E Diel, 1 Nëntor 2026

Estonia vlerëson Berishën si partner i besueshëm për të inkurajuar një bum investimesh

Në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni, kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryeministrin e Estonisë, Andrus Ansip. Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit Berisha në Estoni, kryeministri estonez shprehu përgëzimet e tij për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë. Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe shprehën vullnetin e tyre të përbashkët për intensifikimin e tyre të mëtejshëm, në të gjitha fushat, si në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ekonomi, kulturë, mbrojtje, arsim , etj. Kryeministri estonez vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare dhe kontributin personal të kryeministrit Berisha në progresin e tyre, duke i cilësuar këto reforma shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, Kryeministri Ansip vlerësoi hapat e rëndësishme të Shqipërisë drejt zhvillimit të një demokracie të qëndrueshme dhe të ekonomisë së tregut. “Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, u shpreh zoti Ansip, e kanë bërë tashmë Shqipërinë një partner të besueshëm ekonomik dhe një vend tërheqës për investitorët estonezë”. Duke falënderuar për mikpritjen, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij, për rolin pozitiv që luajti Estonia për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nga ana e Shqipërisë. Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu faktin se Estonia ka qenë ndër vendet e para që ka ratifikuar MSA. Kryeministri Berisha u shpreh se “qeveria shqiptare është e interesuar në mënyrë të veçantë për zgjerimin, thellimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit”. Kryeministri tha se ky vit do të jetë për Shqipërinë , viti i teknologjisë së informacionit. “Megjithëse Shqipëria ka bërë shumë në këtë drejtim, u shpreh Kryeministri, ne mbetemi të vendosur që të bëjmë ç’është e mundur që në Shqipëri të zbatojmë modelin e suksesshëm të Estonisë, duke e sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale”. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht në fushën e arsimit, për zhvillimin e teknikave te reja te teknologjisë së informacionit. Ndërsa, nga ana e tij, kryeministri estonez shprehu gatishmërinë më të madhe për ofrimin e bashkëpunimit, në fushën e teknologjisë së informacionit në mënyrë që Shqipëria të përfitojë maksimalisht nga eksperienca estoneze në këtë fushë. “Përdorimi i teknologjisë së informacionit përbën një mjet të rëndësishëm për shtimin e transparencës dhe uljen e korrupsionit” , u shpreh Ansip. Më pas, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë, në masat konkrete të ndërmarra nga qeveria shqiptare, për lehtësimin e aktivitetit të biznesit në terësi, si vendosja e e-taksave, e-prokurimeve, hapja e ONE STOP SHOP, etj. Kryeministri u shpreh se do të punohet në vazhdimësi për liberalizimin e mëtejshëm të tregut, në mënyrë që të liberalizohen të gjitha shërbimet që ofron qeveria, në mënyrë të veçantë konsolidimi i dhënieve të licencave dhe lejeve, nëpërmjet sistemit ONE STOP SHOP. Duke ftuar investitorët estonezë për të shfrytëzuar pasuritë e panumërta natyrore të Shqipërisë, Kryeministri Berisha i siguroi ata se të investosh në Shqipëri është një histori suksesi. Me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të hapë ambasadën shqiptare në Estoni. Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, Kryeministri estonez Ansip vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për rritjen me 2 % të GDP për mbrojtjen, duke u shprehur se edhe qeveria Estoneze po punon gradualisht për të arritur këtë gjë. Ndër të tjera, gjatë këtij takimi Kryeministri estonez vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe parashikues për biznesin, si ulja në terësi e taksave, vendosja e taksës së sheshtë prej 10 %, rritja e nivelit të të ardhurave, etj. Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin estonez Ansip të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Berisha-Ilves: Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investitorët/Kryeministri Berisha zhvilloi një takim dje me Presidentin e Republikës së Estonisë Toomas Hendrik Ilves. Nga ana e tij, Presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves, shprehu vlerësimin e tij të lartë për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rolin e rëndësishëm të Kryeministrit Berisha në realizimin me sukses të këtyre reformave veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Presidenti Ilves u shpreh se ishte jashtëzakonisht i kënaqur për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO dhe përgëzoi Kryeministrin Berisha për këtë arritje. Në këtë drejtim, ai shprehu mbështetjen për vazhdimin e bashkëpunimit ushtarak, si dhe mbështetjen e Estonisë për integrimin europian të Shqipërisë. Presidenti Ilves tha se “Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara vitet e fundit dhe ne mirëpresim rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit”. Presidenti Ilves u shpreh se si njohës i vendit tonë, Shqipëria ka potenciale të mëdha, veçanërisht në fushën e turizmit. Ai theksoi se suksesi i Shqipërisë duhet të bëhet i njohur në mënyrë që të tërheqë sa më shumë investitorë estonezë. Duke e falënderuar për mikpritjen, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Estonia i ka dhënë dhe i jep dy projekteve më madhore të kombit shqiptar në këtë shekull, integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Kryeministri e njohu Presidentin estonez me reformat e ndërmarra në vend. “Ne, kemi krijuar një klimë politike të mirë në Shqipëri. Së bashku me opozitën kemi filluar dhe së shpejti do të përfundojmë reformën në fushën e gjyqësorit, realizuam reformën elektorale dhe ndryshimet kushtetuese”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se si rezultat i luftës me tolerancë zero kundër krimit të organizuar janë arritur suksese të rëndësishme, janë kapur 206 grupe kriminale, 900 anëtarë të tyre janë dërguar para drejtësisë dhe Shqipëria ka disa nga treguesit më të ulët të kriminalitetit në Europë. Kryeministri theksoi se edhe në luftën kundër korrupsionit ka pasur arritje të rëndësishme dhe ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë luftë. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi shkurtimin e shpenzimeve operative 30 për qind, dixhitalizimin e procedurave, e-procurement, e-taxes, regjistrimin elektronik të bizneseve. “Në sajë edhe të kësaj lufte, edhe pse kemi ulur taksat, të ardhurat janë rritur nga 23 në 27 për qind dhe këtë vit do të shkojnë në 28 për qind të PBB, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për biznesin”, theksoi Berisha. Gjatë takimit, Kryeministri bëri të ditur se në muajin maj Dhoma e Tregtisë do të organizojë forumin e biznesit Shqipëri-Estoni për të promovuar potencialet e mëdha që Shqipëria ofron për investitorët, si dhe reformat që qeveria ka ndërmarrë për krijimin e kushteve të favorshme për biznesin.
Parlamentarët estonezë: Ftesa për në NATO, hap i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë/Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi dje me parlamentarë estonezë, mori vlerësimin e tyre për reformat në Shqipëri, si dhe për hapat e mëdha që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve, në mënyrë të veçantë marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, si “një hap shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë”. Kryeministri Berisha u takua me një grup parlamentarësh estonezë, gjatë të cilit vlerësoi angazhimin e tyre në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. “Shqiptarët dhe estonezët janë dy popujt të vegjël me histori të ngjashme, por që rruga drejt demokracisë i ka çuar drejt zhvillimit dhe të ardhmes së përbashkët euroatlantike”, tha Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi arritjet që Estonia ka bërë në fushën e teknologjisë së informacionit, duke u bërë një shembull shumë pozitiv për vendet e tjera. Më pas, Kryeministri Berisha i njohu parlamentarët estoneze me zhvillimin ekonomik me ritme të shpejta të Shqipërisë, si rezultat i zbatimit të reformës fiskale, si dhe mbi krijimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe lehtësues për investimet e huaja. Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit parlamentar Estoni- Shqipëri, z. Rain Rosimannus, vlerësoi kontributin e qeverisë shqiptare në procesin e reformave, duke theksuar se “Shqipëria ka ecur përpara nëpërmjet reformave të mëdha, të cilat i kanë mundësuar asaj përshpejtimin e proceseve integruese dhe zhvillimin e vendit”. “Është rruga e gjatë dhe e suksesshme që ka bërë Shqipëria drejt integrimit, e cila na lejon të jemi krah për krah në misionet paqeruajtëse në Afganistan”, u shpreh z. Rosimannus, i cili e vuri theksin në të ardhmen e përbashkët euroatlantike të të dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›