E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizohet forumi: “Përdorimi i TIK për një Trashëgimi Kulturore të Qëndrueshme”

U mbajt sot në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), forumi “Përdorimi i TIK për një Trashëgimi Kulturore të Qëndrueshme” organizuar nga fondacioni Art & Trashëgimi  me mbështetjen e  MTKRS dhe Ministrisë  për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK). 

Në forum përshëndetën ministrat Z. Genc Pollo, Ministër i MITIK dhe Z. Aldo Bumci, Ministër i MTKRS, por edhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi, si dhe  përfaqësuesja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun.

Ministri Pollo gjatë forumit tha ndër të tjera: “Mendoj se ne kemi një kuadër për këtë çështje, kemi strategjinë kombëtare të shoqërisë së informacionit, e cila parashikon ngritjen e shumë portaleve të pasurive tona të shumta kulturore, etj. Por kjo mund plotësohet me shumë projekte për të realizuar së pari, ruajtjen e trashëgimisë që kemi dhe së dyti divulgimin, shpërndarjen, bërjen të njohur të kësaj pasurie në vend dhe në botë. Ministri Bumçi tha se Shqipëria ende shihet si sekret i Evropës: ka dy qasje ndaj këtij perceptimi: e para negative, sepse Shqipëria mbetet sekret për shkak të izolimit shumë vjeçar të diktaturës, por kjo duhet të tejkalohet. Dhe qasja e dytë, më pozitive, pasi natyra njerëzore priret nga zbulimi i të panjohurës, priret nga njohja e asaj që është sekrete dhe një gjë e tillë do të ishte një atraksion plus për vendin, në një kohë që numri i turistëve në vend shtohet çdo vit. 

Unë do të kujtoja disa viteve më parë, kur unë kam qenë ministër arsimi, shqetësimin që kishim me Institutin e Kulturës Etnografike, ku ruheshin shiritat e magnetofonit, ku regjistroheshin shumë këngë të folklorit shqiptar, të tëra të shumë viteve më parë dhe të cilat për shkak të kohës së kaluar dhe kushteve të papërshtatshme të ruajtjes rrezikonin të degradoheshin dhe të humbnin, duke marrë me vete edhe një thesar kulturor të pazëvendësueshëm. Por ne e zgjidhëm këtë problem dhe z. Marashi i QSA i pranishëm në këtë sallë do të flasë për këtë. Përdorimi i teknologjive të informacionit është ai i duhuri në mënyrë që të ruajmë atë trashëgimi që kemi. Një shembull tjetër, kohët e fundit, po punojmë me arkivin e Radio-Televizionit Shqiptar e cila gjithashtu është në gjendje jo të mirë të mirëmbajtjes dhe të kushteve teknike dhe po shikojmë mundësinë për ta hedhur të gjithë informacionin nga një bazë analoge në digjitale, ku ruajtja e përmbajtjes dhe cilësisë së tyre do të jetë e garantuar. Ajo që ne mund të ofrojmë është të asistojmë në strategjitë më të vogla ndërsektoriale, në termat e referencës, në mënyrë që të zgjidhet teknologjia e duhur që këto vlera të kulturës sonë të jenë të ruajtura dhe të aksesueshme sa më gjerë.

Falënderoj fondacionin Argjiro dhe Tirana Business University për projekt-idenë për digjitalizimit e muzeut Onufri në Berat. Këtë e them jo vetëm se jam deputet i këtij qarku, për kjo është një iniciativë që do të vinte në pah një nga perlat e trashëgimisë kulturore në vend.”

Ndërsa Ministri Bumçi tha gjatë fjalës së tij se trashëgimia jonë kulturore përbën një pasuri kombëtare të cilën duhet ta promovojmë. “Ne mbetemi kombi më pak i njohur në Evropë, sekreti i Evropës, por trashëgimia jonë kulturore, për të cilën ne jemi krenarë, është ajo që duhet të na bëjë ne shqiptarët të veçantë dhe të njohur në Evropë. Për tepër trashëgimia kulturore është e rëndësishme edhe për zhvillimin e turizmit dhe jo vetëm në disa zona, jo vetëm në bregdet, por në gjithë vendin tonë dhe në të gjitha sezonet.”

Përfaqësuesja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun përshëndeti iniciativën shumë të rëndësishme për të ruajtur memorien kulturore të kombit shqiptar dhe foli për angazhimin e OKB-së në këtë fushë me qëllim ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor në botë.

Ndërsa shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi tha ndër të tjera se: “Nëpërmjet aplikimeve të reja të teknologjive të informacionit, dorëshkrime, harta fotografi të vjetra, etj., do të mund të ruhen këto vepra mund të skanohen, duke ruajtur kështu jo vetëm përmbajtjen e tyre, por ato mund të bëhen të aksesueshme për të gjithë botën. Teknologjitë e reja kanë sjellë tashmë trashëgiminë historike dhe kulturore më afër dhe vazhdimisht këto teknologji po ndihmojnë që kultura të ndryshme të njihen dhe të kuptohen botërisht.”

Rritja e përdorimit të Teknologjive të Reja të Informacionit dhe të Komunikimit për studimin, konservimin, vlerësimin e monumenteve dhe te veprave të artit, ka krijuar kushtet për një revolucion të vërtetë në fushën e Trashëgimisë Kulturore. Ky Forum kërkon të vërë në pah mundësitë e reja teknologjike për  të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore shqiptare,  dhe format se si ato mund të administrohen dhe mbrohen.

Teknologjitë e reja për komunikimin e trashëgimisë artistike dhe kulturore mund të kenë një impakt të rëndësishëm ekonomik, ashtu siç u ilustrua gjatë Forumit, nëpërmjet prezantimeve të drejtuesve të institucioneve, eksperteve, botës akademike si dhe sektorit privat.

Qëllimi i Forumit është kryesisht i orientuar që të përkufizojë një rrugë metodologjike për të elaboruar një strategji komunikimi në mënyrë që të rritet interesi për Trashëgiminë Kulturore


23/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›