Kryeministri Berisha takon ministrin e Jashtëm të Austrisë Michael Spindelegger

Qeveria, e përkushtuar në realizimin e standardeve për integrimin në BE
Kryeministri Sali Berisha i shprehu dje ministri të Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, se qeveria e drejtuar prej tij është tërësisht e përkushtuar për realizimin e reformave, në kuadër të integrimit të vendit në BE. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Berisha e falënderoi Spindelegger për përkrahjen dhe ndihmën e gjithanshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha.
Nga ana e tij, ministri Spindelegger e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe lidhjet e ngushta midis dy vendeve, duke nënvizuar se Austria do të vazhdojë të mbështesë dhe përkrahë Shqipërinë në të gjitha fushat.
Duke i shprehur urimet më të përzemërta Berishës, për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Shqipërisë, ministri Spindelegger e garantoi kreun e qeverisë shqiptare se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian si për sa i përket shqyrtimit të aplikimit për anëtarësinë dhe statusin e kandidatit, ashtu edhe për sa i përket liberalizmit të vizave.
Shefi i ekzekutivit, Berisha, duke e falënderuar për mbështetjen dhe ndihmën e Austrisë, theksoi se qeveria shqiptare e ka parë gjithmonë procesin e integrimit në BE dhe stadet e tij si një proces të bazuar mbi performancën dhe është tërësisht e përkushtuar dhe po punon për përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza në hapësirën evropiane dhe të shohin vendin e tyre sa më parë anëtar të BE-së. Në takim u diskutuan gjithashtu për reformat dhe arritjet e qeverisë në shumë fusha dhe angazhimi i dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, në veçanti në fushën ekonomike dhe tërheqjen e investitorëve austriakë në Shqipëri.
...