E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli – Spiendelegger: Shqipëria, me progres të dukshëm - po bën hapa të mëdha drejt BE-së

“Shqipëria po jep mesazhe shumë të mira. Progresi është i dukshëm dhe po bëni hapa të mëdha përpara”, kështu u shpreh dje ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spiendelegger, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ministri Spiendelegger, një nga figurat më të rëndësishme dhe më të spikatura të politikës austriake por edhe evropiane vlerësoi, jo vetëm ecjen

e Shqipërisë përpara, por edhe rolin e saj thelbësor në paqen dhe stabilitetin  e rajonit. Ministri Spiendelegger përgëzoi Kryetaren e Kuvendit për zgjedhjet parlamentare dhe për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit, duke shtuar se kjo do të ndikojë në vijimin e bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen austriake veçanërisht në modernizimin e infrastrukturës zgjedhore duke shtuar se “zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat të zhvilluara, me standarde të larta, me infrastrukturë të aplikuar për herë të parë, në transparencën maksimale, të certifikuara në unanimitet nga KQZ dhe të vlerësuara nga të gjitha raportet ndërkombëtare. Duke folur mbi sfidat e parlamentarizmit në këtë mandat, kryetarja e Kuvendit veçoi forcimin e kuadrit ligjor me ligje të  standardeve të larta evropiane. Ajo tha se Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s dhe aplikuese për statusin kandidat në BE,  ka nevojë për ligje shumë të mira, dhe fokusi i punës do të jetë pikërisht një kuadër ligjor që t’i përgjigjet stadit ku Shqipëria kërkon të jetë. Kryetarja e Kuvendin, duke theksuar ftesën që në mënyrë të përsëritur i ka bërë deputetëve të opozitës, tha se Parlamenti, si arena kryesore e debatit politik, është vendi ku negociohet, ku bisedohet e ku janë arritur kompromise, ndaj dhe prania e opozitës në parlament është shumë e rëndësishme për vetë opozitën por edhe për vendin.” Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave Ministri Spiendelegger tha se Austria do të bëjë më të mirën në mbështetje të kësaj ambicieje. “Ju po bëni shumë në këtë drejtim tha ai, duke shtuar se për Shqipërinë prania e të gjithë forcave politike në Parlament është shumë e rëndësishme. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›