E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Godo: Konsensus për reformat, por urgjenca e Ligjit Zgjedhor të mos çojë tek sisteme të papërshtatshme

Zoti Godo si një nga bashkëhartuesit e Kushtetutës që ka aktualisht vendi, si e komentoni debatin për ndryshimin e disa neneve themeltare të shtetit?
Mendoj se ka një ngutje. E vërteta është se duhet bërë njëfarë ndërhyrje në Kushtetutë,
këtë e provoi koha por mendoj se gjërat duhet të studiohen së bashku, të kalohen në
një tryezë debati, e cila duhet të thërrasë dhe opinionin publik, pasi Kushtetuta është
e të gjithëve. Mënyra sesi po procedohet tani në Kuvend më duket e nxituar, jo dhe aq bindëse. Duhet të ndryshojë apo jo sistemi elektoral dhe në çfarë do të konsistojnë këto ndryshime, kjo është çështja kryesore që duhet diskutuar. Të gjitha këto janë nevojë, për një reformë parlamentare. Unë jam për të pakësuar numrin e deputetëve dhe krijimin e një lloj organizmi, i cili do ti japë më tepër kohë ligjvënësve, për t’i kaluar gjërat në një procedurë ku Kuvendi të ketë një minimum deputetësh. Në miratimin e ligjeve që
janë të një rëndësie të madhe për vendin, që bëjnë punë, qoftë ligje për të cilat duhet
të pendohemi vetë dhe që duhet të përgjigjemi vetë. Pastaj janë edhe gjëra të tjera më
të rëndësishme, ku askush nuk mund të marrë kurajon të thotë që unë e di që duhet bërë kështu. Prandaj them që duhet të ketë bashkëpunim të gjërë mendimesh dhe jo të gjitha problemet duhet t’i nënshtrohen debatit.

Në rast se këto ndryshime do të bëhen, cilat janë ato pjesë të Kushtetutës ku ndërhyrja është më emergjente?
Ligji zgjedhor e imponon këtë, të shikojmë se çfarë duhet bërë. Do Zoti nuk na bëjnë marrëzira, psh, thuhet që duhet të suprimohet Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, atëhere
unë them: kush do ta bëjë numërimin e votive, cili organizëm do të marrë përsipër
ato pozicione që ushtron KQZ-ja. Në sistemin e ri Kushtetues do të kenë të drejtë komisionet rajonale për shpalljen e rezultateve, megjithatë në nevojë për shpalljen e rezultateve në shkallë kombëtare, si në çdo vend tjetër dhe kjo ende nuk është sqaruar. Unë kam qenë gjithnjë për atë që të depolitizohet ky organizëm që merret me procedurën zgjedhore, për numërimin e votove. Por kjo nuk arrihet duke deklaruar se “po shkrijmë KQZ-në”. Siç e thashë edhe më lart, çështja është se kujt do t’i transferohen këto funksione. Të gjitha këto më çojnë në atë që ka një “burgim”, pa u shoqëruar me një “burgim të mirëfilltë”.

PD-ja i ka paraqitur kryesisë së Kuvendit, një paketë reformash të cilat prekin procedurat për zgjedhjen e Presidentit, mocionin e besimit ndaj Kryeministrit si dhe vendosjen e mandatit për Prokurorin e Përgjithshëm, cili është vlerësimi juaj për këtë paketë propozimesh?
Të gjithë e kanë pranuar idenë se duhet të kufizohet mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, pasi në këtë pozicion nuk kemi përzgjedhje të përjetshme. Kështu që ky është një amendim i drejtë. Zgjedhja e Presidentit gjithashtu ka qenë problematike dhe për rrjedhojë është më mirë që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli, ashtu siç kanë bërë edhe shumë shtete të tjera ballkanike. Por kjo nuk do të sillte ndonjë ndryshim, përderisa s’jemi në pozicionet e institucioneve, por gjithsesi do të ndryshonte shumë nenet kushtetuese. Them se më mirë të kalojmë në atë lloj zgjedhjeje, sesa të kalojmë në situata që çojnë në krizë dhe ekuivoke në lidhje me zgjedhjen e Presidentit. Përsa i përket mocionit të besimit ndaj Kryeministrit, nuk duhet të kalojë ky ligj pa u formuluar. Dmth mazhoranca të pozicionohet sidomos në raport me respektimin e këtyre neneve. Sepse kjo mazhorancë ka marrë votat e popullit për të qeverisur dhe kur vjen puna që për arsye të ndryshme një Kryeministër dorëhiqet ose nuk arrin të marrë shumicën e votave, atëhere është atribut i Presidentit që të zgjedhë një Kryeministër tjetër brenda mazhorancës qeverisëse.

