'Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës' i Shaban Muratit
Publicisti dhe diplomati Shaban Murati prezanton "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës". Vepra është një analizë komplekse e çështjes shqiptare në rrethanat e krijuara pas krijimit të shtetit më të ri të Evropës.
Në promovimin e organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias merrnin pjesë zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj si dhe mjaft diplomatë, politikanë dhe njerëz të medias e fushave të ndryshme.
Në fjalën e tij, autori tha se çështja shqiptare në Ballkan vazhdon të ekzistojë pavarësisht hapësirave dhe rrethanave të reja. "Krijimtaria ime e gjatë me ka shtyrë të ndalem e të bëj librin e fundit nisur dhe nga mendimi për të dhënë një kontribut modest në zhvillimin e mendimit diplomatik shqiptar, i cili duhet pranuar, është më prapa se sa mendimi politik dhe mendimi historik", - tha shkrimtari Shaban Murati.
Ndërsa, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta u shpreh se "Zoti Murati është një nga diplomatët më të njohur që ka vendi ynë, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe shumëpalëshe në shërbimin diplomatik, por edhe një publicist i njohur dhe i shquar. Ai ka sjellë një produkt interesant sidomos për ata me të cilët merren me çështjet e diplomacisë dhe historisë", tha ministri i Jashtëm Meta.
Librin "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës" e vlerësoi edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë. Gazmend Pulaj tha se kjo vepër është një kontribut i vyer dhe një udhërrëfyes për interesat kombëtare.