E Diel, 1 Nëntor 2026

Nderi dhe menderi

Eshtë thënë gjithmonë që, nëse e ke të vështirë të arrish lavdinë, e lehtë është ta ruash atë. Dhe pikërisht këtu nis më shumë dallimi i saj me nderin, i cili mund t’u jepet të gjithëve, bashkë me besueshmërinë. Por me kushtin që ai të mbahet dhe të ruhet. Çka nuk është e lehtë, sepse mjafton ndonjëherë qoftë edhe një veprim i padenjë që nderi të bjerret, të humbasë apo të shuhet pakthyeshmërisht. Prandaj nuk mund të jetë krenar ai që veç dëshira për t’u hequr si i tillë i ka mbetur, meqë fjalët e nderit me kohë i kanë fluturuar; meqë s’i ekziston më ajo bindje e brendshme, e fortë, e pandryshueshme që i bën të tjerët ta respektojnë, ta dëgjojnë dhe ta mirëkuptojnë. Nga e tërë e vërteta që nderin apo nderimin mund ta kërkojë publikisht shumëkush, gjithashtu i pamohueshëm mbetet fakti që kjo kërkesë nuk mund ta tejkalojë rrethin e njohjeve personale. Në rastin e atyre individëve që mbajnë poste zyrtare, kalku “njohje personale” nënkupton edhe vlerësimin për veprat dhe veprimet, arritjet dhe premtimet, që ndonjëherë brohoriten me bujë nga turma shoqërore, ose shpërhapen me dhunë nga jehona e kokave boshe.
Diçka nga ajo që mbartin në këtë drejtim përvojat jetësore dhe teoritë mësimore mund të shquhen fare mirë pa ndihmën e syzeve edhe brenda nesh gjatë këtyre ditëve të trazuara, rëndësia e të cilave në të vërtetë tejkalon edhe në kohë, edhe në hapësirë nocionin e një fushate elektorale të zakonshme për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore. Tejkalon në kohë, sepse ndjehet mirë që erdhën çastet për t’u ndarë apo çliruar nga e kaluara e vështirë tranzitive; tejkalon në hapësirë, sepse shihet qartë që rruga drejt zhvillimit apo civilizimit nuk shkurtohet me hapat e paritmuara të dredhimeve. Në këtë trajektore limitshkurtër me rezultate afatgjata, ajo që më së shumti bën përshtypje është përpjekja agresive e pushtetit qendror për t’i ‘fituar’ këto zgjedhje me çdo mënyrë dhe me çdo çmim. Dhe këtij synimi i përqaset jo vetëm nxitja e akteve vandale në Tiranë dhe kudo tjetër, apo ndërmarrja e masave antiligjore për manipulime në procesin zgjedhor, por edhe retorika e përditshme zhurmëmadhe me përbetime të zulmëshme, për “votime të ndershme”, për “merita të ndershme”, për “premtime të ndershme”, për “fitore të ndershme”...Nëse disa do ta kishin të mjaftueshme dritën e arsyes, tek e fundit do t’i përkthenin këto llafe në kuptimin e kundërt të tyre. Ashtu sikurse ndonjë fjalë e përbërë që përmban leksiku i shqipes, e cila përmbys nocionin e nderit, siç do ta shpjegojmë më tej.
