E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Klement Zguri: Proporcionali rajonal, sistem përfaqësues, i thjeshtë dhe më pak i kushtetueshëm

Zoti Zguri, ju jeni anëtari me eksperiencën më të gjatë në KQZ. Si i vlerësoni ndryshimet e fundit në Kushtetutë, lidhur me aplikimin e një sistemi proporcional rajonal në Shqipëri?
Përcaktimi i një sistemi zgjedhor besoj se absolutisht është atribut i klasës politike dhe është në duart e saj. Nëse do të na duhet të bëjmë një analizë për të vlerësuar anën pozitive apo negative të sistemeve besoj se mund ta arrijmë. Duhet të kuptojmë që rëndësia e sistemeve zgjedhore dhe reformat e tyre janë një element i rëndësishëm i të bërit politikë edhe në vendet të tjera me demokraci të zhvilluar e jo më në vende që e kanë demokracinë pak të konsoliduar. Së paku, ka rreth dy procese zgjedhore që Shqipëria endet në një pyetje nëse do të mundet ky vend apo klasa politike e tij të orientohet për të gjetur një sistem, i cili do të jetë i përshtatshëm në kushtet aktuale të zhvillimit demokracisë dhe në kontekstin politik dhe shoqëror ku ndodhet vendi ynë. Si fillim shpresa ka qënë disi e vakët, ndërkohë që në momentin ku ndodhemi klasa politike po hedh hapat e krijimit të një sistemi reciprok besimi ndërmjet palëve dhe kjo në kuadër të bërjes së reformave dhe mënyrës se si do të zhvillohet demokracia. Në vështrimin tim nuk ka sisteme perfekte, ka sisteme që kanë anë pozitive, por dhe anë negative. Gjithsesi, përsa i takon zgjedhjes së sistemit zgjedhor, kjo duhet të jetë për një sistem që mund të arrijë rezultatet e kërkuara nga klasa politike, mënyrën se si ata do ta shikojnë ndërtimin e institucionit të Parlamentit, etj.

A krijon probleme aplikimi i sistemit të ri zgjedhor për KQZ-në?
Në aspektin e administrimit sistemi i zgjedhur është shumë më i lehtë, është më i manovrueshëm dhe më pak i kushtueshëm, por gjithsesi nuk janë këto gjërat që duhet të renditen. Sistemi në fjalë ka prioritete të tjera, është më përfaqësues, është një sistem zgjedhor proporcional rajonal. Në rast se ne do të bënim një bilanc për të kuptuar se si janë sistemet dhe çfarë ato përfaqësojnë, do të thosha se ka një shumëllojshmëri sistemesh. Por, për t’i kuptuar më mirë ato ndahen në tre lloje: proporcionale, mazhoritare dhe të përziera. Sistemi proporcional, ku futet edhe ai i zgjedhur së fundi, ka në bazë të tij përfaqësimin në Parlament në raport me votat e marra në elektorat. Ndërkohë, në të kundërt sistemi mazhoritar është më tepër i përqendruar në qeverisje dhe në stabilitetin politik të vendit, ndërsa sistemet mikse kanë marrë nga të dyja dhe ka vende që i preferojnë, si Gjermania. Parë në këtë kuptim ka edhe elementë pozitivë për të vlerësuar reformën që është bërë në sistemin zgjedhor shqiptar, duke pasur parasysh edhe defektet nga sistemi i kaluar zgjedhor, ku kemi pasur një deformim të votës dhe të përfaqësimit në Kuvend. Kështu që besoj se ishin pjekur kushtet për një ndryshim të tillë.

Si e shihni heqjen e pjesës për KQZ-në nga Kushtetuta?
Duke qenë pjesë e këtij institucioni, të paktën në aspektin moral, unë nuk mund të brohoras për nxjerrjen jashtë Kushtetutës së KQZ-së. Në logjikën time dua t’i mirëkuptoj, por edhe t’i mbështes ndryshimet për dy arsye të vetme. E para ka të bëjë me mënyrën se si u ndërtua KQZ, futjen e saj në Kushtetutë në kontekstin politik dhe shoqëror të kohës. Shpesh kemi qenë dëshmitarë të një konfliktualiteti pa fund dhe gjithnjë e më të ashpër mes forcave politike për të dominuar institucionin e KQZ-së, qoftë edhe për ndonjë përfitim të vogël. Në këtë kuptim institucioni ishte bërë i rëndë për të qënë më i manovrueshëm dhe më i kuptueshëm. Ky ishte njëri aspekt, aspekti tjetër është përgjegjësia që ka vetë KQZ, për shkak se në mënyrë të pashpjeguar qëndroi indiferente dhe apatike në raport me zhvillimet që po bëheshin në kuadër të reformës zgjedhore. Për mendimin tim ne duhet të ishim më prezentë dhe aktivë. Të gjitha kapacitetet tona, që i kishim fituar në vite, duhet të viheshin në shërbim të reformës dhe të momentit, ndërkohë që këto nuk ndodhën. Por, gjithsesi besoj se është hedhur një hap pozitiv. Kredibiliteti i një instititucioni, në mënyrë absolute nuk vjen nga qënia e tij në kushtetutë ose jo. KQZ mund të vazhdojë me të njëjtin dinjitet në rast se do të ketë profesionalizëm dhe ndershmëri në raport me punën e vet që ka për të administruar një proces zgjedhor. KQZ i ka kapacitetet dhe eksperiencën e fituar, e cila nuk duhet të shkojë dëm. Janë dhjetëra vite eksperiencë, investim jo vetëm financiar, por edhe profesional, asistencë teknike për të ndërtuar një trupë zgjedhore.

