E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur krijohej një balet

Në 75-vjetorin e Agron Aliaj

Është një moment kur njeriu vendos për të ardhmen e tij, zgjedh rrugën për të mbërritur atje ku ka ëndërruar. Ky moment sidomos për artistët i ngjan një fillimi dashurie të përjetshme. Në fillimet e saj ajo duket sikur e marros artistin e ri, më vonë sikur i bën magji që të mos shkëputet kurrë prej saj dhe në fund vetë ai kthehet në një magjistar për të marrosur të tjerë të dashuruar. Agron Aliaj hyri në botën e artit si një kërcimtar fillestar me pasionin e një adoleshenti plot ëndrra dhe dëshira. Magjia e kërcimit e rrëmbeu dhe pas disa kohësh ai filloi të magjepsë me artin e tij shikuesin. Pak nga pak me kalimin e kohës ai u rradhit në rradhën e parë të koreografëve që krijuan lumin e koreografisë që nuk rresht së rrjedhuri dhe vaditur filizat e rinj në këtë gjini. Në faqet e mëparme u tha gjatë për vetitë e tij të kërcimit dhe fillimet e krijmtarisë. Duhet theksuar që krijmtarinë e tij e zhvilloi kur koreografët në vende të zhvilluara po thellonin evolucionin që kishte filluar vite më parë në europën perëndimore. Ata po kërkonin mynyra dhe rrugë të tjera për t’u shprehur ndryshe nga se ishte shprehur gjer në atë kohë arti I kërcimit në repertorin që luhej në çdo teatër.
Koha që kishte jetuar Agroni e kishte pajisur dhe pasuruar me alfabetin ose më mirë të themi me leksikun e pasur të baletit klasik. Jeta i afroi atij t’i hidhte sytë nga thesari i traditës së kërcimit në Shqipëri, tek folklori koreografik. E nëse ai armë të fortë kishte alfabetin e baletit klasik në dorën tjetër ai mbante fort vallen e popullit, eposin dhe legjendat e vendit të tij. Këto pasuri e ndihmuan të shprehej me gjuhën e tij që i përshtatej bindjeve artistike, shijes së veçantë pa u shkëputur nga genet e formimit dhe jo duke imituar një moderne të zhveshur nga ndjenjat dhe emocionet që fluturon pa ditur ku do të ndalojë. Pra Agroni ndërtoi dhe skaliti veten për të qenë një autor me origjinalitet të veçantë. Për të përforcuar edhe më mirë se ç’do të thotë të mos mohosh traditën dhe të shkëputesh prej saj krejtësisht duhet cituar një thënie të Gustav Majer: “Tradita është t’i lësh gjërat të marrin rrugën e tyre”. “E me të vërtetë asnjëherë ajo nuk duhet konfuzuar me konvencionin dhe respektin, mungesën e imagjinatës dhe shijen e mirë”. Në fillim të vitit 1966 e më tutje as edhe një shfaqje e repertorit botëror nuk lejohej të luhej në skenat tona. Koreografët dhe krijues të tjerë të shokuar nga kjo goditje në mes dilemave po mundoheshin të dilnin nga ky kolaps që për mjaft kohë frenoi krejtësisht lirinë e krijimit dhe për pasojë zotëroi dhë pasiviteti. Në mes të këtij mjedisi ishte Agroni dhe ndonjë tjetër, që kërkonin hapësirë për t’u larguar nga ndikimi i artit revolucionar kinez që për një kohë të shkurtër ndikoi në zhvillimin e artit tonë. Në këtë moment pranë tij gjendet një artist tjetër që i uritur posi ai për të krijuar, bashkëpunon me Agronin për disa vite. Ky ishte kompozitori Nikolla Zoraqi. Në takimet e tyre të shpeshta dhe bisedat e përditshme këmbëngulnin për të gjetur shtigje e për të dalë nga kjo gjendje statukuoje dhe e rënduar. Nuk vonoi dhe ato i afruan skenës dy vepra që shkundën atë gjendje amullie që po kalonte arti e në veçanti koreografia. Ata krijuan një punim të gjatë koreografik ku ideja qëndrore që vinte pak e fshehur ishte: njerëzit nuk mund të jenë robotë që punojnë dhe i ngrenë lavde socializmit. Ata edhe ndjejnë, edhe punojnë, duan familjen, ndahen por dashurojnë dhe