A ndjehet nevoja e një reforme parlamentare, duke qenë se shpesh në sallën e Parlamentit kemi konflikte?
Them se duhet t’i rikthehemi idesë për të patur një senat. Nuk është për të krijuar një valvul shkarkimi të parlamentit, por për të krijuar një organ, i cili i ridiskuton ligjet dhe mund t’i rikthejë në parlament. Nuk them të kemi një senat të tipit italian që krijon dhoma paralele, ku njëra mund të rrëzojë një tjetër, por të kemi një senat i cili t’i japë më tepër kohë Kuvendit për të bërë ligjet e duhura dhe për të krijuar një lloj barrikade, ndaj ligjeve që bëhen të përshpejtuara ose dhe me ndonjë lloj tendence politike nga forca që qeverisin vendin. Këtu është vërtetuar gjatë këtyre 18 viteve, që sa herë ndërrohen forcat politike në pushtet, ajo që vjen gjëja e parë që bën është që të verë dorë mbi ligjet që ka miratuar legjislatura paraarendëse dhe kjo nuk shkon në të mirë të stabilitetit të vendit dhe të stabilitetit të shtetit.

Në mungesë të një konsensusi nga ana e opozitës, ose më saktë nga një pjesë e saj, a nuk ekziston rreziku se nëse e majta vjen në pushtet në zgjedhjet e vitit 2009, të ndërmarrë ndryshime të reja në Kushtetutë?
Nuk besoj se e majta do të vijë në pushtet në zgjedhjet e vitit 2009, mbase më pas edhe mundet. Me tendencat që ka kjo e majtë, e përçarë, duket se nuk di dhe aq çfarë kërkon, vecse disa parrullave të përgjithshme që identifikon nga politika e vjetër. Nuk kuptoj me këtë se çfarë konsiston. Nisur nga kjo ajo mund të shikojë si të vjetëruar ligjet që bëhen sot dhe të dalë atje ku thoni ju që të ndryshojë gjërat të ndryshojë edhe ligjet që i duhen këtij vendi. Nuk ekziston ky rrezik, por në rrezik e sipër e majta kërkon të ndryshojë gjëra që në fakt duhet të mbeten aty ku janë.

Sistemi i ri zgjedhor që kërkohet nga dy partitë e mëdha, ai proporcional rajonal lejon garimin të vetëm në zgjedhjet parlamentare dhe krijimin e aleancave paszgjedhor. Duke qenë se një traditë e tillë është e panjohur në Shqipëri, sa mendon se mund të funksionojë si një strategji elektorale për të djathtën?
Unë mendoj se kjo do të na fusë në një telash të madh. Puna mund të thjeshtohej me dy fjalë: të kalojmë në proporcionalin kombëtar dhe secila parti të marrë votat që i takojnë që të dijë vendin që zë në kuvend dhe në politikën shqiptare. Kurse po të ecim me këtë sistemin proporcional rajonal, që qenka i tipit spanjoll, atëhere në shumë rrethe jashtë Tiranës, pothuaj të tëra partitë pa përjashtim nuk do të arrijnë kurrsesi me votat e tyre të marrin një deputet. Duke hyrë në ato llogaritë e ndërlikuara me përqindjen brenda koalicionit kaq njëri kaq tjetri, nuk sigurohet asnjë siguri se me të vërtete do ta arrijnë diçka në këto zgjedhje. Por krijon edhe një paralizë, përsa i takon fushatës elektorale dhe duke mos qenë individët në ballë, atëhere do të presim t’i bjerë ndonjë gjë nga qielli, për tu bërë deputet nga një fushatë për të cilën ai nuk është angazhuar. Unë nuk e shoh si pozitive këtë. Përkundrazi, do të hyjmë në një lloj labirinti dhe nuk ka arsye pse ta bëjmë këtë. Për ti thjeshtuar gjërat, duhet të mbajmë sistemin elektoral që kemi dhe të vihet si kush mënjanimi i “Dushku”-ut. Kjo bëhet farë e thjeshtë duke vënë në fletën e votimit personin dhe subjektin politik për të cilin voton.
 Bisedoi Silvana Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›