Intervista/Kabineti “Thaçi” nuk do përkrahë festivalet me karakter komercial

“Për këtë vit është një arritje shumë e rëndësishme për ministrinë që nuk është në listën “e zezë” të ministrive për keqmenaxhime apo të mos përmbushjes së politikave të cilat ministria i ka paraqitur”, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Valton Beqiri
Zoti ministër, cilat janë të arriturat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit qëkur keni ardhur në këtë detyrë?
Vlerësime të prera është vështirë të evidentohen, por është fakt që ne si ministri kemi arritur që në masën 80 % të obligimeve të trashëguara që nga viti 2006-07, por edhe të mëhershme, t’i kthejmë në obligime të ministrisë, duke mos cenuar aktivitetet e rregullta, gjegjësisht duke mos penguar politikat programore të ministrisë. Mendoj që kemi gjetur një mirëkuptim te të gjithë njerëzit që kanë benefit nga kjo ministri dhe kanë kërkuar stimulim që së paku në këtë vit, i cili ka qenë me të vërtetë i vështirë për ministrinë tonë, që bashkërisht t’i kthejmë borxhet që ka kjo ministri. Mendoj që për këtë fazë dhe për këtë vit është një e arritur shumë e rëndësishme për ministrinë, natyrisht duke marrë parasysh që edhe në opinion, edhe në krahasim me ministritë tjera, kjo ministri e Kulturës më nuk është në listën “e zezë” të themi ashtu të ministrive për keqmenaxhime apo të mos përmbushjes së politikave, të cilat ministria i ka paraqitur. Po ashtu, është shumë indikative dhe me rëndësi, që pa marrë parasysh se nuk jemi të kënaqur me buxhetin që e kemi si ministri, edhe vetë Qeveria e Kosovës e ka parë të arsyeshme që në rishikim të buxhetit të vitit 2008 ta shtojë shumën e përgjithshme të kësaj ministrie diku në vlerë prej mbi 1.5 milion euro, të cilat kryesisht janë përdorur për investime kapitale. Mendoj që të gjitha këto suksese që ka arritur ministria, kanë bërë që edhe vetë qeveria dhe kolegët, ministrat e tjerë dhe gjithë opinioni ta shohë me një sy tjetër këtë ministri dhe kjo ka bërë që të rritet buxheti. Por, ne jemi të hendikepuar me buxhetin, të cilin e kemi si ministri. Është fakt që aktivitetet kulturore dhe sportive janë të kushtueshme, por janë të rëndësishme, sidomos në fazën e ndërtimin e shtetit çfarë është Kosova, në pasqyrimin e vlerave krijuese, artistike dhe në prezantimin e sportit cilësor në botë.
Kohëve të fundit keni bërë edhe disa projekte në infrastrukturën e sportit?
Ne kemi arritur që përveç aktiviteteve të infrastrukturës, renovimit të objekteve të ndryshme kulturore dhe sportive, të iniciojmë edhe ndërtimin e gjashtë palestrave të reja sportive. Është një politikë që ka të bëjë me zhvillimin e sportit cilësor dhe mundësinë e të rinjve që të merren me aktivitete të ndryshme sportive, dhe në këtë vazhdë kemi zgjedhur komunat që kanë nevojë për objekte të tilla, si ajo e Malishevës, Shtimes, Skenderajt, Kastriotit dhe Deçanit.
Arritja e rezultateve të mira në sport kërkon edhe sponsorizim. Në këtë drejtim, Ligji për sport ende nuk po aplikohet sa duhet te ne. Çka duhet të ndërmarrim që të sjellim donatorë dhe të ketë lehtësira që ata të investojnë në sport?
Ju e dini që kohë më parë në kuvend nuk ka kaluar Ligji për sponzorizim në sport e kulturë, i cili do të ishte një ndihmë e madhe për aktivitetet sportive dhe kulturore. Natyrisht mund të them që ne jemi të zhgënjyer me këtë akt, por natyrisht jemi të vetëdijshëm që ligje të tilla kanë të bëjnë me angazhimin dhe implikimin e Ministrisë së Financave, Administratës Tatimore, Ministrisë së Tregtisë, të cilat duhet të jenë të implikuara në formimin e këtij ligji dhe ne tani jemi në ridraftimin e këtij ligji. Po ashtu, ligji për sport ka nevojë për ndryshime, sepse ka mangësitë e caktuara, andaj në të ardhmen duhet t’i ofrojmë mundësinë që në kuadër të ligjeve institucionet e ndryshme relevante të kenë mundësi të marrin burime tjera nga donatorë, sponsorë të ndryshëm, në mënyrë që kërkesat e tyre drejt ministrisë të jenë sa më të pakta dhe mos të themi modeste. Në gjithë botën institucionet e rëndësishme të kulturës veprojnë dhe funksionojnë me buxhetin që ato e sigurojnë vetë nga donatorë të ndryshëm nga sfera e interesit. Për një kohë të gjatë jam i bindur se do të ketë nevojë që ne si ministri t’i përkrahim dhe stimulojmë, por jam i bindur që me një frymë të re të menaxhimit të institucioneve të tilla kjo situatë do të ndryshojë dhe ministria do të jetë aktor dhe realizues, gjegjësisht promovues i politikave të përgjithshme kulturore, sportive, ndërsa aktivitetet do të realizohen nga mjetet vetanake të institucioneve, të cilat në të ardhmen mund të kenë benefite të ndryshme, qoftë nga kontratat e ndryshme me sponsorë të ndryshëm, pastaj edhe me të drejtën televizive. Besoj që në të ardhmen e afërt kjo frymë do të mbizotërojë dhe ne si ministri do t’i përkrahim vetëm ato institucione që me të vërtetë nuk kanë mundësi të rimëkëmben.
