Meta, takon homologun e tij austriak, Spindelegger

“Lëvizja e lirë dhe integrimi në BE, do kenë mbështetjen e Austrisë”
Austria do të mbështesë Shqipërinë në aspiratën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave. Këtë garanci ka dhënë dje, ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Diplomati austriak, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin Meta, u shpreh se progresi i Shqipërisë është i dukshëm dhe se Austria do ta mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt komunitetit evropian dhe, tha ai, mendohet se Shqipëria dhe disa vende të tjera ballkanike po bëjnë një punë të mirë për të arritur drejt këtij qëllimi. “Liberalizimi i vizave është një pikë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e tjera ballkanike”, u shpreh Spindelegger.
Ai vlerësoi se Shqipëria ka bërë një përparim të madh dhe kështu mendojnë edhe partnerët e tjerë si për shembull në pikat e prodhimit të pasaportave biometrike, luftës kundër kriminalitetit etj. Ministri i Jashtëm i Austrisë nënvizoi gjithashtu se e sheh me perspektivë të qartë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është nga ato vende që po ecën drejt komunitetit Evropian dhe Austria e mbështet perspektivën e saj. Pritet që vetë Shqipëria të bëjë një punë të mirë për arritur reformat që duhet të realizohen për t’u bërë pjesë e këtij komuniteti”, tha ministri i Jashtëm austriak, Spindelegger.
Ndërsa shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta u shpreh se Shqipëria e ka të nevojshme mbështetjen e Austrisë, lidhur me sfidat e integrimit në BE dhe të lëvizjes së lirë. “Në mënyrë të veçantë do të theksoja dhe do të shprehja mirënjohjen tonë për mbështetjen e jashtëzakonshme që Austria i jep Shqipërisë lidhur me sfidat tona për integrimin në BE. Mbështetja e Austrisë është jo vetëm shumë e vendosur politikisht, përsa i takon liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në”, tha Meta.
Ai shtoi se Austria i akordon Shqipërisë një asistencë konkrete për të realizuar disa standarde në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve dhe aspekteve të tjera për të cilat, dy ministritë e Brendshme do të bashkëpunojnë ngushtë. “Ashtu sikurse dihet që Austria ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga mbështetëset kryesore për aplikimin e Shqipërisë në BE. Vizita e Ministrit të Jashtëm austriak është shumë intensive”, tha Meta.
Për sa i përket shqyrtimit të kërkesës së aplikimit të Shqipërisë në BE, ministri Meta u shpreh se kjo është procedurale dhe do të shqyrtohet brenda kërkesave kohore të përcaktuara nga Brukseli. Lidhur me pyetësorin e Komisionit Evropian, nga përgjigjet e të cilit varet procesi i lëvizjes së lirë dhe hapat e mëtejshëm në BE, ministri i Jashtëm Ilir Meta shtoi se qeveria ka nisur koordinimin e kapaciteteve për pyetësorin e BE. Lidhur me bojkotin e punimeve të Kuvendit, nga opozita, ministri Meta deklaroi se rruga më e mirë për vendin është pjesëmarrja në parlament. “Rruga më e drejtë për vendin, opozita në parlament. Qeveria vullnet të plotë për bashkëpunim”, tha Meta.
Për çështjen në fjalë u shpreh dhe ministri austriak Spindelegger, duke deklaruar se “Shqipërisë do t’i duhet të ecë në një rrugë, dhe të ketë një qëllim të përbashkët”.
...