 minuta. Kjo e ndryshon tërësisht perspektivën zhvillimore të qytetit të Elbasanit, por edhe të gjithë rajonit. Në përputhje me këtë logjikë, ne do të zhvillojmë një projekt për studimin dhe ndërtimin e një parku industrial, i cili do të rrisë biznesin dhe punësimin në Elbasan. Sipas përllogaritjeve tona do të hapen rreth 4 mijë vende të reja pune. Ndërtimi i kampusit universitar, që unë preferoj ta quaj ‘qyteza e të rinjve’ është një tjetër projekt i madh që kam. Projekti i tretë i madh është ndërtimi i një parku historiko-arkeologjik, ku
rikonstruksioni i kalasë së Elbasanit zë vend qendror. Ky projekt synon ta kthejë qytetin në destinacion turistik. Një projekt tjetër që kam është ndërtimi i një landfilli modern, në mënyrë që fusha e plehrave dhe e mbetjeve urbane të qytetit të largohet nga zonat e banuara dhe nga Shkumbini. Projekti i pestë i madh është hartimi dhe miratimi i një plani urbanizimi modern që respekton dhe rivlerëson hapësirat qytetare, që do t’i japë fund masakrës urbane të deritanishme dhe që krijon mundësi për zhvillimin e biznesit.
Konkretisht cilat janë shtyllat kryesore ku ju e bazoni programin elektoral për qytetin e Elbasanit?
Vizioni im për Elbasanin gërsheton stimulimin e biznesit me rritjen e punësimit, tradicionalen me modernen, përgjegjshmërinë individuale me solidaritetin social.
Programi im ka tre prioritete: 1. Zhvillimin ekonomik, duke krijuar një ambient sa më dinamik për zhvillimin e biznesit dhe punësimin, 2. Kthimin e krenarisë elbasanase, nëpërmjet zhvillimit të turizmit të integruar, për ta shndërruar Elbasanin nga tranzit në destinacion turistik dhe 3. Standarde moderne jetese për qytetarët elbasanas.
Çfarë ju favorizon ju që të jeni fitues të 8 majit?
Unë jam kandidat i një koalicioni fitues, i një koalicioni që është formuar për t’i dhënë zgjidhje problemeve të mëdha të vendit. Nuk duhet harruar se pa këtë koalicion shqiptarët nuk do mund të lëviznin sot lirisht nëpër Europë dhe vendi ynë nuk do të ishte anëtar i NATO-s. Çfarë ofron opozita? Deri tani shqiptarët dhe elbasanasit e kanë parë vizionin e Z. Rama dhe të Z. Sejdini. Elbasanasit duhet ta dinë se kryebashkiaku i sotëm dërgoi njerëz në Tiranë në 21 janar. Atij nuk i intereson qyteti, nuk i interesojnë qytetarët e Elbasanit, përderisa i shet aq lirë për hir të tekave të kryetarit të tij. Përveç kësaj, Sejdini e ka futur Bashkinë në borxh ndaj biznesit të Elbasanit. E ka futur në një borxh të barabartë me 2 vjet investime. Kjo nuk është vetëm shenjë e paaftësisë për të menaxhuar paratë e elbasanasve, por edhe tregues i qeverisjes klienteliste të kryetarit në ikje të Bashkisë.
Cilat janë pikat e dobëta të rivalit tuaj socialist?
Një kryetar Bashkie duhet të ketë vizion, duhet të jetë menaxher i zoti, duhet të ketë parime dhe integritet. Z. Sejdini ka treguar se nuk zotëron asnjë nga këto cilësi dhe, mbi të gjitha, nuk mund të bëjë dot bilancin e qeverisjes së tij para qytetarëve elbasanas. Ai nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që u bëri para katër vjetësh.
Çfarë kanë më shumë imediate banorët e Elbasanit dhe cila është zgjidhja që ju i ofroni?
Mendoj se urgjentisht duhet trajtuar problemi i ndotjes urbane. Nuk mund të lejohet më që plehrat të digjen në mes të qytetit, apo fare pranë qendrës së informacionit për turistët. Por ndoshta ky është vizioni i Z. Sejdini për të promovuar turizmin në Elbasan. Unë do ta largoj fushën e djegies së mbetjeve urbane nga qendrat e banuara dhe lumi Shkumbin, dhe do të ndërtojë një landfilld modern. Një problem tjetër akut është ndryshimi i standardeve të jetesës në periferinë e Elbasanit. Qeverisja katërvjeçare e Sejdinit ka bërë që banorët e periferisë të jetojnë më keq se zonat nga të cilat erdhën. Për nga cilësia e shërbimeve dhe infrastruktura periferia e Elbasanit i ngjan më shumë një fshati se sa një qyteti. Në periferi mungojnë shërbimet bazike dhe njerëzit rrezikojnë përditë shëndetin e tyre për shkak të paaftësisë dhe mosvëmendjes nga ana e Bashkisë.
Kjo gjendje është e patolerueshme. Kjo gjendje akuzon direkt Z. Sejdini dhe stafin e tij për premtime të pambajtura, për papërgjegjshmëri qytetare dhe për mungesë vizioni. Praktikisht, këta qytetarë të periferisë sot nuk duhet të ndjehen të shfrytëzuar, ata duhet të ndjehen të përjashtuar nga qyteti i drejtuar prej Sejdinit. Deri tani ky është qyteti i Sejdinit, por jo i tyre. Ne do ua kthejmë qytetin qytetarëve. Këtë do ta realizojmë me anë të një plani afatgjatë që përfshin edhe modernizimin e funksionimit të sistemit të pastrimit, duke garantuar eficencë maksimale për një qytet të pastër në të gjithë hapësirën e tij. Disa zona specifike si Zaranika dhe Manazdere, do të përfitojnë nga projekte të mirëfillta rikonstruksioni për t’u dhënë këtyre zonave cilësinë e duhur të jetesës dhe mundësinë për kushte dhe standarde bashkëkohohore.
Fitoren tuaj në Elbasan e bazoni tek “Aleanca për Qytetarin” apo tek vetë emri juaj?
Nuk besoj se emri im mund të ndahet nga ai i koalicionit që më propozoi. Për fat të mirë, ky koalicion përfaqëson vlerat tek të cilat besoj personalisht. Për mua nuk vjen partia e para, as kryetari. Të parët janë qytetarët e Elbasanit.
A mendoni se 8 maji është një shans që nuk duhet humbur?
8 maji është momenti për të zgjedhur zhvillimin dhe mirëqenien, ose rrugën e destabilitetit dhe të zgjedhjeve të parakohshme. Po, ky është një shans që elbasanasit nuk duhet ta humbin. Është një shans që nuk besoj se do ta humbin. Sepse ky qytet ka traditë intelektuale më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri. Ky qytet i ka dhënë vendit “Normalen”. Ky qytet ka një kala të mrekullueshme dhe njerëz që dinë të reflektojnë dhe të marrin vendimin e duhur.
Nëse ju zgjidheni kryetari i Bashkisë së Elbasanit, cili është veprimi i parë që
do të bëni si qytetar i parë i këtij qyteti?
Unë do jem qytetar i parë i Elbasanit falë bashkëqytetarëve të mi. Kështu që u detyrohem të gjithëve një falënderim, por edhe një premtim. Do u premtoj se dera e Bashkisë do të jetë gjithnjë e hapur për ta.