I duhet thënë: Ke kryer krim kolektiv!

- Pavarësinë kolektive të Kosovës e kreu populli, në krye pati liderët.
- Krimin kolektiv të Serbisë e ideuan liderët, populli nuk i ndali.
1. Ndoshta, me përmbylljen e statusit të Kosovës dhe me një reagim të matur të Serbisë, mund të ishte mbyllur edhe çështja, nëse spastrimi serb i shqiptarëve, ishte apo jo faj kolektiv. Por, dërgimi i kërkesës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me shpresë se pavarësia do të cilësohet e paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Prishtinën e shtyn të kërkojë, që Serbisë t’i shqiptohet troç: Ke kryer krim kolektiv. Turri i paarsyshëm politik i saj, kundër të gjithëve që mbështesin pavarësinë, meriton të ndalet politikisht, për t’i thënë që, spastrimi etnik i shqiptarëve nuk u krye nga tre vetë. I vetmi ndër politikanët me emër, por pa pushtet, që e ka hapur paksa perden, për t’i vënë emër pamjes makabre, është Mati Ahtisaari. Në një intervistë, pasi mori Çmimin Nobel për Paqë, edhe pse me gjuhë diplomatike, ai i vuri pikat mbi “i”, në katër çështje themelore:
Tha se, Serbia e ka trajtuar historinë e luftës në mënyrë të pandershme.
Tha se, fajtor nuk është vetëm Millosheviçi.
Tha se, kjo që bëri Serbia u përkthye në “pavarësinë e Kosovës”.
Tha se, Serbia duhet të përballet me pasojat.
Shqiptimi i fajit kolektiv, pati kohë të artë për t’u thënë, në muajt kur u krye ose me mbarimin e luftës. Më pas, u tregua kujdes i jashtëzakonshëm për të mos u përcaktuar ashtu, dhe u besua sikur kohë të dytë nuk do të kishte kurrë më.
Por, ajo u përsërit dhe është tani, kur Serbia këmbëngul me gjyq, për një të drejtë që nuk e ka, duke këmbëmgulur që, pavarësia kolektive e Kosovës të jetë e ndëshkueshme, duke e cilësuar të paligjshme, ndërsa faji serb nuk mund të cilësohet i përbashkët, edhe sepse çdo gjykatë do ta kishte të pamundur ta dënonte me atë përcaktim.
2. Ringritja ndërkombëtare e Serbisë, duhet thënë e shpejtë, faktorët i pati jashtë saj: politikën e vrazhdë dhe mbështetëse ruse dhe joshjen e Bashkimit Europian me procesin e integrimit. Ardhja në qeverisje e politikanëve që vetquhen ose u cilësuan properëndimorë, nuk ndodhi për shkak të demokratizimit të brendshëm të vetëmjaftueshëm, por me nxitjen e jashtëzakonshme të Perëndimit, për të penguar marrjen e pushtetit nga radikalizmi i skajshëm. Përpjekja serbe për t’i anashkaluar kushtet për në BE, nuk merr fuqi nga mençuria e diplomacisë së saj, por përpshpejtimin e integrimit, Serbia e llogarit si një gjobë që Perëndimi i ka mbetur për t’ia shlyer asaj, bashkë me mbajtjen ngritur të trysnisë së dyfishtë: shfaqjen e përhershme të gogolit radikal për pushtet dhe Moskën mbështetëse pa kushte.
Sikur ringritja politike e Serbisë të kishte ndodhur nga demokratizimi i saj, i brendshëm dhe i jashtëm, kjo do të meritonte veç përgëzime. Por, Serbia është trimëruar, sepse:
Së brendshmi ajo ndjehet e qetësuar moralisht, nga që, qendrat vendimarrëse politike të Perëndimit, luftën e saj nuk e përcaktuan si faj kolektiv.
Njërën këmbë politike, Serbia e ka mbështetur mirë mbi kurrizin e Bashkimit Europian.