Ç’mendoni se duhet të ndryshojë në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2009?
Reforma duhet të shpejtojë në mënyrë që institucioni që menaxhon zgjedhjet të ketë gjithë kohën e duhur në dispozicion, për të bërë një menaxhim ligjor dhe profesional të procesit që vjen. Në rast se do të hidhja një vështrim në mënyrën sesi janë zhvilluar proceset e mëparshme janë disa pikat ku ne duhet të fokusohemi për të bërë ndryshimet e duhura. Kuadri ligjor aktual, mënyra si administrohen zgjedhjet nga administrata zgjedhore, bërja me cilësi e listave të zgjedhësve, problemi i financimit e shpenzimeve nga partitë politike, procesi i ankimimeve, etj, janë disa nga shtyllat që për nga mënyra se si do të funksionojnë e bëjnë të pranueshëm rezultatin e një procesi zgjedhor. Tashmë jemi përballë një eksperience tjetër, në kuadër të ndryshimit të sistemit zgjedhor. Besoj se vëmendja më e madhe është në raport me kuadrin ligjor. Janë disa elementë që nuk do të jenë në këto zgjedhje, siç është kandidimi në mazhoritar, pasi jemi në një sistem proporcional. Gjithsesi, një vëmendje e madhe duhet të tregohet për mbipopullimin e komisioneve zgjedhore të të gjitha niveleve. Ka qenë fare i pashpjegueshëm dhe i paargumentuar shtimi i numrit të komisioneve të niveleve të dyta e të treta, duke mos bërë asgjë tjetër veç rritjes së konfliktit, për shkak të numrit të madh të personave që marrin pjesë në to. Kjo ul profesionalizmin, rrit militantizmin politik, shton konfliktualitetin në komisione, duke marrë rezultate të padëshirueshme që prishin performancën e zgjedhjeve. Problemi tjetër që lidhet me financimin e shpenzimeve dhe fushatës duhet të ketë më tepër transparencë dhe të gjendet mënyra për të kontrolluar financat dhe mënyrën e shpenzimit të parave në fushatë, si nga subjektet zgjedhore ashtu dhe nga kandidatë të veçantë. Ky është një problem që ka të bëjë edhe me mënyrën se si media e përcjell fushatën, gjë që ka një impakt shumë të rëndësishëm. Në këtë fushë ka pasur përmirësime në mënyrë absolute, sidomos media elektronike përmes bordit të medias, i cili ka vendosur rregulla që në njëfarë mënyre e kanë rregulluar mënyrën e monitorimit të fushatës dhe përçuarjes së saj në publik. Edhe media e shkruar mund të vendosë disa korniza për të mos u shkelur, duke vendosur një barazi në transmetimin e fushatës, si nga ajo elektronike edhe ajo e shkruar. Spotet apo antireklamat i bëjnë dëm fushatës, nxisin doza konflikti të panevojshëm dhe mendoj se është mirë që këto të ndalohen me ligj. Forcat politike mund të bëjnë fushatë vetëm për programet e tyre elektorale. Përsa i takon zgjidhjes së apelimeve në KQZ, më parë ka pasur një absurditet, ku i njëjti subjekt mund të ankohej dy herë për të njëjtën gjë dhe e dyta është koha e ankimimit që deri më sot ka qenë dhjetë ditë për t’u ankimuar. Mendoj se duhet të shikohet shkurtimi i kësaj kohe në pesë ditë, që janë të mjaftueshme për ankimim në KQZ. Kjo me qëllim që të fitojmë kohë në shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Saktësia e listave zgjedhore dhe kartat e votuesve janë elementë shumë të rëndësishëm që me sa di janë në programin e qeverisë dhe do të jenë të gatshme për zgjedhjet e 2009-s. Saktësia e listave ka të bëjë me kompetencën që kanë kryetarët e bashkive dhe komunave, por dhe kjo përmes një metodologjie nga Ministria e Brendshme. Një element tjetër është thjeshtimi i procedurave të votimit dhe administrimi i procesit të numërimit të votave që duhet të merret parasysh nga ligjvënësit. Mendoj se këto janë disa momente që faktori politik mund t’i shikojë dhe që do të ndikojnë në përmirësimin e ndjeshëm të procesit zgjedhor, performancën, rritjen e besimit, transparencën etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›