Bashkia e Tiranës, faktori më i rëndësishëm i projekteve sociale për kryeqytetin
Lulzim Basha prezanton programin social të bashkisë së ardhshme, duke garantuar vëmendje të veçantë për personat me aftësi të kufizuar, hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe akordimin e donacioneve për shndërrimin e qytetit në një qendër studentore, por edhe rekreative
Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha angazhohet për vemendje të vecantë për personat me aftësi të kufizuar në politikat sociale të bashkisë. Basha takoi një përfaqësi të personave me aftësi të kufizuar gjatë një bashkëbisedimi që pati me banorë të Kombinatit. Në këtë zonë të Tiranës, Bashës iu bë gjithashtu me dije se e vetmja fushë sporti që ka mbetur eshte projektuar për pallat. Kandidati për kryebashkiak u njoh edhe me shqetesimin e banorëve për taksat e larta dhe mungesen e shërbimeve. “Do të kemi një politikë të vecantë për personat me aftësi të kufizuar që të jenë sa më të integruar, politikë që do të integrohet edhe në investime, do të bëhen trotuaret, do të bëhen rrugët, objektet publike, do të investohet edhe në ndihmë financiare, ju siguroj vecanërisht për persona me aftësi të kufizuar që janë dhe pensionistë. Qendra sociale do të hapen në cdo minibashki, të paktën të kaloni kohën ditore, ata që nuk kanë mundësi të rrinë dhe natën”- u shpreh Basha. “Në kombinat taksa e gjelbër, se tani i hodha një sy, nga 2009 në 2010 më është dyfishuar nga 60 mijë lek në 120 mijë lek, ndërkohë që gjelbërimi thuajse që nga 2003-2004 nuk është përmirësuar fare. Eshtë bërë dhe rikonstruksioni i sheshit, dhe ai është betonizuar. Lagjia, blloku mbrapa ku banoj, është në gjendje të mjeruar, pa ndricim, pa rrugë”, i tha Bashës një pronar dyqani. “Taksa e gjelbërimit, taksa e tabelës, do të hiqet për bizneset, taksa e pastrimit do të ulet 3-fish. Por cfarë është më e rëndësishmja, është që për cdo taksë që do të mblidhet, ju do të keni mundësinë të shikoni se si shpenzohet, do të ketë transparencë të plotë, jo një herë në vit, por çdo ditë në internet do të publikojmë se ku po i harxhon paratë bashkia”, siguroi Lulzim Basha.
Po dje, në një takim me biznesin fason, Basha tha se në politikat e tij fiskale parashikon lehtësira të mëdha për ata që shtojnë numrin e të punësuarve. Edhe në këtë fabrikë, Bashës i është i bërë i njohur fakti se ndonëse paguajnë taksa, ata nuk marrin shërbime nga Bashkia. “Deri më sot po paguaj 1 milionë e 200 mijë për pastrim dhe gjelbërim, por po të shihni jashtë nuk kemi as pastrim, as gjelbërim, as rrugë”, u shpreh pronari i fabrikës së prodhimit të cantave në Kombinat. Kandidati për kryebashkiak i premtoi sipërmarrësit se do të ketë lehtësira nga Bashkia. “Të siguroj se për 50 vende pune të reja që do të çlirosh, do të ketë prapë stimuj fiskalë, jo vitin e parë, por edhe vitin e dytë, për cdo të punësuar do të kesh një Premium, sepse punësimi për mua është numër 1”, u shpreh Basha. Ndotja e ajrit, mungesa e kushteve higjenosanitare në tregje por edhe në ambjentet shkollore, trafiku i renduar dhe mungesa e rrugëve në disa zona banimi që nuk lejon qarkullimin e ambulancave, kanë qenë disa nga shqetesimet qe i jane shprehur Bashes nga komuniteti i mjekeve në Tiranë. “Unë premtoj se ato detyra që i takojnë bashkisë do të kryen. Do të bëhet sistemimi i ambienteve të qendrave spitalore universitare të Tiranës, përmirësimi me shpejtësi i atyre elementëve të infrastrukturës, qendrave shëndetsore, qendrave të urgjencës, ku bashkia mund të ndërhyjë vetë apo në bashkëpumim edhe me donatorët. Do të fillojmë duke dedikuar gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më mirë, shpejtësinë e caktuar për ambulancat dhe shërbimin e tyre, dhe do të vazhdojmë kështu në të gjitha fushat e tjera, ajër i pastër, standarde të sigurta ushqimore, trajtim bashkëkohor i mbetjeve, ujësjellës dhe kanalizim cilësor”, u shpreh Basha. Ai bëri të ditur se në shtator do të nisë diskutimet me komunitetin e mjekëve por edhe me ekspertët për të parë mundesinë e ndërtimit të një spitali rajonal.