Me këmbën tjetër shkelmon sa mundet mbi kurrizin e Kosovës, me pakicën serbe brenda, me shtete përkrahëse jashtë, me kërkesën në OKB dhe në Gjykatën Ndërkobëtare të Drejtësisë.
Serbia ka dhjetë vjet që e trazon pakicën serbe, me kishë dhe politikë, kundër shtetit të Kosovës, si pa status ashtu dhe me status. Ende nuk është bërë e mundur t’i ndalet dora e keqbërjes, fatkeqësisht, edhe kjo është kolektive. Edhe pse nuk është shqiptuar asnjë belbëzim ndjese, përkundrazi, ka trashje të fajit, Beogradi vrapoi rretherrotull botës, në Nju Jork e Hagë, për të bërë të mundur, nxjerrjen e një dënim kolektiv të pavarësisë. Gjithçka bën Serbia, ka qëllim të lexueshëm: ndërsa faktori ndërkombëtar nguroi ta cilësonte luftën serbe si faj kolektiv, Serbia përpiqet të vërtetojë të kundërtën, ta cilësojë paligjshmëri kolektive e faj të përbashkët, njohjen ndërkombëtare të pavarësisë.
3. Padyshim, Serbia kreu në Kosovë një krim kolektiv. Ky është emërtimi i saktë i spastrimit etnik të një populli të tërë nga një shtet fqinj. Po të mos kishte qenë i tillë, menjëherë pas luftës, populli i painkriminuar, do të kishte kërkuar të ndëshkohej krimi dhe politika e krimit. Por, kryesorët dhe të mbramët mbijetuan, u fshehën, u mbrojtën dhe janë brohoritur si heronj. Duke mos i thënë Serbisë troç atë që bëri, ajo gjeti kurajë e për turp, shkoi deri në Hagë. Mirëpo, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka rastin e pathirrur e të papritur, që të shqiptojë mendimin e saj, për dy çështjeve madhore: fajit kolektiv të Serbisë përballë pavarësisë kolektive të Kosovës.
Gjërat janë përcaktuar qartë nga historia, politikat, veprimet dhe koha:
Pavarësia kolektive e Kosovës është çështje e popullit të Kosovës dhe nuk i përket Serbisë.
Faji kolektiv i Serbisë është përgjegjësi e saj dhe kjo duhet shqiptuar prerë, që Beogradi të pushojë së zhurmuari si viktimë.
Mosdënimi politik i krimit të përbashkët, (nuk ka vetëm varreza kolektive por edhe krim kolektiv), pati për qëllim mbajtjen e bashkëpunimit. Por, Beogradi nuk shpërbleu. Ai nuk e njeh ndjesën. Ai sillet po aq agresiv. Ai mban ndezur konfliktin, e ka emërtuar me ftohtin rus. Serbia nuk ndjehet fajtore, as në Beograd, as në Hagë, se në Prishtinë, jo e jo.
Pavarësinë kolektive të Kosovës e kreu populli, në krye pati liderët.
Krimin kolektiv të Serbisë e ideuan liderët, populli nuk u tha ndal, por i mbështeti.
4. Së fundi, një fabul që, ndër shqiptarë, përmblidhet në thënien e vjetër, “Shkoi si breshka te nallbani”:
Njëherë e një kohë, paska pas qenë një breshkë e cila, zvarrë-zvarrë e ngadalë - ngadalë, guxoi e shkoi te nallbani.
Ustai, pasi e këqyri të sapoardhurin, e pyeti i habitur:
-Pse ke ardhur, moj, breshkë?!
-Dua të vë gozhdë, se kur eci nëpër kalldrëm, nuk më karcasin këmbët!
Njëlloj si Serbia që, ndërsa është përgjegjëse për krimet e kryera, shkoi në Gjykatën e Ndërkombëtare të Drejtësisë, të kërkojë të drejta.
Beogradi kërkon t’i kërcasin këmbët. E meriton t’ia mbathin patkonjtë e fajit kolektiv. Dhe të mbyll gojën.
...