Nuk ia vlen barra qiranë ta lidhim pasqyrimin e antinomisë së proklamimeve të mësipërme me ngarkesën e jashtëzakonshme të kronikës së zezë të këtyre ditëve. Mbase ia vlen disi më tepër që t’i vëmë veshin diçkaje thelbësore prej atyre që thonë pushtetarët dhe t’i hedhim qoftë edhe vetëm një sy realitetit aspak premtues për ta. “Ju jeni të parët”, – iu drejtohet kryeministri Berisha qytetarëve në çdo cep të vendit, ku s’ka mbetur pa i shkelur këmba. Populizmi i tij na qenkërka vërtet i admirueshëm, kur dëgjon që ai me kastën e vet paskan qenë dhe do të jenë gjithnjë për një zhvillim të shpejtë të të gjithë popullit. Por, natyrshëm shumëkush ndërron mendje kur mëson që rreth një e treta e tij, ose rreth një milion njerëz në moshë aktive të këtij populli janë të papunë. Pra, në kushtet e ekonomive të prapambetura, ose edhe të atyre në zhvillim, ta lidhësh ngushtësisht rritjen e mirëqenies me thellimin e papunësisë, do të ishte aq tallëse dhe poshtëruese sa t’i mbushësh mendjen tjetrit që të bëjë qejf duke u sakrifikuar njëherazi. Aq më tepër të pabesueshme bëhen deklaratat ‘euforike’ të kryeministrit, kur arrin të të zënë veshët që, gjatë qeverisjes së tij, rritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar bëhet në kartë vjetore pothuajse në të njëjtën masë me rritjen e inflacionit të parasë. Thënë ndryshe, së paku prodhimi ka mbetur deri afër nivelit zero. Dhe këto të dhëna nxirren direkt e nga burimi. Sepse, vërtet që Instituti i Statistikave shpall i urdhëruar drejtpërdrejt prej kryeministrit (si gjithnjë gjatë 5-6 viteve të fundit) që tani Prodhimi i Brendshëm Bruto të na dilkërka 6 për qind, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatim–Taksave nuk mund t’ia fshehë vetes të vërtetën, kur detyrohet që të realizojë planin e saj mbi bazën e shifrave reale të planifikuara. Prandaj, me sa kuptohet është edhe kjo një nga arsyet që vetëm 4 për qind e shqiptarëve që kanë depozita bankare zotërokërkan deri në fund të 2010-ës, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 55 për qind të këtyre depozitave, ose 4.3 miliardë dollarë amerikanë?! Për të tjerët, pra për ata qindra-qindra mijërat që depozitojnë emrat në listat e dyqaneve të ushqimeve dhe në kreditë e pashlyera, as që bëhet fjalë.
Në këto situata të mjerueshme që përjeton dimensioni njerëzor brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, do të ishte mbase humbje kohe t’i tërhiqej vëmendje klikës qeverisëse për indiferencën e plotë që tregon madje edhe ndaj gjendjes së dhimbshme dhe të dridhshme të njerëzve me aftësi të kufizuara. Domethënë, s’u dashkej merakosur për ata të ngratë, përderisa maxhoranca jonë parlamentare vazhdon ta shtyjë ratifikimin e Konventës përkatëse të OKB–së, si edhe të kërkojë e të kontrollojë zbatimin e shumë traktateve ose marrëveshjeve ndërkombëtare të tjera, tekstet e të cilave i kanë zënë shtresat e pluhurit në sirtarët e kancelarive tona shtetërore! Përse nuk bëkan durim edhe ata të shkretë, si shumica absolute e shqiptarëve, që të presin edhe ca vite?! Sepse kryeministri u ka dalë borxhit, përderisa jo mjaft kohë më parë deklaroi që, ndonëse tani për tani jetesa e qytetarëve të këtij vendi është në nivel të mesëm dhe të lartë, më 2017-ën (demek, në fund të një mandatit tjetër qeverisës të tij) Shqipëria do të renditet në vendet me zhvillimin më të lartë?! Kështu që nuk janë për t’u habitur premtimet në rrafshe stratosferike të nxjerra nga goja e tij gjatë kësaj fushate elektorale. Shkon në Lushnjë dhe ftesën për qytetarët që të votojnë kandidatët e koalicionit që ai drejton e shoqëron me përbetimin se shumë shpejt do ta shndërrojë vendin e tyre në një zonë turistike edhe për gjithë Rajonin! Vete pak më në Jug, në Patosin që rrethohet nga pellgjet e mbeturinave të hidrokarbureve, dhe prapë hap të njëjtën perspektivë të mrekullueshme. Hidhet në Juglindje dhe u garanton devollinjve të njëjtin fat të paimagjinueshëm. Ngjitet rrëmbimthi në Laç e në Pukë dhe turizmin nuk e ndan nga ‘projektet’ e tij. Kthehet përsëri në Jug dhe u kumton tepelenasve që për fare pak kohë do ta bëjë qytetin e Ali Pashës që ta ketë zili gjithë bota. E tërë Shqipëria do të na u kthekërka në vend turistik, diku turistik detar, diku tjetër liqenor, ca më tej malor dhe aty rrotull lumor! Në një kohë, kur më të shumtët që e dëgjojnë dinë tashmë se, borxhet publike të këtij shteti të varfër dhe qytetarëve të mjerë të këtij vendi frikshëm po i afrohen atyre shifrave që shpërthyen njëhershëm krizën financiare të Greqisë.
