E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Papandreut: Marrëdhëniet mes dy vendeve do vazhdojnë të jenë të shkëlqyera

Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh urimi kryeministrit të ri të Greqisë,  Jorgos Papandreu me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë. Kreu i qeverisë shqiptare shprehe se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera, sepse ato janë ndërtuar mbi ndjenjat e miqësisë tradicionale ndërmjet dy popujve tanë fqinj e miq. “Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj Kryeministër të Greqisë, t’Ju përcjell, në emrin tim dhe të qeverisë Shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore, për suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara.

Jam i bindur se me vizionin dhe platformën Tuaj politike, do t’i ofroni vendit alternativën më efikase për përballimin e sfidave, me të cilat ai përballet, dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të tij, në të mirë të jetës e begatisë së qytetarëve të vendit Tuaj”, shpreh në urimin e tij Berisha. Shefi i ekzekutivit shqiptar shprehet i sigurtë se marrëdhëniet mes dy vendeve do vazhdojnë të jenë të shkëlqyera. “Mbështetja që Greqia i ka dhënë, në mënyrë të vazhdueshme, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe procesit të integrimit ne Bashkimin Evropian, është shprehje e shkëlqyer e këtyre ndjenjave dhe e solidaritetit ndërmjet dy vendeve tona e popujve tanë. Greqia është njëri ndër partnerët kryesorë, ekonomikë e tregtarë, të Shqipërisë dhe investitorët nga vendi Juaj kanë pasur histori suksesi në vendin tim”, thuhet më tej në urimin e kryeministrit. Berisha thekson gjithashtu se, “qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar për t’i çuar edhe më tej këto marrëdhënie, për ta zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, si në rrafshin dypalësh, edhe në atë shumëpalësh, e në veçanti, në kuadër të NATO-s dhe integrimit në BE”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›