E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti i kërkon Prokurorisë dokumentet që duhet të shoqërojnë kërkesën për heqjen e imuunitetit të deputetit Mediu

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin i mbledhur dje për imunitetin e deputetit Mediu ka kërkuar dokumente shtesë nga Prokuroria. “Prokuroria të shoqërojë kërkesën për heqjen e imunitetit të z. Fatmir Mediu me dokumentat ku të jenë akuzat që ajo ka formuluar kundër tij”, tha në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, deputeti republikan Arjan Madhi. Kryetarja e këtij Këshilli, Jozefina Topalli e ka quajtur të drejtë kërkesën e bërë nga ana e z. Madhi lidhur me dokumentat plotësuese. Kryetarja e Kuvendit i kërkoi deputetit Madhi që të paraqesë me shkrim kërkesën për t’ia përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme. Topalli shtoi se “Fatmir Mediu ka të drejtë të flasë dhe të dëgjohet në këtë Këshill”. Ndërkaq, ky organ, brenda katër javësh duhet të marrë në shqyrtim kërkesën në fjalë, së bashku me dokumentacionin përkatës, që shpjegon hollësisht arsyet pse kërkohet heqja e imunitetit. Nga ana tjetër, deputeti Mediu do të lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si edhe do i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Ish-ministri i Mbrojtjes, në bazë të pikës 2 të nenit 118 të rregullores së Kuvendit, do të ketë sakaq të drejtën të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, duhet të hartojë një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj kryerepublikanit Mediu, raporti që u shpërndahet të gjithë deputetëve. Në seancën plenare fjala do t’i jepet në fillim Mediut për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ndërkohë që raporti i Këshillit nuk ka për të qenë objekt diskutimi. Kuvendi do të vendosë me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj tij. Këshilli i Mandateve shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, me qëllim nisjen e hetimit penal ndaj tij, lidhur me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec të bashkisë së Vorës. Gjatë seancës së fundit plenare, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi deputetët për mbërritjen në Parlament të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Kryeprokurorja Ina Rama bëri publike më 25 prill kërkesën zyrtare të organit të akuzës drejtuar Kuvendit, për nisjen e proçedurave të heqjes së imunitetit deputetit Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, me qëllim hetimin penal ndaj tij për ngjarjen e 15 marsit, në Gërdec të bashkisë së Vorës. Sipas Prokurores së Përgjithshme, ish-ministri i Mbrojtjes “me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka krijuar kushte përfitimi për firmat që merreshin me çmontimin e predhave në fabrikën e Gërdecit”. Proçedurat parlamentare parashikojnë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili shqyrton dhe merr vendim për kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Fatmir Mediu.
Në mazhorancë promovohet nisma alternative për heqjen e imunitetit të deputetit, kur ai emërohet ministër/Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi, deklaroi dje se një grup deputetësh të mazhoritancës, të kryesuar nga ai vetë, do t’i paraqesin kryeministrit Sali Berisha, propozimin e tyre, për heqjen e imunitetit të deputetit në rastet kur ky i fundit emërohet ministër. “Kjo kërkesë vjen si pasojë e ngjarjeve të fundit të ndodhura në jetën politike në vend dhe ka si qëllim të thjeshtojë dhe lehtësojë punën e Prokurorisë në rastet kur një ministër është i pandehur apo për më keq i akuzuar,” tha Lesi. Ndërkaq, nëse kjo deklaratë ka të bëjë edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe njëkohësisht kreun aktual të PDK-së, Nard Ndoka, Lesi u përgjigj se “unë personalisht dhe lidhja demokristiane të cilën unë e përfaqësoj nuk dalim në një podium dhe me të njëjtin koalicion elektoral, pjesë e të cilit do të jetë edhe Nard Ndoka. Pra në rast se Nard Ndoka do të vazhdojë të jetë sikurse edhe tani Kryetari i PDK-së nuk firmos koalicionin ku i pranishëm është edhe z. Ndoka. Nëse kryeministri Berisha do të zgjedhë në koalicionin e tij Ndokën, atëherë unë do të jem pjesë e koalicionit tjetër”.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›