E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Studimi shkencor mbi kozmosin, pjesë e të vërtetës hyjnore të krijimit

Ati i Shenjtë Benedikti XVI iu drejtua dje Akademisë Papnore të Shkencave, me mesazhin se Kozmosi, i themeluar nga Krijuesi, nuk është kaotik dhe se shkenca mund ta studiojë atë, sipas ligjeve që e rregullojnë atë

“Kozmosi nuk është sistem kaotik, por i rregullt, e në ligjet e tij të brendshme mund të lexohet prania e Krijuesit, edhe në sajë të kontributit e të zhvillimit të vazhdueshëm të shkencës”. Kjo është sinteza e fjalimit që Benedikti XVI u drejtoi dje pjesëmarrësve në takimin plenar të Akademisë Papnore të Shkencave, mbledhur këto ditë në Vatikan për të diskutuar mbi arritjet e reja të kërkimeve shkencore lidhur me origjinën dhe evolucionin e universit, të materies e të jetës. Të pohosh se themelimi i kozmosit dhe zhvillimi i tij janë fryt i ‘dijes universale’, nuk do të thotë se krijimi ka të bëjë vetëm me fillimin e historisë së botës e të jetës. Ky themelim ka të bëjë me Krijuesin, që i përfton këto zhvillime e i mbështet vazhdimisht. E ky është edhe një nga fragmentet-kyçe të fjalimit të thellë, që Benedikti XVI u drejtoi shkencëtarëve, të cilët u pritën sot në Vatikan. “Teoritë e ndryshme shkencore mbi evolucionin e universit dhe të jetës”, tema e mbledhjes plenare të Akademisë Papnore të Shkencave, është argument me interes të madh – vërejti në fillim Papa - sepse shumë nga bashkëkohësit tanë reflektojnë për zanafillën e qenieve të gjalla, për vijimin e jetës së tyre e për fundin e tyre, si dhe për kuptimin e historisë së njerëzimit e të universit. “Në këtë kontekst, natyrisht lindin pyetje, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet leximit shkencor të botës dhe leximit që ofron Zbulesa e krishterë. Paraardhësit e mi, Piu XII e Gjon Pali II, vërejtën se nuk ka kurrfarë kundërshtimi ndërmjet kuptimit të krijimit që jep feja, e provës që japin shkencat empirike”. Nëse në fazën fillestare - tha Papa - filozofia propozoi një ide, të cilën mund ta quajmë ‘horizontale’, të origjinës së kozmosit, bazuar mbi një ose disa elemente të botës materiale, kuptimi i mëtejshëm metafizik i qenies, si e tillë, i krijoi njeriut mundësinë të arrinte me intuitë në përfundimin se bota, duke qenë e krijuar, vjen nga Krijuesi. Papa citoi për këtë Tomën e Akuinit, i cili pohon se krijimi nuk është as lëvizje e as ndryshim, por përcaktohet nga marrëdhëniet themelore e të vijueshme që lidhin krijesën me Krijuesin, sepse ai është shkaku i çdo qenieje e i çdo shndërrimi.Në këndvështrimin e fesë, të lexosh evolucionin, larg çdo rreziku për ta parë si kaos - është si të lexosh një libër, sipas krahasimit që u pëlqen aq shumë shkencëtarëve, duke përfshirë edhe Galileon. Një libër - theksoi Benedikti XVI - historinë e të cilit, të shkruarit e të cilit e kuptimin e të cilit ne e ‘lexojmë’ mbi bazën e teorive të ndryshme shkencore: “Pavarësisht nga elementet irracionale, kaotike e shkatërrimtare që vërehen gjatë procesit të ndryshimeve të kozmosit, materia, si e tillë, është ‘e lexueshme’. Është një ndërtim i brendshëm ‘matematik’. Mendja njerëzore mund të merret jo vetëm me ‘kozmografinë’, duke studiuar fenomenet e matshme, por edhe me ‘kozmologjinë’, dmth duke hyrë në logjikën e brendshme të dukshme të kozmosit”. Papa e përfundoi fjalimin e tij me këto fjalë të Gjon Palit II, shqiptuar në vitin 2003: “E vërteta shkencore, që për vetë natyrën e saj është pjesëmarrje në të vërtetën hyjnore, mund t’i ndihmojë filozofinë dhe teologjinë të kuptojnë në mënyrë më të plotë njeriun dhe Zbulesën e Hyjit mbi njeriun, një zbulesë që u plotësua e u përsos në Jezu Krishtin”.
