Fjala e plotë e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Fjala e plotë e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
“Z. Sekretar i Përgjithshëm,
Z. President i Asamblesë së Përgjithshme,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, është një kënaqësi e veçantë t’Ju shpreh juve, Shkëlqesi z. Ali Abdussalam Treki, President i Asamblesë së Përgjithshme, urimet e mia për punën e shkëlqyer për drejtimin e sesionit të 64-të kësaj Asambleje. Gjithashtu do të doja të falënderoja paraardhësin tuaj, zotin Miguel Escorto Brockmann, për punën e bërë në drejtimin e sesionit të 63-të të kësaj Asambleje.
Me këtë rast dua t’ju përshëndes Ju të gjithëve, Shkëlqesi të pranishëm në këtë sallë si dhe të shpreh konsideratën time më të lartë për Ju, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, për profesionalizmin dhe kompetencën e lartë në drejtimin e Kombeve të Bashkuara, kësaj organizate si dhe të njoh kontributin Tuaj personal, të rëndësishëm për suksesin e këtij sesioni.
Z. President,
Ne jemi mbledhur sot, pas një viti gjatë të cilit bota u përball me njërën prej krizave më të rënda financiare dhe ekonomike në historinë e saj. Mblidhemi sërish në një kohë, kur me qindra milionë njerëz në planetin tonë shtypen nga regjime tiranike, ose përballen me varfëri të skajshme, sëmundje dhe probleme të mëdha shëndetësore dhe sociale.
Mblidhemi në një kohë kur konflikte të egra vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme, në disa rajone të planetit tonë. Shqipëria dhe populli shqiptar, mbeten të angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe janë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre modest në përparimin e paqes, lirisë dhe sigurisë dhe respektit të të drejtave të njeriut, luftën ndaj varfërisë, nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe prosperitetit si dhe mbrojtjes së mjedisit.
Shqipëria, si një vend evropian mbetet tërësisht e angazhuar dhe e vendosur të ndërmarre çdo reformë, çdo vendim dhe çdo gjë tjetër që do te lipsej, për anëtarësimin e saj ne Bashkimin Evropian. Rreth 94% e shqiptareve mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë ne BE, çka përben një inkurajim dhe detyrim te madh për qeverinë time për ta avancuar ketë proces me shpejtësi. Ketë vjeshtë ne presim vendime pozitive nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian për statusin e kandidatit dhe për shqyrtimin e kërkesës sonë për liberalizimin e vizave.
Zoti President,
Shqipëria është vendi i një demokracie të re, por funksionale. Rreth dy muaj me parë, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare për të cilat vëzhguesit ndërkombëtar, OSBE/ODIHR, u shprehën se ato përmbushen standardet kryesore të OSBE-së dhe meritojnë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv. Qeveria e re e sapo formuar ka përcaktuar si shtylla kryesore të programit të saj ndërtimin e një infrastrukture të re e moderne për vendin, çuarjen e Shqipërisë ne moshën digjitale, reformimin e sistemit të shëndetësisë, arsimit , luftën me përparësi të madhe kundër varfërisë dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Vitin e ardhshëm, ne se bashku do të bëjmë një analizë se ku jemi me plotësimin e objektivave te mijëvjeçarit. Shqipëria ka bërë përpjekje për një progres thelbësor në ketë drejtim.
Në një hark kohor tre vjeçar, rreth 400 000 mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria, ndërsa varfëria ekstreme pësoi një ulje prej rreth 70%. U krijuan dhjetra e mijëra vende te reja pune, u dyfishua numri i studenteve si dhe ra ne mënyre të ndjeshme vdekshmëria foshnjore.
Zonja dhe zotërinj,
Vitet 2008 dhe 2009 kanë qënë vitet e krizës më të keqe financiare dhe ekonomike që bota ka njohur që prej Depresonit të Madh. Ekonomia shqiptare i përjetoi pasojat e kësaj krize. Eksportet ranë me 10% dhe niveli i kreditimit ra në mënyrë drastike. Pavarësisht këtyre pasojave, GDP shqiptare u rrit me më shumë se 5 % në gjashtë muajt e parë të vitit 2009; të ardhurat shënuan një rritje prej 8% në krahasim me vitin e kaluar dhe investimet e huaja direkte ishin 59% më të larta se viti i kaluar.
