E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton

Dje pasdite, Kryeministri Berisha pati, në New York, një takim shumë miqësor me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton.

Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Presidentin Clinton për kontributin e jashtëzakonshëm qe ai ka dhëne në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Clinton mirënjohjen e thellë të tij dhe të çdo shqiptari për rolin e tij në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe çlirimit të saj nga terrori dhe shtypja e regjimit të Miloshevicit.

Kryeministri Berisha e informoi Presidentin Clinton për reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, vendosjes së shtetit ligjor dhe reformave ekonomike.

Presidenti Clinton e falënderoi me mirënjohje të veçante Kryeministrin Berisha për pritjen e jashtëzakonshme që Shqipëria i ofroi Presidentit Bush, si dhe shprehu vlerësimin, mirënjohjen dhe krenarinë e të gjithë amerikanëve për këtë pritje. Kryeministri Berisha u shpreh me këtë rast se me ndjenjat e tyre miqësore ndaj Presidentit Bush shqiptaret treguan edhe mirënjohjen e tyre për kontributin e vetë Zotit Clinton për Kosovën dhe Shqipërinë.

Presidenti Clinton gjithashtu e përgëzoi Kryeministrin Berisha për reformat e gjithanshme dhe arritjet e qeverisë, të cilat e kanë sjellë vendin më pranë BE-së dhe NATO-s.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Clinton diskutuan gjerësisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe hapat konkrete për realizimin e pavarësisë së saj si e vetmja zgjidhje që garanton paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Clinton për një vizitë në Shqipëri, ftesë që ai e pranoi me kënaqësi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›