E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama u kthehet sulmeve raciste - zonat informale i quan kolonë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u është rikthyer dje apeleve të tij obstruktive që këtë herë drejtohen kundër qindra mijëra banorëve informalë në mbarë vendin. Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me temë “Zhvillimi i Territorit-Pronësi dhe Informalitet” organizuar nga fondacioni “Qemal Stafa” në ambientet e Hotel Tirana Internacional, kryesocialisti i ka bërë duje thirrje Presidentit të Republikës që të mos dekretojë paketën e ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, pasi sipas tij kjo paketë përmban  qëndrime absurde me karakter thellësisht politik “duke manipuluar të gjithë qytetarët e këtij vendi që janë banorë të zonave informale dhe duke minuar të ardhmen tonë të përbashkët”. “Unë dua ta ftoj Presidentin e Republikës, të mos e dekretojë paketën e ndryshimeve absurde me karakter thellësisht politik, me frymëzim tërësisht primitiv, bazuar vetëm e vetëm në nevojën e këtij pushteti për të mbledhur vota, duke manipuluar të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke manipuluar edhe vetë ata që janë banorë të zonave informale dhe duke minuar në mënyrën më të papërgjegjshme të ardhmen tonë të përbashkët. Të ardhmen e përbashkët të qyteteve tona, të ardhmen e përbashkët të të gjitha atyre zonave, të cilat me plot të drejtë sot e gjithë ditën, vazhdojnë të ngrenë zërin për shërbime, për infrastrukturë arsimore, për infrastrukturë shëndetësore, për infrastrukturë të ujit, kanalizimeve dhe me këtë politikë ato lloj kërkesash bazike për jetën e tyre, do t’i kenë të pamundura edhe nesër, pikërisht për shkak se këto ndryshime në ligj janë bërë jo për të fituar ata të cilët vijnë nga beteja e patregueshme e një jete plot vështirësi dhe mundime, ku të gjitha kursimet janë hedhur në ndërtime, por për të përfituar klani që sot është në pushtet dhe që këtë pushtet e përdor në vijimësi me papërgjegjshmëri, paftësi dhe korrupsion”- deklaroi dje Rama. Siaps tij projekti actual I legalizime minon rritjen e mirëqenies ekonomike mbi trasenë e një zhvillimi të qëndrueshëm. “Kanë minuar shumë e shumë mundësi për të ndërtuar një Shqipëri, e cila është Shqipëria e hapësirës publike dhe asaj private, të ndërthurura te njëra-tjetra, me një formë të atillë, si në çdo vend evropian dhe demokratik të krijojnë kushtet që individi të jetë i pacënuar në dinjitetin e tij, por që njëkohësisht të jetë pjesë e një shoqërie dinjitoze. Nga ana tjetër, duke ndërtuar një proces legalizimesh tërësisht politik, tërësisht afatshkurtër, tërsisht për interesa të pushtetit dhe jo për arsye të qenësishme të shtetit, kundërshtarët tanë politikë, kanë mbyllur në mënyrë arbitrare rrugë të tëra dhe mundësi të tëra zhvillimi, jo thjesht dhe vetëm, për të gjithë ata që nuk janë banore dhe banorë të zonave informale, apo posedues të nivelimeve informale, por edhe për vetë zonat informale, të cilat në këtë mënyrë, dhe me këtë përqasje getoizohen dhe bëhen vendbanime që nuk mund t’ju ofrojnë fëmijëve të atyre zonave, shqiptareve dhe shqiptarëve të së nesërmes, për t’u rritur me një infrastrukturë sociale, arsimore dhe shëndetësore të denjë për të garantuar mirërritjen e tyre, qoftë shpirtërore, intelektuale, apo fizike. Kjo përqasje tërësisht primitive ndaj këtyre zhvillimeve që erdhën së bashku me demokracinë në kushtet e mungesës së shtetit, si shprehje e lirisë individuale dhe e shtysës së brendshme për të afirmuar individualitetin dhe personalitetin, pas një periudhe represioni barbar, bën as më shumë e as më pak, por një dëm me përmasa të pallogaritshme për të nesërmen e vendit, të shoqërisë dhe të komuniteteve tona” - deklaroi Rama. Kësisoj edhe njëherë kreu i selisë rozë i kthehet qëndrimeve të dy viteve më parë kur në sinkron të plotë me presidentin e atëhershëm të vendit, Alfred Moisiu, pajtohej me teorinë e kolonëve shqiptarë të cilët duhet të trajtoheshin si geto. Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›