Mendoj se faktorët kryesorë që mbrojtën ekonominë shqiptare nga kriza kanë qenë së pari fakti që Shqipëria ka barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe ekonomia është e mbështetur gjerësisht në standarde liberale. Së dyti fakti se qeveria ka investuar në projektet e infrastrukturës në nivelin 10% të GDP-së, në vitin 2009, ose 20% e GDP-së së vitit 2008 u investua në infrastrukturë gjatë dy viteve të fundit të marra sëbashku. Së treti reformat e thella për një qeveri të vogël, si rezultat i të cilave Shqipëria tani ka një prej administratave më të vogla për frymë në Evropë dhe në të gjithë botën dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është klima më e favorshme e biznesit dhe e investimeve, krijuar nga qeveria ime gjatë katër viteve që kaluan.
Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të ftoj investitorë nga vendet tuaja ta konsiderojnë vendin tim për projektet e tyre, që patjeter do të kthehen në një histori suksesi për ta dhe për Shqipërinë.
Zoti Kryetar,
Shqipëria ka ruajtur një bashkëpunim të shkëlqyer me OKB-në dhe organizatat që varen prej saj. Shqipëria është një ndër vendet pilot të nismës “Delivering as one” duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për këtë reformë të OKB-së. “Delivering as One” sjell një mekanizëm të shkëlqyer për kursimin e kohës dhe parasë si dhe një koordinim shumë më efiçent të agjencive të OKB-së, në bashkëpunim me vendin anëtar.
Ky projekt në vendin tim po ecën mjaft mirë si pasojë e sigurimit të koherencës dhe koordinimit të nevojshëm të aktiviteteve të organizatave të Sistemit të OKB-së dhe institucioneve kombëtare lidhur me harmonizimin e projekteve në bazë të prioriteteve të vendit tonë. Ne besojmë se prioritetet e reformave, strategjitë kombëtare për integrimin evropian janë plotësisht të harmonizuara me Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit si dhe me synimet e projektit “Delivering as One”. Rezultati i deritanishëm po tregon se i gjithë ky projekt, filozofia e të cilit qëndron në bazë të pronësisë kombëtare, ka patur një efiçencë të lartë të zbatimit të programeve për zhvillim të OKB-së.
Shqipëria është një shoqëri me shumë besime fetare, por me një harmoni të shkëlqyer fetare. Në kuadër të Aleancës së Civilizimeve dhe në përputhje me Strategjinë Kombëtare të dialogut ndërkulturor, ne po ofrojmë shembullin tonë në bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, si një ndër trashëgimitë më të shkëlqyera shpirtërore të kombit tonë, si një kontribut ndaj qëllimeve të kësaj iniciative të OKB-së.
Ky sesion i OKB-së u hap me Samitin për Ndryshimet e Klimës. Kam kënaqësinë t’ju bëj me dije se 94% e energjisë elektrike që konsumon vendi im vjen prej energjisë së rinovueshme. Ndonëse jemi të hapur edhe për alternativa të tjera energjie, përfshi atë nukleare, ne po punojmë dhe kemi siguruar rreth pesë miliardë euro investime për parqe të reja të energjisë hidrike, erës dhe biomasës. Shqipëria synon të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjitike në rajon.
Zoti President,
Zonja dhe Zotërinj,
Dekada e fundit e konflikteve të rënda në rajonin e Ballkanit duket se po arkivohet në analet e historisë. Vendet në këtë rajon janë angazhuar në një proces bashkëpunimi të gjithanshëm dhe integrimi euroatlantik.
Këtë vit Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare të NATO-s, ndërsa vende të tjera të rajonit kanë bërë përparime thelbësore drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Por më duhet të theksoj në këtë pikë se themelimi i shtetit të pavarur të Kosovës, ndonëse ka kaluar vetëm një periudhë kohore e shkurtër, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Evropës Juglindore. Në këtë vend që ka shpallur Pavarësinë rreth 20 muaj më parë, janë ulur ndjeshëm tensionet ndëretnike, serbët nuk po largohen më nga Kosova, po ndodh e kundërta, shumë familje serbe po kthehen në Kosovë për të ndërtuar aty të ardhmen e tyre. Qeveria ime është e vendosur të ndihmojë dhe asistojë qeverinë e Kosovës në projektet e saj për të lehtësuar kthimin e të larguarve.
Bashkimi Evropian ka dërguar aty misionin Eulex, i cili po bën një punë të shkëlqyer dhe po i jep një ndihmë shumë të çmuar qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të saj në konsolidimin e shtetit ligjor, demokracisë funksionale në Kosovë si dhe në zhvillimin e standardeve më të mira evropiane të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme etnike. KFOR-i gjithashtu po luan një rol shumë pozitiv dhe fakti që misioni i tij po reduktohet në mënyrë drastike është një dëshmi e qartë e stabilitetit të këtij vendi.