Sidoqoftë, me kopjimin e këtij stili të mashtrimeve të pashtershme, manekinët berishllarë tek paraqiten si kandidatë për kryetarë të disa prej bashkive më të mëdha shpresojnë të fitojnë vota nëpërmjet premtimeve fantaziste. Njëri, ngaqë veç të tjerash do të ulkërka apo do të zhdukërka menjëherë, nxitimthi, jo më pak se tre të katërtat e taksave dhe tarifave të shërbimit, si edhe do të ulkërka në masë të madhe për qytetarët kryeqytetas çmimet e të gjitha produkteve. Sikur Kushtetuta ia ka lë në dorë këtij kandidati që një nga sistemet më të rëndësishme të financave publike të mos përcaktohet me ligj dhe me efekte të përgjithshme në një shtet unitar! Tjetri, ngaqë krahas shumë masave të veta do të përmirësokërka edhe cilësinë e diellit. A thua se fuqitë e mbinatyrshme të këtij pinjolli të pushteti të nderuar i krijojnë mundësinë për të zënë me dorë edhe qiellin! Është e vërtetë, nuk ka pse të qeshë lexuesi! Janë të besueshme edhe këto premtime, po aq sa Bashkia e Koplikut na u bëka “më e madhja e të gjithë kombit shqiptar”, siç u shpreh Berisha në një miting në Malësinë e Madhe, ku nuk iu ndenj pa siguruar banorët që gjatë 4 viteve të ardhshme do të ngrihet edhe parku industrial. Po, ai park që u ishte premtuar edhe më parë. Sikurse u ishte premtuar durrsakëve dhe elbasanasve që më 1996 – n dhe në prag të çdo palë zgjedhjesh. Sikurse, po ky “burrë shteti” nuk harronte caktimin dhe rrethimin në Vlorë e gjetkë të zonave të lira ekonomike, që së bashku kishin gjetur rregullim juridik në tekstin e një Ligji të hartuar e miratuar 16 vjet më parë.
E pra, me ato që janë parë e dëgjuar dhe me këto që shihen e kumbojnë, nderi i këtyre pushtetarëve zvenitet tërësisht. Dhe, nga kutërbimi që lëshohet, ai nder i tyre mban erë. Mban erë në mënyrën dhe masën më konkrete, përderisa sipërfaqet e planifikuara, bie fjala, për parqet industriale jo vetëm që s’kanë njohur asnjë investim të huaj, por edhe janë mbushur me të pëgëra; me të pëgëra të kafshëve dhe individëve; me të pëgëra edhe të disa individëve që ata i lëshojnë sa nga prapanica po aq edhe nga goja. Prandaj, veçanërisht këto ditë, plot njerëz shtrëngojnë hundët dhe mbyllin gojët, kur u buçasin veshët nga premtimet e fëlliqura dhe kur nëpër mend u vënë këtyre emrin e vërtetë. Por, mbase është më mirë të mos vazhdohet më tej me shpjegimin e këtij shqetësimi të rëndë të qytetarëve. Sepse, ku i dihet, mund të ngrihet i mirënjohuri Hans Magnus Enzenberger dhe të tërheqë vërejtjen me vargjet e poezisë së tij të famshme të titulluar “Muti”: “Vazhdimisht dëgjoj tek e zënë në gojë,/a thua se paskej faj për gjithçka!/Por pa shikoni, sa me butësi/dhe sa modest/ai lëshohet dhe zë vend poshtë nesh!”. Megjithatë, megjithatë, edhe nëse na shfaqet kështu ky poet gjerman, si përfaqësues i lëvizjes së dikurshme të të rinjve të revoltuar, nuk do të mungonin edhe ca e ca nga Shqipëria, që t’i përgjigjeshin po me vargjet e tij: “Ai që është jashtëqitur,/u dashka të jashtëqesë/edhe marazin tonë!”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›