besimin e kanë në të ardhmen. “Ritme dhe ndjenja të klasës punëtore” titullohej ky punim që nuk mungonte të paraqiste realitetin siç qe por në vetë muzikën dhe kompozimin koreografik ndjehej një erë e re. Pak më vonë seç e kemi trajtuar në thellësi në shkrimet e mëhershme, erdhi baleti “Cuca e maleve” me libret të Loni Papës dhe muzikë të Nikolla Zoraqi. Nikollës dhe Agronit i kishte pëlqyer në dramën e Lonit ajo vajzë e maleve që guxonte të shkruante me të madhe në dërrasën e zezë gërmën A, dritën që jep arsimi, kultura për një komb. Ajo kërkonte dije kur dashurinë për të vluarin e saj nuk mund ta shfaqte haptas. Prapambetja dhe varfëria e futur deri në shtëpi të saj nuk e kuptonte. Për çka zhvillohet më tutje nuk dua të përsëris, por dua të theksoj që çdo artist do të frymëzohej nga një personazh i tillë që lufton për dije dhe mbron dashurinë e kërkon emancipimin, civilizimin. Këto krijime dhe të tjera qenë për Agronin një eksperiencë e madhe për të ardhmen e afërt. Tashmë ai kishte prekur nga afër atë që dukej e vështirë tek ne nga sa kërcimi dhe baleti ishin art i ri dhe me pak eksperiencë. Etapat e zhvillimit të baletit në vendin tonë nuk kanë ndjekur rradhën e tyre, ato janë kapërcyer dhe ndonjëra prej tyre nuk është njohur mirë. Koreografët shpesh janë kthyer mbrapa si sizifi dhe kanë filluar të ngjiten përsëri në mes mundimesh. Në balet nuk është e domosdoshme të trajtoheshin vetëm temat historike si luftrat për liri dhe legjendat popullore. Arti koreografik pa temën e ditës, të kohës, shqetësimeve me të vërtetë njerëzore dhe shoqërore nuk mund të jetë i plotë dhe do të ishte i paarritur biologjikisht. Teknologjia e tij në të gjitha aksesorët do të qe e vjetëruar. Kështu edhe ndonjë mosarritje në këto krijime dhe ngarkesa të panevojshme ideologjike duhen marrë si fenomene që ndodhin kur rritesh dhe zhvillohesh kur kërkon të ecësh përpara për të gjetur të renë. Në kohën kur këto vepra po ndiqeshin nga publiku dhe kur baleti “Cuca e maleve mbas kritikave të mëdha për shfaqje të huaja në paraqitjen e saj, kur shprehja se “shfaqja është revizioniste” qarkullonte në zyra ndërtesash ku vendosej për fatin e një vepre dhe kur mediokrit pëshpërisnin për personazhin e Don Markut (priftit): “Si është e mundur që ky ka kaq shumë leksik kërcimi kur për ata ai duhet të ishte një figurë statike”, erdhi si papritur një balet i ri “Historia e një kënge”. Nikolla Zoraqi dhe Agron Aliaj me ndihmën e Hamide Stringa ndërtuan një balet që ishte shprehje e akumulimeve përgjatë disa viteve I mendimeve, shqetësimeve dhe kërkimeve, për një art kontemporan ku njeriu dhe jeta e tij të ishin në qendër të saj. Aftësia e artistit për të dalluar momentin e duhur historik, për të përshfaqur tema dhe ide që i afrohen psikologjisë së shoqërisë, larg skematizmit që dominonte gjer në atë kohë, është meritë e artistëve të veçantë dhe të përkushtuar ndaj artit. Në vitet 1969-1972 u vu re se disa aspekte të jetës tek ne po ndryshonin disi nga e kaluara jo e largët. Kontaktet me botën sikur u rritën. Shqipëria dhe Kosova i shtuan lidhjet në art dhe kulturë, kanalet televizive italiane dhe ndonjë tjetër shikoheshin pa vështirësi dhe u krijua përshtypja se po frynte një erë e re. Të gjetur me shumë vend për të krijuar një ide për në atë kohë ishin vargjet në një këngë të Pjetër Gacit të shkruar nga Fatos Arapi: po vinte era limoni, erdhi pranvera por unë nuk e besova. Mbas vitit 1972 neve vetë na dukej e pabesueshme që kishim jetuar për pak kohë një farë lirie që nuk na ndrydhte mendimet, dëshirat dhe ëndrrat.
