Kryeprokurorja Ina Rama banon në shtëpinë e një përdhunuesi

Siç dihet tashmë, ne, interesimin për fatin e kryeprokurores e kemi një çështje të rëndësisë së dorës së parë. Kjo ndodh për arsyen e madhe se sa institucioni i prokurorisë është në përputhje me funksionin ligjor e moral të vet. Pra, çështja e kryeprokurores është një çështje kardinale, ngaqë ajo, me të gjitha mjetet, ka deformuar totalisht rolin e prokurorisë në një shtet demokratik. Ajo demokracinë e ka kthyer në një shpërdorim të ashpër detyre. Duke qenë në mënyrën më tragjike të mundshme krejt pa largpamësi dhe integritet profesional, përfundimisht ajo e çoi veten në udhëkryqe politike dhe mori mbi vete ngarkesa politike, duke e spostuar periudhën e vet kohore të drejtimit të prokurorisë në një periudhë krejt tjetër, në atë kur ligji është Maliq. Kryeprokurorja Ina Rama, e mirëpritur, me respekt dhe konsideratë, e vlerësuar me shpresë se do të ishte një Silvia Konti, midis Silvia Kontit dhe Maliqit shqiptar të ligjit, zgjodhi Maliqin. Ajo zgjodhi gjithashtu të ushqehet me qebapët dhe qoftet e gazetave komuniste, kriminale, dhe t’u shërbejë me zell projekteve për të goditur demokracinë, mirëqeverisjen, për hir të meskiniteteve dhe projektëve të dështakëve politikë. Ajo me një frymëzim ekstremisht zhdanovist krijoi precedentin e hapjes së çështjeve “Kryesisht” nga shtypi, dhe vazhdimisht mbyll sytë para dokumenteve apo merr pjesë dhe i lejon vetes akte antiligjore të rënda.
Nëse ajo vrapoi me intrigë dhe jo me ligj ndaj çështjes “(hiç)Fazlliç”, zonja nuk e ka fare problem të banojë në një apartament të përfituar prej një historie përdhunimi. Ajo e di shumë mirë se rasti i përdhunimit nga Durrësi është shembulli kur në vend që të bëhej klient, agresori i ligjit apo i avokatit, është bërë ajo kliente e kësaj familjeje - asaj i është lënë apartamenti ku aktualisht banon tani, në shkëmbim të mbylljes së çështjes dhe të denoncimit të një akti të rëndë përdhunimi.
Neve nuk na mungojnë detajet e hollësitë, si dhe emrat, por kemi aq etikë të mos përmendim viktimat e kësaj çështjeje, ne na intereson jo krimi ndaj personit në këtë rast, por na intereson krimi ndaj publikut, ndaj ligjit. Duke marrë apartamentin në këmbim të mbylljes së çështjes, tashmë përdhunuesja është vetë kryeprokurorja, e cila ka përdhunuar ligjin dhe dy viktimat prej të cilëve e përfitoi apartamentin. Me një papërgjegjshmëri të çuditshme, kryeprokurorja banon çdo natë aty, dhe nuk ka as vrasjen më të vogël të ndërgjegjes, qoftë edhe në supozimet shekspiriane të dramave. Në qoftë se devotshmëria e kryeprokurores varet nga klima e politikanëve që ajo u shërben, ligji nuk mund të lejojë kurrë që ajo të mbijetojë pa integritet dhe pa performancën e duhur, sepse ajo përfundimisht e ka humbur të drejtën morale të akuzës.
Ka ardhur koha që ajo të rishikojë thelbësisht vetveten, nëse është realisht e aftë dhe e denjë për ta kryer misionin e madh të akuzës ndaj së keqes. Jeta e përditshme e një posti kaq të lartë ka shumë kurthe, të ëmbla dhe të hidhura, e shpesh nuk dallohen se cilat janë të ëmblat e cilat të hidhurat.
Ky artikull mund të duket nga më të hidhurit, por zonjë e nderuar, nuk jemi ne ata që po të shfrytëzojmë për faktin se nesër ti do të japësh llogari. Në fund të fundit, edhe sheqeri quhet vdekje e bardhë. Shkoni dhe banoni në një apartament ku natën nuk mund të dëgjoni thirrjet denoncuese të përdhunimit.