Dihet që kohë më parë keni marrë pjesë në panairin e librit në Frankfurt. Cili është kontributi i ministrisë dhe si u prezantua Kosova si shteti më i ri në këtë panair?
Sa i përket përkrahjes së ministrisë, përpos përkrahjes materiale botuesve kosovarë, pra sigurimin e pjesës ku do të vendoset stendi dhe shpenzimet tjera teknike dhe materiale, unë isha prezent në hapjen e panairit, ku qëndrova disa ditë për t’i dhënë përkrahjen morale dhe të tregojmë një seriozitet dhe një pasqyrë që Ministria e Kulturës, gjegjësisht, qeveria dhe shteti i Kosovës ka interes që të prezantojë vlerat e veta edhe në sferën e botimeve, gjegjësisht krijimtarisë letrare. Përpos këtij elementi, ju e dini që kemi qenë në një seancë të përbashkët me të gjitha vendet e rajonit dhe arsyeja më e madhe ka qenë që ne si shtet i ri i lindur në Evropë të jemi prezent me një prezantim sa më dinjitoz. Përpos këtij elementi, në këtë panair u është dhënë mundësi bashkatdhetarëve tanë që të njihen me botimet më të reja në gjuhën shqipe. Mendoj që në të ardhmen duhet të jemi prezent me një nivel më të lartë artistik, sepse ka mundësi dhe forma të tjera të prezantimit edhe më të mirë, që ndoshta nuk do të jenë aq të kushtueshme, por kësaj radhe ne kemi bërë çmos që në vitin e parë të shtetit të Kosovës prezenca jonë të jetë me të vërtetë dinjitoze.
Kosovës një pjesë e trashëgimisë kulturore i është marrë nga Serbia. Çka është duke bërë Ministria e Kulturës që eksponatet të kthehen në Kosovë?
Në kuadër të Aneksit të Pestë të Planit të Ahtisarit, ku është specifikuar, gjegjësisht zonat e mbrojtura të veçanta, Ministria e Kulturës ashtu siç është edhe vendim i Qeverisë së Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe në kuadër të këtij plani theksohet që duhet të kthehen edhe eksponatet e ndryshme, të cilat kanë mbetur në Beograd. Ne për momentin nuk kemi komunikim të drejtpërdrejtë me Beogradin dhe shpresojmë që zhvillimet e ardhshme do të jenë të atilla që ne do të kemi komunikime të drejtpërdrejta me shtetin e Serbisë, në mënyrë që sferat e interesit të përbashkët të jenë të realizuara nëpërmjet dialogut të barabartë të të dy ministrive. Në ndërkohë, jemi u munduar të gjejmë format e ndryshme alternative që nëpërmjet institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, ato objekte që kanë mbetur në Beograd të kthehen në vendin e origjinës. Ne e konsiderojmë trashëgiminë kulturore si trashëgimi e të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe vetëm si të tillë duhet ta kultivojmë, ruajmë dhe ta mbrojmë. Në këtë aspekt, mendoj që nuk do të ketë arsye shtesë pse ato të mbesin në Beograd, e të mos prezantohen në Kosovë. Pra, flasim për vlerat e trashëgimisë që kanë të bëjnë me periudha të ndryshme të historisë së këtij vendi.
Cili do të jetë involvimi i Ministrisë së Kulturës në KosovaInfest?
Ministria e Kulturës gjatë këtij viti nuk ka sponsorizuar festivale të ndryshme, të cilat janë festivale komerciale, pasi që ato kanë mundësi të gjenerimit të mjeteve edhe nga mënyrat tjera. Me gjithë respektin për këto festivale, ne nuk kemi pasur mundësi për këtë vit t’i përkrahim dhe nuk e kemi ndërmend t’i përkrahim. Po qe se Kosova do ta ketë një festival sikurse Akordet e Kosovës, gjegjësisht, festival të organizuar nga një institucion i rëndësishëm publik, qoftë RTK-ja, atëherë ne do të jemi të parët që do të involvohemi, me qëllim të prezantimit dhe përkrahjes së krijimtarisë muzikore, të cilën fatmirësisht e kemi në nivel mjaft të lartë edhe në rajon, por mund të jemi konkurrent edhe në Evropë dhe në botë. Në qoftë se organizohet festivali i Radio Televizionit të Kosovës, i cili për element do ta kishte pjesëmarrjen e këngës në Evrovizion, ne jemi të obliguar ta përkrahim me maksimumin e mundësive që i kemi. Për momentin, të gjitha festivalet tjera që organizohen në Kosovë, e që kanë një karakter komercial dhe mund të sjellin përfitime nga vetë festivali, ne i kemi konsideruar që nuk do të jenë prioritet i ministrisë në këtë vit. Kjo varet edhe nga buxheti i ministrisë dhe nuk do të thotë që në të ardhmen kemi mundësi t’i përkrahim, por shuma e përkrahjes do të jetë shumë modeste.