Pak kohë më parë novela e Segalit Love Story ishte ekranizuar. Ngjarja e këtij filmi dhe kolona zanore, kënga tashmë kish marrë dhenë në të gjithë botën. Kjo novelë dhe filmi u realizuan mbas lëvizjes së madhe të viteve gjashtëdhjetë kur çlirimi absolut nga komplekset seksuale e të tjera dukurive kishin arritur kulmin. Ky balet erdhi në skenë i paplanifikuar më parë. Agroni gjithmonë është ngacmuar të krijojë atëherë kur në mendjen e tij krijohet një pyetje që vjen nga ndryshimet që sjell koha, civilizimi dhe duke I jetuar ato sheh levizjen e shoqërisë, psikologjinë e saj që do t’i shërbejë reflektimeve të tij. Kështu në këtë gjendje shpirtërore u krijua ky balet në pak ditë por i frymëzuar shumë. Prej kohësh ne kishim vënë re rininë studentore por edhe atë punëtore të çliruar nga një farë ngërçi e etur për të shijuar letërsinë dhe artin që zhvillohej jashtë kufijve tanë, për t’u përshtatur në etikë deri në veshje me atë që shikonin në ekrane dhe të gëzoheshin me një kërcim të lirë dhe disi të shpenguar. Ata kishin vënë re mbi të gjitha një farë liberalizmi paksa të dukshëm në marrëdhëniet njerëzore dhe dashurore. Të befasuar dhe kureshtarë edhe ne interpretët e këtij baleti gjetëm njëfarë frymëzimi kur në mëngjeset pranverore në rrugët e Tiranës tek ajo që të shpie nga rruga e Elbasanit gjer tek fakulteti i shkencave të natyrës shikonin studentat të ecnin të shpenguar dhe shpesh çiftet në intimitet shtrëngonin duart gati për t’u përqafuar. Në stacionet e autobusit të rinj që kërkonin me sy të përqendruar sytë e shoqes, shokut dhe vonoheshin për të hipur në urbanin që do i çonte në destinacion. Ata po shijonin atë që më parë nuk mund ta shfaqnin në mjedis të hapur por i dukej si mollë e ndaluar, po shijonin një atmosferë të ngrohtë, më të qetë, me pak stress për të pasur jetën më të lehtë e për t’u përgatiru për të ardhmen. Agroni erdhi si gjithmonë në sallën e baletit i ngarkuar me një platformë të qartë të detajuar. Kishte zbërthyer çdo numër muzikor dhe ishte shumë i sigurtë në imazhin koreografik përfundimtar të shfaqjes. Në një përqendrim absolute ai dhe neve që do të interpretonim shfaqjen e tij qëndronim tërë ditën në sallën e baletit dhe për tre javë shfaqja u ngrit në këmbë. Ali Oseku në mes një bardhësie që zotëronte tërë hapësirën e skenës ndërtoi një skenografi me një arkitektoni që ndihmonte të lexohej mirë platforma koreografike dhe dramaturgjike e shfaqjes. Shkallët e shumta në fund të skenës, grupi skulpturor në në anë të tyre, kunintat e bardha dhe veshjet e lehta me ngjyra të ngrohta na ndihmonin ta ndjenim veten pjesë kryesore e ideve që përçonte shfaqja, kërkimi i të ardhmes dhe dëshira për t’u ngjitur aty ku të rinjtë ëndërrojnë. Shfaqja fillonte me momentin më kulmor të jetës studentore, diplomimin në fund të studimeve. Shqetësimi por edhe gëzimi që i prêt në të ardhmen është kompozuar nga Agroni dhe Nikolla me tone optimiste. Grupet e vogla dhe çiftet e të dashuruarve lëvizin, hidhen, afrohen dhe shtrëngohen, premtojnë të lidhin jetën dhe në të njëjtën kohë hamendësojnë se ku do të emërohen.
Shfaqja rridhte me një temp dhe dinamikë të vazhdueshme që të mbante emocionalisht lart gjithë kohën. Muzika e ndërtuar mbi një temë muzikore që shoqërohet nga zëri njerëzor zhvillohej në variacione të shumta që përcjellin ngjarjen me larminë e madhe të episodeve dhe skenave të mëdha koreografike/episodi i shiut, akullore, zborit, basketbollit e mbi të gjitha duetet e personazheve kryesore Zana dhe Beni/është e ndërtuar bashkë me konfliktin klasik tashmë të dëshirës së njërës palë për të fejuar vajzën me një “dikush” të rëndësishëm. Ky konflikt zgjidhet nga vetë të rinjtë. Ne interpretët solistë dhe trupa e baletit erdhëm në këtë shfaqja pasi kishim kërcyer në balete dhe zhanre të tjera që shprehnin jo vetëm drama të forta të ngarkuara me pathos dhe epizëm të tepruar, por në ndonjë rast edhe të sforcuar, me fytyra disi të ashpra që nuk shfaqnin bukurine e jetës, buzëqeshjen e ngrohtë skenike. Hoqëm kostumet e rënda, poturet e trasha dhe ngarkesën e rrobave të tepërta. Përpara kësaj premiere dhe pas kësaj veshjet tona në shumicën e rasteve nga frika se mos dukeshin