E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstitucionalisti Gjata mbështet variantin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga populli

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, konstitucionalisti Rustem Gjata, deklaroi dje se mbështet variantin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga populli, ndërsa kërkoi nga partitë politike që të tregohen të kujdesshme në ndërhyrjet që do të bëjnë në Kushtetutë. Dhjetë vjet pas miratimit me referendum popullor të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Rustem Gjata, njëri prej konstitucionalistëve që u angazhua në hartimin e saj, shprehet se “nuk ka asnjë gjë antikushtetuese në variantet e propozuara së fundi nga partitë politike për ndryshimet në Kushtetutë”. Por, vërejti ai, duhet të tregohet kujdes në mënyrë që të zgjidhen variantet më të mira në përputhje me kushtet aktuale në Shqipëri. Ndërsa kërkon kujdes në ndërhyrjet që do të bëhen në dokumentin themeltar të shtetit, Gjata shprehet se “politikanët mund të shpikin edhe variante të reja, mjafton që të mos shkelen të drejtat e njeriut”. Lidhur me preferencën e tij për zgjedhjen e Presidentit nga populli, zoti Gjata vuri në dukje se nuk ka asnjë gjë antikushtetuese edhe në variantet e tjera, të propozuara nga partitë politike. Gjata komentoi dhe çështjen e KQZ-së dhe debatet e fundit mes partive politike “nëse duhet të mbetet ose jo organ kushtetues, institucioni qëndror i zgjedhjeve”. Në këtë drejtim, ai u shpreh se “mes shteteve me një demokraci të konsoliduar ndeshen të dyja variantet, por ne duhet të zgjedhim se cili variant është më i përshtatshëm në përgjigje të kërkesave tona, pasi interesat ndryshojnë nga dita në ditë”. Partia Demokratike ka propozuar së fundmi një paketë për ndryshimet në Kushtetutë, e cila u miratua dje në parim nga komisioni parlamentar i ligjeve. Edhe kryesia e Partisë Socialiste ka publikuar dje variantin e saj për ndryshime në Kushtetutë. Amendimet kushtetuese të propozuara nga dy forcat politike parashikojnë prekjen e kushtetutës në disa nene të veçanta të saj që lidhen me procedurat e zgjedhjes së Presidentit, të mandatit të kryeprokurorit dhe të mocionit ndaj Kryeministrit.
ZMQ: Qytetarët duan ta zgjedhin vetë Presidentin/Qytetarët shqiptarë kërkojnë të jenë vendimarrës në zgjedhjen e Presidentit. Ata gjithashtu shprehen se nuk kanë besim te politika në realizimin e reformave në vend. Këto janë rezultatet e një sondazhi të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ) të shtrirë në 5 qytetet kryesore të vendit. Rezultati tregoi se publiku shqiptar kërkon me forcë, që të jetë pjesë e vendimarrjeve kryesore, që nga zgjedhja e presidentit nga populli dhe deri tek mënyra e leximit të votës. Sipas qytetarëve zgjedhja e presidentit nga populli, riformatimi i KQZ dhe regullimi i procesit të votimit (votimi elektronik) duhet të jenë pjesë e debatit për reformën. Sic bën të ditur sondazhi pjesa më e konsiderueshme e shqiptarëve janë pro sistemit mazhoritar, por që shprehen skeptike sa i përket garantimit të votes së lirë. Një tjetër përfundim i rëndësishëm është edhe vendimi për bojkot i zgjedhjeve të ardhshme i shumicës së qytetarëve pasi ndjehen të zhgënjyer nga politika. “Ka një rënie të gatishmërisë për të votuar me 34%”, bën të ditur ZMQ duke shtuar se “rënia e ndikimit dhe besimit të partive politike në opinionin publik, shprehet qartë edhe në këtë sondazh të kryer nga ZMQ. Kjo rënie rrezikon seriozisht institucionin e votës së lirë në vendin tonë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›