Basha me studentët e ekonomikut: Si do të krijoj vende të reja pune në Tiranë
Kandidati për Kryebashkiak sqaron edhe privilegjet bashkiake që do të kenë studentët e Tiranës
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha ka marrë përsipër zgjidhjen e një prej problemeve kryesore të banorëve të Tiranës, siç është punësimi. Basha nuk do të heqë përgjegjësitë nga vetja, por ka një projekt konkret për punësimin, të cilin e shpalosi sërish sot në një takim me studentë të fakultetit ekonomik. Ai tha se nën drejtimin e tij, bashkia do të kthehet në një urë lidhëse mes studentëve dhe biznesit, si për praktikat, ashtu edhe për punësimin e tyre. “Bashkia do të ketë një rrjet informacioni online, që do të ndërlidhë kërkesën në tregun e punës të azhornuar në mënyrën më të plotë të mundshme, jo më vonë se fundi i këtij viti. Një i punësuar, 10 të punësuar, 100 të punësuar në Tiranë, janë objektivat e përditshme, përnatshme, përmuajshme të kryetarit të bashkisë. Unë kam një plan konkret për t’u marrë me këtë çështje, duke i hequr pengesat aktuale fiskale, administrative dhe infrastrukturore. Me një përllogaritje minimale modeste, ne do të çlirojmë biznesin e vogël dhe biznesin në tërësi në Tiranë, për të hapur minimalisht 4 mijë vende të reja pune. Do të vazhdojmë me një fond special garancisë, duke ndjekur një përvojë të suksesshme të USAID-it dhe një pakt në tregun e punës, për hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës. Infrastruktura do të jetë risia tjetër në zhvillimin ekonomik dhe në tregun e punës. Mbi 5 800 vende pune do të hapen vetëm nga punimet e Unazës së Madhe. Arsimi profesional dhe turizmi janë dy shtylla të tjera, në të cilat ne duhet të ecim fuqishëm, për të gjeneruar punësim dhe mirëqenie në qytetin tonë”, u shpreh Lulzim Basha para studentëve të ekonomikut. Po kështu, Basha ka sqaruar edhe projektet për kartën studentore që do të vihet në dispozicion në muajin shtator të këtij viti, ndërtimin e kampuseve universitare dhe bibliotekës, e deri tek bursat për studentët e shkëlqyer apo ata me pamundësi ekonomike.
Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin” prezantojnë kandidatin për kryetar bashkie në Gjirokastër, Genci Sinoimeri
Berisha: Kemi investuar në qytetin e gurtë 30 herë më shumë sesa qeveritë e mëparshme socialiste
“Në këto vite të fundit, mazhoranca jonë ka investuar për qytetin e gurtë 30 herë më shumë se sa qeveritë e mëparshme socialiste në 8 vite”. Kështu deklaroi dje pasdite kryeministri Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Gjirokastrës, Genci Sinoimeri. Sipas tij, në Gjirokastër, në rrugët e saj, në objektet social-kulturore, në kalanë, muzetë, ujësjellësat, shkollat, kanalizimet, qendrat shëndetësore, janë investuar mbi 60 milionë dollarë”. “Jam sot këtu, për t’u zotuar përpara jush se në katër vitet që vijnë, shumë herë më tepër do të investojmë në rrugët dhe rrugicat, ujësjellësat dhe kanalizimet, shkollat dhe kopshtet, monumentet historike, kalanë e qytetit, trashëgiminë kulturore” - theksoi kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se në katër vitet që vijnë qeveria do të restaurojë të gjitha banesat monument kulture dhe rrugicat e saj. “Gjirokastra me ne u shndërrua në trashëgiminë e mbarë njerëzimit, Gjirokastra në këto vite njeh vitet e turizmit më të madh, Gjirokastra njeh rimëkëmbjen e saj të plotë social-kulturore”- tha kryeministri Berisha. “Fitoren në 8 maj të kandidatit të “Aleancës për qytetarin”, Genci Sinoimeri, për katër vitet që vijnë do ta shndërrojmë së bashku në një sukses personal për çdo gjirokastrit dhe gjirokastrite, për çdo familje, për komunitetin e Gjirokastrës në përgjithësi”, nënvizoi Berisha.