gjymtyrët normal të trupit u shndërruan në copa të trasha tekstili që kërcimtarja dhe kërcimtari dukeshin si thes pa formë dhe hijeshi. Mbas disa kohësh tashmë po e ndjenim të zgjohej dhe të merrte jetë një atmosferë e vërtetë premiere, një shfaqje ku do të ishim të çliruar nga skema herë herë të shtirura që i thurnin lavdi “sukseseve të mëdha”. Agroni ishte i frymëzuar dhe na kërkonte të punonim gjer në dhjetë orë në ditë. Brenda një seancë dyzet e pesë minutëshe ai krijonte një duet ose një skenë masive. I impenjuar në të gjithë qënien e tij ndizte intuitën dhe shpesh improvizonte gjëra impresionuese kur krijonte atmosferën e takimit në shi ose vendin ku shitej dhe shijohej akullorja ose figurat e gjetura me çadrat e shiut dhe topin e basketbollit. Mbasdite gjer natën vonë ai krijonte dhe punonte vetëm me ne solistët duete dhe skena të mbushura me lëvizje dhe plastikë të dendur me figuracioneve që zhvilloheshin në tokë dhe në ajër, pa e pasur stresin e autoçensurës se mos gabon. Ai e zgjidhi dramën në një ambient të hapur. Në lulishten e një kafeneje të Tiranës zhvillohej skena e fejesës kun e mes një ftohtësie të dukshme të Zanës/personazh kryesor në shfaqje/refuzohet një fejesë e sajuar. Agroni me qëllim si kontrapunt vendosi një grup vajzash pranë kafenesë që dukeshin si zanat ëngjëj që mbrojnë lirinë e Zanës. Ky kontrapunt i jepte momentit jo vetëm rëndësinë e skenës që zhvillohej drama por edhe prezantonte të tërën, si një skenë mjaft dinamike baleti e kërcyer dhe jo e mbushur me pantonima.
Më shumë se ngjarja ose historia e kësaj dashurie duhet vënë në dukje që elementët artistikë në këtë shfaqje ishin të çliruara nga çdo ndrojtje se mos shkelesh mbi parimet e realizimit socialist. Koreografija ishte e pasur me tone dhe ngjyra që të impresiononin kur dhe zhvendosja dhe lëvizja e një krahu ishte si një linjë muzikore për ta mbajtur kërcimin si një melodi të ngrohtë. Kur Agroni kishte dyshimin që muzika në ndonjë rast e frenonte të shprehej ai i sugjeronte kompozitorit për një zgjidhje tjetër që pa dyshim në shumicën e rasteve mirëkupuptimi vetëm sa e ndihmonte krijimin e tyre. Këtë herë i gjithë proçesi i vënies në skenë dhe realizimi i shfaqjes erdhi shumë normal, pa probleme dhe kundërshti. Në pak prova skenike me orkestër shfaqja ishte gati për t’u dhënë. Nëse baleti klasik dhe ai kontemporan nga shumë njerëz në kohëra janë parë si dy disiplina konfliktuale, në baletin “Historia e një kënge”, baleti klasik në një temë të ditës u shfrytësua dhe u zhvillua më tej, deri aty sa që disa elementë të veçantë kërcyes modernë u shkrinë me të tërën duke prurë një gjuhë më të kapshme për publikun e gjerë. Kjo gjuhë ishte afër shijes dhe civilizimit bashkohor, ndaj dhe spektatori e ndjen kohën e tij në brendësi të kësaj shfaqjeje. Shfaqja u dha në muajin maj të vitit 1971, u dha shumë herë në sallën e mbushur plot. Në rolet kryesore në premierë interpretuan Zoica Haxho dhe Albert Janku, më vonë edhe nga Keti Trojani dhe Luan Shtino. Disa nga miqtë tanë na thanë natën e premierës se: Na bëtë t’i duam dhe t’i përqafojmë më shumë gratë tona…
Në pranverë të vitit 1973 kjo shfaqje u përballua me breshërinë e madhe të kritikës dhe flamurët e socialrealizmit që mezi prisnin të dilnin në ballë për të marrë pa meritë drejtimin e artit koreografik. Ata kërkuan rolin e masës / popullit në shfaqje që sipas tyre mungonte. Nuk duhet të merremi thanë ata me gjëra të sheqerosura, por me problemet dhe arritjet në ndërtimin e vendit dhe të njeriut të ri, etj, etj që sot nuk ia vlen të thuhen. Kur kritika vjen nga administrate dhe direct nga ata që mbrojnë ideologjinë sunduese, ajo e bën efektin e saj të keq, së pari duke e frenuar dhe kufizuar lirinë e krijimit. Agron Aliaj dhe të tjerët krijmtarinë e tyre e kanë parë të kalojë në sitën e imët të analizave të rrepta që nuk hapnin hapësirë por lejonin një rrugicë të ngushtë që i detyronte ata të përplaseshin çdo herë në paretet e saj dhe me shumë vështirësi mund të lindnin një valle, skenë ose balet të plotë…

Shkrimi është fragment nga libri i pabotuar “Me Agron Aliaj dhe artin e tij”
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›