Intervistë e Kryeministrit Berisha dhënë për Zërin e Amerikës

Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, dha sot një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Pyetje: Zoti kryeministër, përpara se të kalojmë te zhvillimet në Shqipëri, këto ditë në Amerikë janë zhvilluar takime të shumta lidhur me kërkesën e pritshme të Presidentit palestinez për njohjen e Palestinës si shtet nga Kombet e Bashkuara. Autoriteti palestinez ka një zyrë përfaqësie në Shqipëri. A ka vendosur qeveria juaj se si do të votojë, pro apo kundër kërkesës për njohjen e shtetit palestinez?
Kryeministri Berisha: Kjo është një nga çështjet më themelore të këtij sesioni dhe mund të theksoj se Shqipëria dhe, pothuajse, shumica e vendeve të botës janë në favor të një shteti të pavarur palestinez. Por kjo, natyrisht, kërkon një proces ndër më të vështirët dhe më seriozët, një dialog intensiv dhe të suksesshëm. Pra ne mendojmë dhe besojmë se shteti i pavarur palestinez është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve palestinezë, por siç theksoi në fjalën e tij presidenti Barack Obama, kjo nuk mund të realizohet nëpërmjet shmangieve apo qarqeve të shkurtra. Qëndrimi ynë bazohet në këtë koncept.
Pyetje: Zoti Kryeministër, të kalojmë te zhvillimet në Shqipëri. Sot në Tiranë parlamenti po merrte në shqyrtim disa nga projekt-ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Partia Socialiste kërkoi tërheqjen e këtyre ligjeve që ato të rishqyrtohen, ndërkohë duke kërkuar edhe nisjen e punës për propozimin e tyre për reformën parlamentare. Si mund të dilet nga kjo situatë? A jeni ju të gatshëm të ofroni kompromis? Dhe çfarë kompromisi mund të ketë për zgjidhjen e kësaj situatë që është vazhdim i ngërçit të vjetër tashme në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Kjo situatë është e tëra e krijuar nga qëndrimet e mëparshme bllokuese të opozitës. Ne mirëpresim propozimin e opozitës për të nisur sa më shpejtë nga puna për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, si dhe për të filluar punën. Ne mirëpresim kërkesën e opozitës, në qoftë se ajo nuk ka synime bllokuese, për të rishqyrtuar në komisionet parlamentare ligjet e dërguara nga qeveria. Sikundër, theksojmë se qeveria është qeveri dhe dega ekzekutive është degë ekzekutive. Parlamenti është parlament dhe ka kompetencat e tij. Pra është e drejtë kërkesa e opozitës për të kërkuar rishqyrtim së bashku të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare, për të paraqitur amendamente për to, por ne urojmë dhe shpresojmë që kjo të mos jetë një taktikë e re bllokuese, gjë e cila do të provohet lehtë gjatë ditëve dhe javëve që vijnë.
Pyetje: Zoti Berisha pas disa javësh, në fillim të tetorit, vendi juaj pret një përgjigje nga Brukseli për statusin e vendit kandidat. Çfarë pritshmërie keni ju për përgjigjen nga Bashkimi Evropian?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se Brukseli ka bërë punën e tij. Bllokimi ka qenë në Tiranë dhe sërish është në Tiranë. Në qoftë se është pritur deri ditën e fundit për të mos votuar ligjet me 3/5, të domosdoshme për reformat e ndryshme, kjo ka pasur vetëm një qëllim, të bllokojë këtë proces. Në qoftë se kërkohet pikërisht pas të gjitha afateve të përfillshme të nisë puna për reformën zgjedhore, punë e cila mund të kishte nisur edhe 2 vite më parë, natyrisht, kjo nuk është më një çështje e Brukselit, por kjo është një çështje e Tiranës. Është një çështje e atyre që kanë zgjedhur bllokimin e një procesi, i cili kërkon disa ligje me 3/5. Për këtë opozita shqiptare është bërë e njohur me qëndrimin e saj bllokues për vizat, por fatmirësisht për vizat nuk kishte ndonjë kërkesë për ligje me 3/5, se ju garantoj që edhe vizat nuk do të ishin marrë. Sidoqoftë, e shkuara është e shkuara, është një kapitull i cili mund të mbyllet, duke dëshmuar vullnet të hekurt për të promovuar, për të votuar ligjet që kërkojnë 3/5 që janë në interesin e çdo qytetari për të mos bllokuar procesin e integrimit, për të ndërmarrë reformën zgjedhore dhe adresuar të 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR të bëra për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, për zgjedhjet lokale të viti 2011.