Papa: Kujtimi i shenjtorëve na tërheq drejt qiellit/Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot në solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve mbajtur në mesditë në Vatikan, tha: “Të dashur vëllezër e motra, Kremtojmë sot me gëzim të madh festën e të Gjithë Shenjtorëve. Duke vizituar një fidanishte botanike, njeriu mbetët i mrekulluar para larmisë së pemëve e luleve, e në mënyrë spontane të shkon mendja tek fantazia e Krijuesit i cili e ka bërë tokën një kopsht të mrekullueshëm. Ndjenja të ngjashme na pushtojnë kur e konsiderojmë spektaklin e shenjtërisë: bota na duket si një “kopsht”, ku Shpirti i Zotit nxit me fantazinë e mrekullueshme një aradhe shenjtorësh e shenjtëreshat , të çdo moshe e kushti social, të çdo gjuhe, populli e kulture. Secili është ndryshe nga tjetri, me tiparet e posaçme të personalitetit të vet njerëzor e të karizmes së vet shpirtërore. Por që të gjithë bartin “vulën” e Jezusit (krh Zb 7,3), do të thotë gjurmët e dashurisë së tij, të dëshmuar përmes Kryqit. Të gjithë janë në gëzim, në festë të pa mbarim, por, si Jezusi, këtë cak e kanë arritur duke kaluar përmes mundimit e sprovave (krh Zb 7,4), duke e përballuar secili pjesën e vet të flijimit për të marrë pjesë në lavdinë e ringjalljes. Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve është formuar gjatë mijëvjeçarit të parë të krishterë si kremtim i përbashkët i martirëve. Që në vitin 609, në Romë, Papa Bonifaci IV e pati shuguruar Pantheonin duke ia kushtuar Virgjërës Mari e të gjithë Martirëve. Ndër të tjera, këtë martirizim, mund ta kuptojmë në kuptimin e gjerë të fjalës, do të thotë si dashuri për Krishtin pa rezerva, dashuri që shprehet në dhuratën e plotë të vetes Zotit e vëllezërve. Ky cak shpirtëror, drejt të cilit të gjithë të pagëzuarit priren, arrihet duke ndjekur udhën e “lumturive” ungjillore, që liturgjia na i tregon e propozon në solemnitetin e sotëm ( krh Mt 5,1.12.a). Është e njëjta udhë e shënuar nga Jezusi e të cilën shenjtorët e shenjtëreshat janë munduar ta përshkojnë, me vetëdijen e plotë që kishin për kufizimet e tyre njerëzore. Në ekzistencën e tyre tokësore, në të vërtetë, kanë qenë të varfër në shpirt, të pikëlluar për shkak të mëkateve, të butë, të uritur e të etur për drejtësi, të mëshirshëm, të pastër në zemër, punëtorë të paqes, të persekutuar për shkak të drejtësisë. E Zoti i ka bërë ata pjesëmarrës të lumturisë së Tij Hyjnore: në këtë botë e kanë parashijuar e, përtej, e gëzojnë lumturinë në plotësi. Tani janë të ngushëlluar, trashëgimtarë të tokës, të nginjur, të falur, e shohin Zotin bijë të të cilit janë. Me një fjalë: “e tyre është Mbretëria e qiellit” (krh Mt 5,3.10). Në këtë ditë e ndjejmë në ne se po na afrohet fuqia tërheqëse drejt Qiellit, që na shtyn ta përshpejtojmë hapin e shtegtimit tonë tokësor. Në zemër ndjejmë ndezjen e dëshirës së flaktë për t’u bashkuar përgjithmonë me familjen e shenjtërve, pjesë e së cilës kemi hirin të jemi qysh tani. Siç thotë një këngë e njohur spiritual: “Kur do të vijë aradha e shenjtorëve të tu, oh sa do të doja, o Zot, të isha ndërmjet tyre!”. Uroj që ky synim e kjo dëshirë të ndizet flakë në të gjithë të krishterët, e ti ndihmojë të kapërcejnë çdo vështirësi, çdo frikë, çdo vuajtje, çdo mjerim! Të dashur miq, ta vejmë dorën tonë në dorën amënore të Marisë, Mbretëreshës të të Shenjtorëve, e ta lejmë veten të na udhëheq Ajo drejt atdheut qiellor, në shoqërinë e shpirtrave të lumë “ të çdo kombi, populli e gjuhe” (Zb 7,9). E në lutje të bashkohemi me të dashurit tanë të vdekur, të cilët i përkujtojmë nesër.
Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve, thirrje drejt atdheut të përbashkët qiellor! Ky solemnitet i të Gjithë Shenjtorëve na fton të gjithëve të ecim në rrugën e shenjtërisë. Shenjtorët janë ata që kanë guximin të lenë gjithçka, për t’u bërë ‘miq të Jezusit’. Janë pikërisht ata që na bëjnë të shikojmë se feja nuk është një grumbull ndalimesh, një seri ‘jo’-shë ose predikimesh të trishtuara moraliste. Në të vërtetë, feja është rrugë e zgjedhur me vullnet të plotë e me gëzim: lihet diçka, sepse është gjetur diçka më e mirë e më e çmueshme. Shitet gjithçka, për të blerë një thesar me vlera të pakrahasueshme: e ky thesar është takimi me personin e Jezusit; është takimi i syve tonë njerëzorë me sytë plot dashuri të Krishtit Zot, që i hapin jetës njerëzore horizont të ri, që tregojnë rrugën vendimtare të shenjtërisë e të amshimit. “Shenjti është ai që mahnitet nga bukuria e Zotit e nga vërtetësia e tij e përkryer aq, sa dalëngadalë, shndërrohet plotësisht. Për këtë bukuri e vërtetësi, është gati të heqë dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja. I mjafton dashuria e Zotit, të cilën e provon në shërbimin e përvujtë e pa interes ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj atyre prej të cilëve nuk pret kurrfarë shpërblimi”. Të bëhesh shenjt në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, do të thotë bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit hyjnor, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. “Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!”.
Shenjtorët nuk mund ta mbajnë për vete gëzimin e madh të takimit me Zotin, por dëshirojnë t’ua transmetojnë edhe të tjerëve bukurinë e fesë: e këtë e bëjnë me përvujtëri e paqe, me mëshirë e vërtetësi e me atë forcë plot butësi, që buron nga bashkimi me Krishtin, duke dëshmuar kështu se kush beson, nuk është kurrë i vetëm.
Festa e të Gjithë Shenjtorëve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të kenë si ideal, përsosurinë.E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e lartë e jetës për çdo të krishterë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›