E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në New York, me Presidentin e Mozambikut Armando Guebuza

Gjate vizitës në New York, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Mozambikut, z. Armando Guebuza.

Gjatë bisedës u konfirmua vullneti i të dy vendeve për të zhvilluar marrëdhënie në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si edhe për të kompletuar kuadrin ligjor mbi të cilën do të bazohet ky bashkëpunim. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Guebuza shprehën dëshirën për të intensifikimin e shkëmbimeve politike  në nivelet më të larta.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar Presidentit Guebuza që Mozambiku të marrë në konsideratë shqyrtimin e dosjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si një e drejtë legjitime e popullit të saj, e rikonfirmuar qartësisht edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Njohja e pavarësisë së Kosovës do të zhbëjë padrejtësitë e mëdha historike ndaj shqiptarëve­, - vijoi më tej Kryeministri Berisha  - të cilët si asnjë komb tjetër në Europë përjetuan copëtime të padrejta, pushtime të egra, gjenocid e spastrim etnik. Sot, Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti e miqësie në rajon, i cili pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është më i qetë se kurrë, ndaj njohja e pavarësisë së shtetit më të ri të Europës i shërben konsolidimit të mëtejshëm të një Ballkani në paqe dhe të ardhmes europiane të vendeve të tij.


23/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›