Ndërkohë, Kosovën e kanë njohur 62 vende anëtare të OKB-së dhe Republika e Kosovës është bërë anëtare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Por Kosova ende nuk ka marrë vendin që meriton në familjen e kombeve sovrane, në këtë organizatë prestigjioze.
Me këtë rast dëshiroj të theksoj se të gjitha vendet, që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare që e kanë pranuar atë në gjirin e tyre, si vend anëtar i pavarur e kanë bërë sepse mbi te gjitha ata janë të bindur se pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare sjell një kontribut madhor në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.
Ndaj shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju shprehur mirënjohjen time të thellë qeverive të vendeve anëtare të OKB-së, që të vendosin për shqyrtim në axhendën e tyre rishikimin dhe vlerësimin e këtij realiteti ekzistues në rajonin e Evropës Juglindore dhe mundësisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Në gjykimin tim modest, ky do të ishte një kontribut shumë i madh për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.
Katërmbëdhjetë vjet më parë, pasi dënuan shtypjen, dhunën dhe barbarizmin e regjimit të Miloshvicit kundër shqiptarëve të Kosovës, 137 vendet anëtare të OKB-së votuan rezolutën 49/204, të 23 dhjetorit 1994, për njohjen dhe respektimin e vullnetit të popullit të Kosovës. Sot, ky vullnet është shndërruar në realitetin e Kosovës së pavarur. Sot, ky vullnet njihet nga 62 vende që dhanë këtë votë historike.
Ndaj ju bëj një thirrje të veçante të gjithë atyre vendeve që 14 vjet më parë, përmes rezolutës nr. 49/204, kërkuan me votën e tyre qe vullneti i popullit të Kosovës të njihet dhe të respektohet duke dhëne kështu një kontribut të madh në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë: Sot, 14 vite me vonë, ky vullnet është njohur nga 62 vende që asokohe e votuan ketë rezolute.
Shpresoj dhe besoj se edhe vende të tjera që votuan këtë rezolutë historike do të rikonfirmojnë vullnetin që shprehën 14 vite më parë, por kësaj here për të njohur shtetin më të ri evropian, Republikën e Kosovës.
Z. Kryetar,
Me politiken e saj te jashtme paqësore dhe te marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet, me kontributin e saj modest në misionet ndërkombëtare në shërbim të paqes e në mbrojtje të të drejtave te njeriut, me politikat e fqinjësisë së mire e te bashkëpunimit si edhe rolin e saj te moderuar dhe konstruktiv ne rajon, Shqipëria është transformuar në kontribuese dhe prodhuese e drejtpërdrejtë e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, e me gjerë ne arenën ndërkombëtare.
Sot Shqipëria kontribuon me trupa paqeruajtëse në disa operacione ndërkombëtare në kuadrin e OKB-së dhe të organizatave të tjera rajonale të sigurisë, si në Afganistan, Bosnjë, Irak, Çad..etj.
Vetëm para dy muajsh, Shqipëria dyfishoi kontingjentin e trupave të saj në kuadër të ISAF. Vendi im vlerëson dhe mbështet çdo përpjekje për paqe dhe siguri globale dhe do të vazhdoj të mbështesë të gjitha përpjekjet e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe aktorëve të tjerë nxitës së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në botë, duke theksuar këtu edhe kërcënimin që i bëjnë botës ato vende si Irani dhe Korea e Veriut me programet e tyre shumë të rrezikshme nukleare.
Zoti Kryetar,
Zonja dhe Zotërinj,
Të gjitha vendet anëtare të OKB-së ndajnë përgjegjësinë për funksionimin e mire dhe efektiv te saj. Askush nuk mund të injorojë gjurmët e veprimtarisë së OKB-se në shumë fusha. Kudo ku ka kriza, varfëri, uri, sëmundje apo vuajtje aty është edhe OKB për të dhënë mbështetje dhe lehtësim.
Megjithatë për një kohë të gjatë është konstatuar se bota, vendet dhe marrëdhëniet mes tyre zhvillohen dhe evoluojnë me një ritem më të shpejtë sesa aftësia e kësaj organizate për t’iu përshtatur.
Ndaj, Shqipëria mbështet vazhdimin e procesit të reformimit të Organizatës dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë drejtim lehtësimi i mekanizimit të vendim-marrjes ka një rëndësi parësore. Ne mbështesim përpjekjet për reformimin e Këshillit të Sigurisë. Ne besojmë se për të arritur sfidat e shekullit të 21, kemi nevojë për një Këshill Sigurimi efiçent, transparent dhe legjitim në procesin e vendim-marrjes dhe ku vendet anëtare individuale dhe rajonale janë të përfaqësuara në mënyre të përshtatshme.
Ju faleminderit për vëmendjen!”
27/09/2009