Presidenti Topi nderon kujtimin dhe veprën e atdhetarëve në shërbim të shtetit shqiptar.

28 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi sot kujtimin dhe veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve që punuan, luftuan dhe dhanë edhe jetën në shërbim të Shqipërisë. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, Kryetari i Shtetit, në praninë e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, si dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të institucioneve shtetërore shqiptare, vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve në këtë ditë, Presidenti Topi u shpreh: “Në këtë ditë të veçantë, në ditën e themelimit të shtetit shqiptar është një kënaqësi e veçantë t’u uroj të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë: gëzuar këtë ditë të madhe! Dhe sot kemi rastin që të rikthejmë në memorien tonë më shumë se kurrë veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve, patriotëve, të cilët bënë të mundur që të luftohej pa e ndërprerë asnjë moment aktivitetin e tyre, për mbijetesën e shtetit shqiptar, për identitetin e tij dhe kuptohet pas kaq vitesh, ne kemi një Shqipëri jo vetëm me një identitet të qartë, por një vend anëtar të NATO-s dhe së shpejti një vend të Bashkimit Evropian. Besoj që kjo është një ditë, e cila na lejon që t’i rikthehemi së kaluarës, por më shumë t’i kthehemi së ardhmes sonë. Falemnderit dhe urime të gjithëve”!
Në vijim të veprimtarive përkujtimore, Kreu i shtetit shqiptar bëri sot vizita në familjet e dëshmorëve Margarita e Kristaq Tutulani dhe Myslym Keta.