Pyetje: Zoti Berisha, ju fajësuat opozitën për mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 3/5, por ju si qeveri, si shumicë a ndjeni përgjegjësi për këtë fazë ku ndodhet Shqipëria sot, që nuk arrin ta kapërcejë këtë prag për të marrë statusin e kandidatit?
Kryeministri Berisha: Statusi i kandidatit, Shqipërisë i është përcaktuar me kusht që të plotësohen këto kërkesa. Qeveria ka plotësuar dhe ka një plan pune në Komisionin e Integrimit që e ka dhe opozita të qartë, ka plotësuar dhe plotëson kërkesat e saj që nuk janë me 3/5. Natyrisht, meqënëse po insistoni, opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetaret, jo për të votuar dhe këtë e di çdo shqiptar, e ka përdorur atë për të bllokuar, siç përdori përpjekje të mëdha për të bllokuar vizat që ishin interesi jetik i çdo qytetari. Uroj dhe shpresoj që të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga politika bllokuese, pasi më 8 maj shqiptarët i dhanë një përgjigje plebishitare asaj politike.
Pyetje: Zoti Berisha, dy herë në komentet tuaja ju ju referuat reformës së pritshme zgjedhore. Të dy palët, qoftë ju, qoftë socialistët i keni përcaktuar përfaqësuesit tuaj. A mendoni se këtë herë kjo reforme do të mbyllet në kohën e përshtatshme dhe nuk do të ketë zvarritje siç ka ndodhur në të kaluarën?
Kryeministri Berisha: Reforma për zgjedhjet e 2009 u krye në kohën më optimale dhe unë besoj se kjo reformë ka të gjitha mundësitë të kryhet në kohën më optimale. Tani, forcat politike kanë përpara një program pune, i cili do të bazohet i tëri në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ne jemi të gatshëm ti adresojmë ato, një pjesë e tyre kërkojnë ndërhyrje ligjore, pjesa tjetër kërkon ndërhyrjen e qeverisë, të ministrive dhe të KQZ. Që të gjitha këto jemi plotësisht dakord që të jenë objekt diskutimi në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Pyetje: Zoti Berisha, dje në një intervistë u shprehët se vendi juaj nuk do të preket nga kriza e borxheve që po përjetojnë disa vende të eurozonës, si fqinji juaj Greqia dhe në të njëjtën kohë nuk do të ketë pasoja as nga problemet, me të cilat po ndeshen disa banka të mëdha evropiane. Cila është gjendja e Shqipërisë, a keni ju të ardhurat e duhura buxhetore për të financuar programet qeveritare dhe investimet që keni parashikuar, duke qëndruar brenda kufirit të 60 % të borxhit publik?
Kryeministri Berisha: Nga viti 2007 në vitin 2011, Evropa dhe bota përjetuan krizën më të thellë. E vërteta është që statistikat botërore faktojnë se në Shqipëri, investimet e huaja u rritën në këtë periudhë me 315 % , se ne Shqipëri eksportet e këtij vendi u rritën në këtë periudhë me 300 %, se në Shqipëri u realizuan programet e punëve publike, më të mëdha se në të gjitha kohërat të marra së bashku. Duke theksuar të gjitha këto është absolutisht reale se kriza evropiane dhe botërore ka patur reflektimet e saj, se në rast se nuk do të kishte qenë ajo, rritja ekonomike nuk do të kishte qenë 3 apo 4 %, por do të mund të ishte 13 apo 14 % me të gjithë kuadrin ligjor, rregullator që ka Shqipëria.
Gazetari: Zoti Berisha, ju falënderojmë shumë për kohën tuaj që na kushtuat nga New York.
22/09/2011