Kur do të fillojë ndërtimi i objektit të Operës dhe a ka bërë përpjekje ministria për gjetjen e fondeve për ndërtimin e këtij objekti?
Para se gjithash, duhet ta kemi parasysh se opinioni është i dezinformuar, sepse ky objekt nuk është vetëm i Operës, por ky objekt e ka sallën, e cila përdoret nga Tilarmonia, Teatri dhe Opera. Pra, është një objekt multifunksional, i cili do të jetë në shfrytëzim të të gjitha institucioneve më të rëndësishme kulturore. Në kuadër të kërkesave tona dhe zotimin që kemi dhënë, ministria obligohet t’i mbulojë 15 % të shpenzimeve të përgjithshme të këtij objekti, e cila është një shumë e përballueshme për shtetin tonë dhe Ministrinë e Kulturës. Pra, me këtë shumë ne kemi dashur që ta mbrojmë qeverinë dhe ta obligojmë ministrin, kushdo që të jetë ai, qoftë Valtoni, qoftë dikush tjetër para tij apo pas tij, që të gjejë fonde alternative dhe të gjejë forma të tjera se si mund t’i sigurojë mjetet e tjera për ndërtimin e këtij objekti. Është një fat që në proces është ligji për koncesionin, i cili ofron mundësi që objektet e ndryshme, qoftë të trashëgimisë kulturore dhe objektet e ndryshme kulturore mund të jepen me koncesion për vite të caktuara dhe në këtë formë mund të stimulohen investitorët e ndryshëm, të cilët kanë interes që të hyjnë në tregun e Kosovës.
A është e drejtë sipas ligjit rifuqizimi i kontratës për projektin filmik “Mysafir në sofër”?
Ne nuk e kemi rifuqizuar. Ne kemi qenë të detyruar t’i implementojmë kontratat e rregullta ashtu siç i kemi të gjitha borxhet, të cilat kanë qenë të nënshkruara nga zyrtarët e kësaj ministrie. ǒështë e vërteta, ne kemi pasur mundësi dhe një komunikim të drejtpërdrejtë me kontraktuesin që në kuadër të kontratës ekzistuese ta vëmë një aneks-kontratë, e cila para se gjithash ka sjellë benefite për ministrinë dhe kinematografinë kosovare. E vetmja mundësi që kemi mund ta bëjmë ka qenë që në kuadër të kontratës së vlefshme të paranënshkruar nga ministria jonë, të nxjerrim disa elemente që do të sjellin disa benefite për kinematografinë kosovare, elemente të cilat nuk kanë qenë në kontratën e parë.
Cilat janë ndryshimet në aneks-kontratë dhe kush ka përfituar?
Kontrata është valide, nuk është rifuqizim, nuk është rivlerësim, por është vetëm implementim i ligjit. Kemi arritur që pagesën e kontratës ta ndajmë në katër këste dhe në kuadër të çdo kësti të paguar të jepet pasqyra financiare dhe raporti i punës së kryer deri në atë fazë. Kemi arritur që 7 % të përfitimeve nga realizimi i këtij filmi të shkojnë drejtpërdrejt në Qendrën Kinematografike të Kosovës, pra një element shumë i potencuar që nuk ka qenë në kontratën e parë. Po ashtu, kemi arritur në marrëveshje me kontraktuesin t’i sigurojmë edhe kopjet për “Kosovafilmin” dhe për ministrinë, të cilat do të prezantohen në situata të ndryshme pa benefite komerciale nga Kosova, qeveria dhe ministria, apo edhe nga “Kosovafilmi”. Përveç kësaj kemi arrit të kërkojmë që skenari që është i paraqitur në kuadër të realizimit të këtij filmit të mos ndryshohet, për arsye që ministria nuk përkrah një film që mund të dezorientojë edhe pasqyrën e Kosovës në përgjithësi.
Nga cili bord, apo nga cilët persona është vlerësuar skenari?
Unë nuk e di kur është bërë kontrata, mirëpo ka qenë një vendim i mëhershëm i ministrit, por unë kam kabinetin tim, po ashtu edhe vetë kam kërkuar ta lexoj skenarin me qëllim të marrjes së informatës rreth projektit që është borxh ministria.
...