Reagon Bogdani: Presidenti Bush firmëtar i reformave për integrimin e Shqipërisë

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, reagoi sot, pas deklaratës së Deputetit të PS, Taulant Balla, i cili "akuzoi qeverinë se po saboton proçesin e Stabilizim- Asociimit".
Gjatë një konference për shtyp, në Selinë Blu, Bogdani tha se, "reformat e Shqiperisë në proçesin e integrimit, merituan në 24 Tetor të këtij viti, firmën historike të Presidentit George W. Bush".
“Me këtë trillim të radhës z. Rama përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se proçesi i integrimit paska ngecur, por në të vërtet ajo që ka ngecur është ora e z. Rama, që vazhdon të ëndërroje se Shqipëria është ende 50 vite mbrapa.” pohoi Bogdani.
Sipas tij, “reformat e Shqipërisë u cilësuan nga 27 ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në deklaratën e Ljulbjanës, si inspiruese për vendet e rajonit për nga suksesi i tyre, dhe se, këto reforma do të vlerësoheshin edhe nga Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oli Rehn, si surprizë e Shqipërisë”.
Në vijim të deklaratës së tij, zëdhënsi i PD, Gerti Bogadni sqaroi se, "proçeset e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO, janë të pandashme nga njëra- tjetra", dhe se, "retorikat, e vjetëruara tashmë të z. Rama janë thjesht përpjekje primitive të tij për të mbuluar një realitet që flet çdo ditë e më shumë vet".
Akuzat e Ballës
Gjatë një konference për shtyp, në Selinë Rozë, deputeti i PS, Taulant Balla, tha se, “në këtë stinë të rëndësishme raportesh, kur pritej që Shqipëria të mbyllte proçesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe të përgatitej për aplikimin zyrtar për statusin e vendit për anëtarësim në BE, duket se Shqipëria nuk po bën hapa pozitive”. Duke iu referuar raportit të Monitorimit të Shqipërisë në Proçesin e Stabilizim- Asociimit, i hartuar nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, Balla pohoi se, “sipas raportit vazhdon të mbetet, problematik proçesi i hartimit të ligjeve dhe sidomos në fushën e drejtësisë. Raporti i Shoqërisë së Hapur në kapitullin, e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, thekson se niveli i mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë mbetet shqetësues”, pohoi Balla. Krahas këtyre fakteve, Balla u ndal edhe në fushën e lirisë së shprehjes dhe të shtypit, ku sipas, “ as në këtë fushë nuk ka pasur progres”.
...